Sociale

Ushqimi i ndaluar/ Një ditë pas vendimit, Report TV vëzhgim tek ‘Emin Duraku’! Nxënësit ende të painformuar, pica nga hekurat e shkollës! Prindërit: E drejtë

27 Tetor 2021, 17:05| Përditesimi: 27 Tetor 2021, 17:30

  • Share

TIRANË- Një ditë pas urdhrit të autoriteteve për ushqim të shëndetshëm, fëmijëve në shkollën ‘Emin Duraku’ nuk ua ka treguar askush këtë gjë. Nutricionistja Arlinda Garuci thotë se prindërit duhet të flasin dhe t'i bindin për kequshqyrjen.

"Ose nuk do t'i jepen më lek për të blerë këto gjëra dhe do jepet ajo buka me vete që ne shpeshherë e kemi këshilluar ose duhet të punohet me fëmijën dhe t'i shpjegohet arsyeja përse realisht këto produkte janë të pashëndetshme dhe të bëjnë keq prandaj nuk duhen konsumuar. Kështu që prindi patjetër që ka një rol themelor bazë në gjithë këtë vendim që është marrë dhe nga Ministria e Shëndetësisë", ka thënë Garuci.

Nga brenda oborrit të shkollës të vegjlit mjaftojnë të shtrijnë dorën përmes hekurave për të blerë produkte nga piceri dhe fast-food.

Prindërit ndryshe nga panorama me nxënësit, thonë se u vjen mirë për ndalimin e shumë ushqimeve. Disa tregojnë se kanë kohë që u japin të bijve bukën me vete.

"Të vesh të hapësh çantën e vajzës, të dy vajzave që kam në këtë shkollë, mami vet ua bën gati nga shtëpia. Është aq e drejtë sa nuk ka më nga të vej sepse ato janë ca mbeturina. Ajo është shumë e kujdesshme, ashtu duhet të jenë të gjitha, por ajo ngrihet shumë shpejtë edhe ja u përgatit dhe ja u fut në çanta. Tani edhe këmbëngulin ndonjëherë fëmijët por ne gjyshet tolerojmë, janë më të rregullta nuset", tregon një prind.

"E shof mirë nisëm e mirë megjithatë unë konkretisht vet u jap sanduic të bërë nga shtëpia , kështu që e shof gjë shumë të mirë", tha një tjetër.

"Në atë listë ishin futur shumë element që nuk besoj, tani fëmija në shkollë të marrë vetëm një frutë. Për element të tjerë pastaj jam dakort për këto cokollatat, patatinat është veprim i drejtë", u shpreh një tjetër prind.

Por ka dhe nga ata familjarë që nuk shohin asgjë të keqe në konsumimin e cokollatave.

"Unë me cokollata jam rritur jam bërë kaq 80  vjec. Patatinat jo se kanë kripë", tha prindi.

Nutricionistja Garuci shpjegon për Report TV se kequshqyerja çon fëmijët në mbipeshë dhe në diabet. 

"Është mbipesha, kequshqyerja, sigurisht që janë produktet të cilat kanë shumë kripë, shumë yndyrë, shumë sheqer, aditivët të cilët normalisht nuk ndikojnë vetëm në rritjen por patjetër në mbipeshë, mbipesha çon shpeshherë në diabetin e tipit 2 i cili tek fëmijët është shumë i përhapur tashmë", përfundoi Garuci.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?