Von der Leyen rizgjidhet presidente e Komisionit Evropian! Rama: Shqipëria ka besim të plotë te lidershipi i saj

18 Korrik, 14:36| Përditesimi: 18 Korrik, 19:52

  • Share

Politikania gjermane Ursula Von Der Leyen është konfirmuar në detyrë si presidente e Komisionit Europian, me 401 vota pro dhe 284 kundër, nga Parlamenti Europian.

Von Der Leyen u zotua para eurodeputetëve se prioritet i saj do të jetë forcimi dhe zgjerimi i bllokut, por gjithmonë bazuar në meritat individuale të atyre që duan të bëhen pjesë e BE-së.

“Kremtimi i 20-vjetorit të zgjerimit më të madh ndonjëherë të BE-së na mundësoi të reflektojmë mbi këtë proces, që u dëshmua si sukses për këto vende, dhe për BE-në në tërësi. Historia na thërret përsëri dhe BE-ja ka një zgjedhje për ta bërë për të ardhmen e saj. Unë besoj se është një detyrim moral, politik dhe gjeo-strategjik që ta kompletojmë bllokun tonë, në përputhje me premtimet që kemi dhënë në bazë të traktateve”, tha Von der Leyen.

Ajo theksoi se një BE më e fortë dhe më e zgjeruar, i jep Evropës një peshë më të madhe në skenën globale.

“Ky nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë. Anëtarësimi në BE do të jetë gjithmonë i bazuar në merita dhe secili kandidat do të vlerësohet në bazë të progresit në përmbushjen e kritereve. Do t’i rrisim përpjekjet për t’i përgatitur vendet kandidate, në veçanti përmes investimeve dhe reformave me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, dhe mjetet për Ukrainën”, ka thënë ajo.

Më tej Von der Leyen ka paralajmëruar edhe që do ta emërojë një komisionar të posaçëm për Mbrojtje dhe një tjetër për Mesdheun, pasi këto fusha, sipas saj, janë sfidë dhe prioritet për Bashkimin Evropian.

Politika shqiptare përshëndeti rizgjedhjen e Von Der Leyen në krye të PE-së. 

'Shqipëria e mirëpret me shpresë të ripërtërirë dhe besim të plotë në lidershipin e Ursula-s. Ne vlerësojmë qëndrimin e saj të qartë për Ballkanin Perëndimor në fjalimin e mbajtur sot në Parlamentin Evropian.'- shkruan Rama.

Ora 19:50
Von der Leyen u konfirmua në krye të KE, Rama: Shqipëria besimplotë te lidershipi i saj

1721325877_rama.jpg

Pasi Ursula Von der Leyen u konfirmua në krye të KE, ka ardhur edhe një reagim nga kryeministri Edi Rama.

Rama ka reaguar në rrjetin social X, ku shkruan se Shqipëria është besimplotë te lidershipi i saj.

Rama threksoi se mezi pret të vazhdojë punën me Presidenten e KE për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Vota e Parlamentit Evropian për rizgjedhjen e Ursula Von Der Leyen është një deklaratë e fuqishme që shënon fillimin e një kapitulli të ri në qeverisjen e Bashkimit me një hyrje rigjallëruese. Shqipëria e mirëpret këtë deklaratë me shpresë të përtërirë dhe besim të plotë te lidershipi i Ursulës. Ne përgëzojmë qëndrimin e saj të qartë për Ballkanin Perëndimor në fjalimin e saj sot në Parlamentin Evropian. Mezi pres të vazhdoj punën me Presidentin e Komisionit për ta futur Shqipërinë në BE dhe për të integruar më tej BE-në me Ballkanin Perëndimor”, shkruan ai.

Ora 18:42
Begaj uron Von der Leyen: Presim me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin

1718702710_begaj.jpg

Presidenti i Republikes së Shqipërisë, Bajram Begaj përmes një postimi  në rrjetin social X, ka uruar Ursula Von der Leyen me rastin e rizgjedhjes së saj Prsidente e Komisionit Evropian.

Begaj shkruan se do të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe BE-së, teksa punojnë për finalizimin e anëtarësimit të vendit drejt Bashkimit Europian.

"Urime Von der Leyen për rizgjedhjen si President i Komisionit Evropian! Ne presim me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë me BE-në ndërsa punojmë drejt finalizimit të anëtarësimit tonë", shkruan ai.

Ora 16:49
U rizgjodh Presidente e KE, Basha uron Ursula Von Der Leyen: Si shqiptarë ndihemi pjesë e kësaj familjeje të madhe vlerash

1720087343_lulzimbasha.JPG

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar Ursula Von Der Leyen për zgjedhjen e saj për herë të dytë në krye të Komisionit Europian.

Me anë të një postimi në aplikacionin X, Basha shkruan shqiptarët ndihen pjesë e kësaj familjeje të madhe vlerash.

Sipas tij, udhëheqja e fortë, vizioni dhe vendosmëria e saj janë përbërës që nevojiten për të çuar përpara familjen evropiane.

“Urime Ursula Von Der Leyen për këtë mandat të dytë të merituar. Udhëheqja e fortë, vizioni dhe vendosmëria e saj janë përbërës që nevojiten për të çuar përpara familjen evropiane me bindje dhe besim në momente vendimtare për të ardhmen e kontinentit dhe botës. Vlerat që qëndrojnë në themel të familjes së madhe PPE janë busulla që e mban këtë Union të madh dhe të bashkuar në rrugën e duhur. Ne si shqiptarë ndihemi pjesë e kësaj familjeje të madhe vlerash dhe do të bëjmë gjithçka për t’u bërë pjesë e saj, me besim se do të gjejmë mentorin dhe avokatin e duhur në udhëheqjen e Von Der Leyen dhe PPE”, shkruan ai.

Xh.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?