Temperaturat e larta kanë krijuar kushte të favorshme për shumimin e baktereve, duke sjellë rritje të rasteve të helmimeve ushqimore në qytetin e Elbasanit. Mjekët bëjnë apel për kujdes të shtuar, sidomos ndaj konsumimit të mishit, qumështit, vezëve, ujit të pijshëm si dhe frutave e perimeve.
Dr. Ergys Mici, shef i Urgjencës në Elbasan thekson se në ditët e fundit është vënë re një fluks i shtuar pacientësh me simptoma si të vjella, diare dhe temperaturë të lartë, veçanërisht te fëmijët. Ai thekson se shkaktarët kryesorë janë ushqimet e kontaminuara. Frutat si shalqiri dhe qershitë përmenden si më problematike kur konsumohen të ndenjura.
Përveç ushqimit, edhe përdorimi i pesticideve paraqet rrezik, sidomos kur ato përdoren pa kujdes nga fermerët. Ai përmend një rast të rëndë ku një fëmijë është helmuar pasi prindi po spërkaste pemët me pesticide.
Një tjetër problem shqetësues është uji i pijshëm, veçanërisht në zonat malore që nuk furnizohen nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve. Enver Shkurti, Kryeinspektor i ISHSH Elbasan, tregon se jo të gjitha burimet janë të monitoruara apo të klorifikuara, gjë që rrit rrezikun për helmime.
Mesatarisht në Urgjencën e Spitalit të Elbasanit kryhen 100–150 vizita në ditë, ku intoksikimi renditet ndër arsyet më të shpeshta.
KËSHILLA PËR PARANDALIMIN E HELMIMIT
1. Mos lini ushqimin jashtë frigoriferit më shumë se 1-2 orë
2. Lani mirë frutat dhe perimet para konsumit.
3. Mos konsumoni shalqinj ose pjepër të prerë më parë
4. Përdorni vetëm ujë të kontrolluar për pirje dhe gatim
5. Kujdes me ruajtjen dhe transportin e ushqimeve gjatë plazhit
Komente
