Shpenzimet për ushqime marrin pjesën më të madhe të buxhetit të familjeve në vend, me rreth 69% të totalit të harxhimeve të kryera gjatë vitit 2021.
“Shpenzimet për ushqime brenda shtëpisë dhe shpenzimet për energji elektrike përbëjnë përkatësisht 69% dhe 11% të totalit të shpenzimeve”, thuhet në një vrojtim të Bankës së Shqipërisë.
Shifra këto që gjatë këtij janë rritur për shkak të inflacionit të lartë dhe shtrenjtimit të të gjitha produkteve, si ato ushqimore ashtu edhe hidrokarburet.
Sipas një vrojtimi të Bankës shpenzimet mesatare mujore të familjeve janë 28,293 lekë në muaj, ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve shkon për energji elektrike, ujë, gaz apo telefon e internet. Këto shpenzime janë të papërballueshme kur familjet kanë vetëm një anëtar të punësuar apo nëse trajtohen me ndihmë ekonomike.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, rreth 30% e të punësuarve në vend kanë paga deri në 30 mijë lekë, ndërsa rreth 66.1% e të punësuarve nuk e kapërcejnë pagën prej 60 mijë lekësh.
Ndërsa Departamenti i Punës i Kombeve të Bashkuara vjet thoshte se 12% e totalit të punësuarve në vend paguhen deri në 18 mijë lekë në muaj. Këto shifra tregojnë se ushqimi, në disa raste merr edhe më shumë sesa të ardhurat që kanë familjet, sidomos me shtrenjtimin e produkteve të shportës gjatë këtij viti.
Puna është burimi kryesor i të ardhurave, dhe në rast të një goditjeje ekonomike 47% e familjeve shqiptare do të rezistonin vetëm 3 muaj me të ardhurat e akumuluara, ndërsa 13% e familjeve nuk mund të përballojnë asnjë goditje në nivelin e të ardhurave. Dhe vetëm 19% e familjeve kanë një rezistencë më shumë se 1 vit.