E pranishme në pikën kufitare të Qafë Thanës, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka theksuar edhe njëherë mbështetjen e Amerikës për vendin tonë. Në pikën kufitare të Qafë Thanës u mbajt sot një ceremoni për bashkëpunimin rajonal, ku USAID dha 100 mijë dollarë për pajisje për doganierët shqiptarë dhe ata të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në fjalën e saj, Kim u shpreh se ndihma e SHBA, po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurt
"Jam këtu për të theksuar se si ndihma e SHBA po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit. Jo shumë kohë më parë kufijtë kanë qenë si mure, sidomos në këtë rajon, nën pretekstin e sigurisë kombëtare duke ndarë njerëzit, duke penguar tregtinë, besimin e ndërsjellë. Ndërsa sot qëndrojmë në një kufi që është jo vetëm më i sigurt, por synon të sjellë njerëzit më pranë dhe të çojë përpara integrimin paqen dhe begatinë", tha Yuri Kim.
Po ashtu Ambasadorja theksoi se SHBA mbështet anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
"Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në prag të anëtarësimit në BE, dhe ShBA e mbështet këtë qëllim. Pajisjet e blera nga USAID do të sigurojnë që autoritetet doganore të arrijnë standarde më të larta në procedurat kufitare, lehtësimin e mjedisit për biznesin dhe kontrolleve për sigurinë", u shpreh Ambasadorja.