Pas më shumë se 20 vitesh mision, ushtria amerikane u dorëzoi bazën ushtarake në Bagram forcave afgane të sigurisë. Baza, e ndërtuar nga sovjetikët është struktura më e madhe ushtarake e përdorur nga forcat amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, gjatë luftës së tyre kundër militantëve talibanë.
Tërheqja nga baza më e madhe mund të shërbejë si shenjë se tërheqja e plotë e forcave të huaja nga Afganistani është e afërt.
“Të gjitha forcat e koalicionit janë larguar nga Bagrami”, i tha një zyrtar amerikan agjencisë së lajmeve AFP.
Presidenti amerikan Joe Biden, ka deklaruar më parë se forcat amerikane do të largohen tërësisht nga Afganistani deri më 11 shtator dhe njëjtë si SHBA janë zotuar edhe aleatët tjerë të NATO-s.
Më 11 shtator shënohet 20-vjetori i sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA - ngjarje kjo që ka çuar në ndërhyrjen e huaj në Afganistan.
Uashingtoni ka refuzuar të tregojë se kur do të largohen ushtarët e fundit amerikanë nga Afganistani, duke përmendur shqetësimet për sigurinë.
Ndërkohë në anën tjetër talibanët kanë filluar të marrin kontrollin e disa qarqeve, duke shkaktuar frikë për shpërthimin e mundshëm të luftës civile, pas largimit të forcave të huaj