Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Bota

Ushtarë në terren dhe aleatë, si do të garantohej paqja në Ukrainë

18 Gusht, 09:11| Përditesimi: 18 Gusht, 09:22

  • Share

Ekuacioni që rregullon shpresën për paqe është, në fund të fundit, i thjeshtë dhe ka vetëm dy faktorë kyç: territoret dhe garancitë e sigurisë. Bisedimet mes kancelarive fokusohen kryesisht tek marrëdhënia mes këtyre dy pikave, përveç parakushtit të armëpushimit: Kievi duhet të pranojë dhënien e pjesëve të vendit në këmbim të sigurisë se pavarësia e tij do të mbrohet në të ardhmen. Por gjetja e një zgjidhjeje nuk është aspak e lehtë, sepse nëse çështja e territoreve paraqet pak variabla, ajo e garancive të sigurisë është një e panjohur shumë komplekse që duhet të përballet me mosbesimin ukrainas ndaj premtimeve perëndimore.

Shkëmbim i papërsosur

Si një mjeshtër shahu, Vladimir Putin e ka vendosur lojën diplomatike të hapur në samitin me Donald Trump sipas skemës më të favorshme: kërkon të gjithë Donbasin, përfshirë të pestën e Donetskut që ende nuk e ka pushtuar; zonat e rajoneve të Khersonit dhe Zaporizhias që janë në duart e trupave të tij; njohjen e sovranitetit mbi Krimenë. Në praktikë, ai dëshiron 20% të Ukrainës. Ofron shumë pak: copa të vogla të rajoneve të Sumyt dhe Kharkivit, përveç heqjes dorë mbi pjesën e Khersonit dhe Zaporizhias të aneksuara me referendumin farsë të vitit 2022, por që kanë mbetur nën kontrollin e Kievit.

Rojet e paqes

E vetmja mundësi që doli nga samiti i gushtit ka të bëjë me gatishmërinë ruse për të diskutuar garancitë për ruajtjen e paqes. Një pikë ende i paqartë që duhet konkretizuar në negociata, edhe pse tashmë ka një risi themelore: Shtëpia e Bardhë ka thënë se SHBA do të bëjnë pjesë në mekanizëm. Potencialisht, kjo është një kthesë: në shpërthimet anti-ukrainase të pranverës së kaluar Trump kishte përjashtuar një rol amerikan, duke e hedhur çështjen mbi europianët.

Monitorimi i armëpushimit

Çështja e parë që duhet zgjidhur është detyra e ushtarëve që do të vendosen në terren. Kremlini thuhet se ka kërkuar praninë e Kinës. Kjo të çon të mendosh për një “forcë ndërmjetëse” shumëkombëshe të ngjashme me helmetat blu të OKB-së: ushtarë që mbikëqyrin respektimin e armëpushimit. Franca, Gjermania, Britania e Madhe janë të gatshme të ndërhyjnë; përveç Kinës mund të jenë edhe vende “jo të rreshtuara” pranë Rusisë si India, Emiratet dhe Brazili. Zakonisht janë misione që parashikojnë vetëm trupa pa armatime të rënda: pa topa, tanke apo avionë luftarakë. Por kjo zgjidhje nuk i pëlqen Kievit: në Donbas vëzhguesit e OSBE-së në vitin 2014 rezultuan të padobishëm, të paaftë për të frenuar mbështetjen aktive të Moskës për republikat separatiste pro-ruse.

Task forca e parandalimit 

Ukraina dëshiron një mburojë të vërtetë, që ta mbajë larg kërcënimin e Moskës: trupa mike në territorin e saj, me kapacitet real dhe vullnet për të penguar rusët. Dje Zelensky kërkoi garanci "shumë konkrete, duhet të garantohet mbrojtja nga toka, ajri dhe deti". Modeli i marrë në konsideratë është “tabakaja e qelqit” e përbërë nga divizionet e NATO-s të vendosura buzë Perdes së Hekurt gjatë Luftës së Ftohtë: nuk do ta ndalonin një pushtim sovjetik, por do ta ngadalësonin, duke lejuar mobilizimin e rezervave dhe ardhjen e përforcimeve. Pranverën e kaluar Parisi, Londra dhe Berlini e kanë shqyrtuar këtë skenar – për të cilin fillimisht ishte e interesuar edhe Italia – duke studiuar një plan për të dislokuar brigada të blinduara me artileri dhe tanke në rajonet perëndimore, me mbështetjen logjistike të Polonisë që do të strehonte skuadrilje avionësh luftarakë për mbulim ajror. Por Kremlini i vuri veton propozimit. 

Mburoja e traktateve

Me përjashtimin e hyrjes së Kievit në Aleancën Atlantike, tani diskutohet hipoteza e një traktati që të pasqyrojë nenin 5 të NATO-s: angazhimi nga një koalicion ndërkombëtar për të ndërhyrë në krah të Ukrainës në rast agresioni. Është një propozim i avancuar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, për të cilin Shtëpia e Bardhë nuk është e kënaqur dhe ka gjetur mbështetje edhe nga Von der Leyen. Ukrainasit nuk kanë besim: në vitin 1993 ata i dorëzuan Rusisë mijëra koka bërthamore sovjetike të pranishme në territorin e tyre në këmbim të premtimit nga Moska dhe Uashingtoni për të mbrojtur sigurinë e tyre. Por Memorandumi i Budapestit i firmosur nga Bill Clinton në fakt ofronte mbrojtje vetëm kundër sulmeve me armë atomike.

Fortesa e Europës

Zelensky dje tha se e konsideron anëtarësimin në BE si kusht për negociatat. Për Kievin do të ishte një rezultat i rëndësishëm nga pikëpamja politike dhe ekonomike, por pa efekte ushtarake sepse mbrojtja europiane nuk ekziston. Megjithatë Brukseli mund të financojë rritjen e ushtrisë dhe të fabrikave të armatimeve, gjë që Ukraina e sheh si garancinë më të fortë për pavarësinë e saj. Von der Leyen e ka thënë qartë: "Nuk mund të ketë kufizime për forcat e armatosura ukrainase; kapaciteti industrial duhet të forcohet, sidomos për sa i përket dronëve"./La Repubblica
 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?