Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Bota

Ushtria ruse në kufi me Ukrainën, paralajmëron Blinken: Çdo agresion do ketë pasoja serioze

30 Nëntor 2021, 16:03| Përditesimi: 30 Nëntor 2021, 17:14

  • Share

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi sot Rusinë të mos ndërmarrë ndonjë “hap përshkallëzues” ndaj Ukrainës, duke theksuar se “një agresion i ri do të shoqërohej me pasoja serioze”.

Duke folur me gazetarët përkah Ministrit të Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkevics gjatë një vizite në Rigë, Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë “shumë të shqetësuara” nga dërgimi i trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

Shqetësimet rreth shtimit të trupave ruse do të diskutohen në takimin dy ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s, që zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Rigë.

Para takimit të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet në rajon, duke shtuar se shtimi i pranisë ushtarake është “i paprovokuar dhe i pashpjegueshëm”.

“Një sulm i mundshëm i Rusisë kundër Ukrainës, do të kishte një çmim të lartë dhe pasoja politike dhe ekonomike serioze për Rusinë”, tha dje Stoltenberg.

Takimi i NATO-s në Rigë vjen në një kohë që vendet anëtare të NATO-s, Letonia, Lituania dhe Polonia ndeshen me një krizë në kufijtë e tyre me Bjellorusinë.

Bashkimi Europian e akuzon presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko për tërheqjen e mijëra imigrantëve nga Lindja e Mesme në vendin e tij, që prej andej të kalojnë në Letoni, Lituani dhe Poloni me synimin për të destabilizuar Bashkimin Evropian. Brukseli thotë se Presidenti Lukashenko po hakmerret për sanksionet që BE-ja ka vënë ndaj Bjellorusisë.

Një tjetër synim i takimit të NATO-s do të jetë përditësimi i asaj, që grupi e quan, Koncepti Strategjik, i ndryshuar për herë të fundit para një dekade.

Stoltenberg tha se është e rëndësishme të rishikohet dokumenti për shkak të ndryshimit të kërcënimeve me të cilat ndeshet aleanca, në një botë, që ai e quajti “më të rrezikshme”.

“Sjellja e Rusisë, sulmet kibernetike, kërcënimet terroriste, përhapja e armëve bërthamore dhe pasojat për sigurinë nga Kina, e cila po bëhet gjithnjë e më shumë një fuqi globale”, janë disa prej tyre, tha Stoltenberg.

Rusia vendosi rreth 100,000 trupa në fillim të këtij viti dhe tha se lëvizja ishte e përkohshme dhe vetëm për stërvitje. Por shumica e trupave ushtarake ka mbetur aty. Kohët e fundit sipas zyrtarëve perëndimorë dhe ukrainas, janë shtuar edhe njësi të forcave speciale elitë, shpesh fshehurazi brenda natës. Kjo ka shkaktuar alarm në rritje në Kiev dhe në Perëndim.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?