Vaçe Zela

‘Vaçe Zela nuk e ktheu kurrë kokën në anën tjetër me ne të internuarit në fushat e Myzeqesë, por…’, refleksione për legjendën e këngës

11 Korrik 2022, 07:49| Përditesimi: 11 Korrik 2022, 07:55

  • Share

Në udhën e gjatë e të mundimshme të ecjes së popujve, n’atë që quhet histori, ka ditë që i ngjajnë stacioneve, udhëkryqeve, ku ngjarje të pazakonta përcaktojnë drejtimin, që ato bashkësi njerëzish, që flasin të njëjtën gjuhë, do të ndjekin në t’ardhmen. Në historinë e shqiptarëve një ditë e tillë ishte 7 prilli 1939, një ditë që ndryshoi rrymën e ngjarjeve të një populli që, për gati pesëqind vite, ëndërroi pavarësinë. Kur kjo erdhi solli një traumë po aq të dhimbshme sa robëria, ndarjen e vëllezërve nga vatra atërore e rënien e gjysmës së tyre në të tjera robëri.

Përpjekjeve të dëshpëruara të një grushti njerëzish, të ndërgjegjshëm për misionin tejet të vështirë të krijimit, forcimit e funksionimit të një shteti të rrethuar nga lakmi grabitqare fqinjësh, të përkrahur nga të mëdhenjtë e Evropës, do t’i jepte fund sendërtimi i një akti të dëshiruar me forcë nga një plejboj i politikës italiane, që kish patur fatin të martohej me bijën e diktatorit e të kishte postin e ministrit të jashtëm.

7 prilli 1939, me zbarkimin e trupave italiane në portet shqiptare, ishte fillimi i një epoke pushtimesh të huaja që zgjati pak, por që solli si pasojë një tirani vendase, nga kthetrat e shumëllojta të së cilës nuk po mund të shkëputemi plotësisht ende sot. Por ajo datë ishte dhe një  ditë e zakonshme, në të cilën njerëzit punonin, bisedonin, dashuroheshin, studionin, ëndërronin një t’ardhme, lindnin fëmijë…! Ishte jeta e zakonshme e njerëzve të thjeshtë, t’atyre që ngjarjet historike i perceptojnë me vonesë, kur ato ndikojnë materialisht mbi to.

Atë ditë, mes shumë fëmijëve të lindur në trevat shqipfolëse, në Lushnjen myzeqare në buzë të kënetës së Tërbufit, në një familje të njohur, lindi një vajzë. Vajza u quajt Vaçe dhe pati një fëmini të patrazuar nga baticat e zbaticat e jetës politike të Vendit të saj. Që e vogël shquhej për karakterin gazmor e për dëshirën e madhe, për të kënduar e për të kërcyer.

Në qytetin e vogël ku lindi u bë shpejt e njohur për prirjet e saj dhe u dërgua për të studiuar në Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Me që nuk kishte probleme “biografie”, ajo vajzë e talentuar u rreshtua në grupin e artistëve të rinj që, do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, më 1956.

Ishte ballafaqimi i parë i myzeqares 17-vjeçare me botën e huaj, një farë shkëputje e përkohshme nga rregullat e ngurta që zotëronin në mjediset kulturore të Vendit të saj, një ballafaqim që la gjurmë në nënvetëdijen e artistes së re e i dha një shtysë rrugës së saj të mëtejshme.

Pak nga pak Vaçja e re u bë e njohur në nivel kombëtar, si pasojë e pjesëmarrjes në estradën e qytetit dhe shfaqjeve të saj anembanë Shqipërisë. Kështu në vitin 1961, ajo u tërhoq nga Estrada e Ushtarit, prej nga filloi karriera artistike në kryeqytet që e çoi në pak vite, në majën e Olimpit të muzikës së lehtë shqiptare, për një kohë të gjatë.

Më duket e tepërt të flas për sukseset e saj n’atë fushë, për çmimet e fituara, për popullaritetin e saj të padiskutueshëm, për ndihmesën e saj të jashtëzakonshme në interpretimin e këngës shqiptare të lehtë e popullore, për nivelin e lartë teknik e ngrohtësinë e një zëri që, për çdo ithtar të muzikës s’atyre viteve, ishte il non plus ultra e mjeshtërisë vokale.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm të këngëtares magjike myzeqare më pëlqen të ve në dukje disa anë të karakterit e personalitetit të Vaçe Zelës, për shumë kohë të pa vëna në pah publikisht. Vaçja u rrit në Lushnjen e viteve ‘50-të, qytet që nga viti 1954, ishte kthyer në qendrën kryesore t’internimit për Shqipërinë.

Savra e Pluku, ishin sektorët në të cilët ishin sistemuar pjesa më e madhe e t’internuarvet në këtë rreth. Ata më të rinjtë shkonin në shkollat e qytetit, përfshirë këtu edhe gjimnazin e hapur më 1956-ën. Të tjerët punonin, kryesisht në ndërtim, shpesh herë brenda në qytet, kurse pjesa më e madhe punonte në bujqësi.

