BRUKSEL - Ditën e sotme grupi i socialistëve dhe demokratëve në PE i kanë kërkuar Presidentes së re të Komisionit Europian (e cila pret vetëm votimin për këtë post) që të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në hapjen e negociatave.
Letra është dërguar nga kryetarja e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Iratxe Garcia.
"Kandidatura juaj është rezultat i refuzimit të udhëheqësve kombëtarë për të respektuar sistemin, i cili nuk është një mesazh i mirë për t'u dërguar votuesve evropianë. Kjo vendos një detyrim edhe më të madh për ju dhe Komisionin e ri Europian për të treguar se Evropa me të vërtetë punon për njerëzit, duke dhënë një program ambicioz pune që plotëson pritjet e shprehura nga qytetarët në zgjedhjet e BE ", shkroi Garcia në letrën e saj.
Komisioni Evropian tashmë ka mbështetur hapjen e negociatave të pranimit me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, që do të thotë se kjo do të ishte një vazhdim i politikës së saj. Vendimi përfundimtar për këtë çështje do të bëhet nga qeveritë kombëtare.
Gjermanja Ursula von der Leyen është kandidatja për kreun e Komisionit Evropian, por që të emërohet në detyrën e rëndësishme të Bashkimit Evropian, ajo duhet të marrë mbështetjen e eurodeputetëve në Parlamentin Evropian. Ajo kërkon të zgjidhet në krye të KE-së, institucion që ka rekomanduar disa herë hapjen e negociatave, por veto është vendosur nga Këshilli Evropian.
Votimi në Parlamentin Evropian, për kandidaturën e 60 vjeçares, është parashikuar të bëhet më 16 korrik.