Udhëzimet që nga majat më të larta të pushtetit komunist ishin që këta njerëz të jetonin në një geto e të shiheshin gjithmonë si “armiq”. Pati mjaft nga ata qytetarë të Lushnjes që u munduan t’i venë në zbatim ata udhëzime, por pati edhe nga ata që nuk i mbajtën parasysh në jetën e tyre.

Vaçe Zela ishte një nga të dytët. Pranë shtëpisë së saj ishte spitali i qytetit dhe këngëtarja e re kalonte me orë të tëra në biseda me vajza t’internuara, të shtruara në spital.

Mirësjellja ishte një tipar i karakterit të saj, por ajo bëhej edhe më e dukshme në marrëdhëniet me djem e vajza të shtresave “ të përmbysura”. Kjo sigurisht nuk shihej me sy të mirë nga mbrojtësit e rendit, por këngëtarja, asnjëherë nuk i bëri të sajat predikimet e “moralit” komunist për famëkeqen luftë të klasave.

E kam njohur herët Vaçen kur un shkoja në gjimnaz dhe ajo ishte udhëheqëse pionierësh e këngëtare n’Estradën e Lushnjes. Më vonë ajo shkoi duke ngjitur shkallët e suksesit, ndërsa un duke zbritur ato të dallimit racial të “luftës së klasave”!

Në rastet e rralla që qëllonte të shiheshim ajo kurrë nuk e ktheu kokën nga ana tjetër, nuk e shmangu takimin, nuk i kurseu  fjalët e mira. U mundua të më inkurajonte për të përballuar një jetë që i ngjante një tuneli t’errët ku nuk dukej asnjë lloj drite. Në fjalët e saj ndihej mirëkuptimi, solidariteti, dhimbja.

Ajo mbeti gjithmonë e dashur, e sinqertë, e hapur me njerëzit, i vlerësoi ata nga cilësitë vetjake e jo nga mbiemri, nuk diti t’urrejë si mbas recetave të partisë apo të sigurimit te shtetit. Është një meritë që lartëson figurën, po të mbahet parasysh se bëhej fjalë për një personazh publik të radhës së parë, në një kohë kur trysnia e shtetit në drejtim të depersonalizimit ishte skajore e pasojat e qëndresës, pothuajse gjithmonë, shumë të hidhura.

Këtë anë të personalitetit do t’a tregonte më me forcë në krijimin e familjes së saj, në respektin e dashurisë së saj, në vendimin për t’u bashkuar me një njeri që nuk bënte pjesë në “biografitë e mira”, që kish për nënë një grua të huaj, që kish kryer shërbimin ushtarak në një repart pune. Këngëtarja e njohur  u dashurua me këtë njeri dhe ajo ndjenjë i qëndroi kohëve dhe peripecive të tyre deri në ditët e sotme.

Vaçe Zela mbeti vajza e çiltër myzeqare edhe duke zotëruar skenat e festivaleve të këngës shqiptare, edhe duke qenë e nderuar nga një popull i tërë, edhe duke përfaqësuar me dinjitet Vendin e saj në skenat e huaja. Ajo nuk lakmoi pozitat politike e shoqërore, nuk u bë deputete, nuk u bë as komuniste, mbeti një shqiptare që e deshi Vendin e saj e, i shërbeu atij me zërin e saj, me kënaqësinë estetike që i dha bashkatdhetarëve të saj.

Ka vite që ajo ka braktisur skenat, por këngët e saj janë ende të pranishme në kujtesën e njerëzve të brezit të saj dhe zënë një vend të rëndësishëm në pasurinë artistike të popullit tonë. Imazhi i këngëtares dhe zëri i saj, në faza të ndryshme të jetës së saj artistike, mbetet i gjallë në kujtesën tonë, mbasi ka qenë një pjesë e ushqimit tonë shpirtëror, edhe se shumë tekste të këngëve të kënduara prej saj mbanin vulën e kohës së tyre, sepse nuk mund të ishte ndryshe.

Koha bën zgjedhjet e saj, hedh në shportë pseudo vlerat e frymëzuara nga interesat e çastit, të pushtetit, te ideologjive kalimtare, por ruan dhe ngre vlerat universale që kanë si bosht qendror njeriun, botën e tij shpirtërore, prirjet dhe aspiratat e tij të përjetshme. Mjaft këngë të kënduara nga artistja jonë e madhe i përgjigjen këtyre kërkesave, prandaj jam i bindur se do të kenë jetën e gjatë.

E jetë të gjatë i urojnë “Mbretëreshës së këngës shqiptare”, në këtë përvjetor të lindjes gjithë bashkatdhetarët e saj që e kujtojnë me respekt e dashamirësi, duke e shtrirë urimin edhe tek bashkëshorti i saj fisnik dhe bija e tyre e rrallë.

Apartamenti ku familja Rodiqi banon sot në Bazelin e Zvicrës së qytetëruar, është disi i veçantë. Ai ka një dalje në një kopsht, në të cilin janë mbjelle lule nga më të ndryshmet. Është një mjedis që i sjell ndërmend këngëtares së kombit lulet e skenave nëpër të cilat kaloi jeta e saj, ajo jetë që kish filluar një të premte të zezë, më 7 prill 1939./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?