Dhunimi i një turisti rumun 36 vjeçar që po kalonte pushimet në Durrës, solli një reagim të policisë më 1 shtator, pas pretendimeve të tij, se efektivët nuk bënë asnjë veprim konkret mbi rastin.
Policia sqaroi zyrtarisht në fillim të javës se më 14 gusht, rreth orës 22.00, shtetasi austriak me kombësi rumune, Alexandru Cristian Dirnstorfer, u paraqit në stacionin e policisë Plazh, dhe kallëzoi se gjatë asaj dite gushti, rreth orës 15.30 ishte dhunuar nga 5 persona në lagjen numër 13 të Durrësit. Blutë thanë se kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe identifikuan dhe shoqëruan në polici, dy të mitur 17-vjeçarë për të cilët për shkak të moshës nisi hetimi në gjendje të lirë për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje”. Hetimet vijojnë, njoftoi policia më 1 shtator, për të nxjerrë para përgjegjësisë të tjerë të implikuar në këtë rast.
Turisti kontaktoi me redaksinë e Shqiptarja.com duke dërguar një video nga momenti kur ka shkuar në polici dhe është përpjekur të bisedojë në gjuhën italiane me efektivin në stacionin e Plazhit. Ky i fundit i thotë se duhet të shkojë tek prokurori në Durrës, dhe vazhdimisht i thotë të largohet pasi nuk di italisht, duke folur në shqip dhe disa fjalë në italisht.
“Ky polic nga policia e plazhit, pasi më la të pres nga ora 10 e mëngjesit deri në mbrëmje, duke folur me të në italisht, në darkë, në vend që të më merrte deklaratën, më tha të shkoja”, na shkruan turisti në gjuhën shqipe, që thotë se e ka përshtatur me Google Translate.
“Turisti: Si jeni. Mund te flas me policin.
Polici: Jo.
Turisti: Më thanë që të prisja këtu.
Polici: Vai, Vai, ec, në Prokurori, jo këtu. Këtu s’ka njeri.
Turisti: Prokuroi më tha të vi këtu.
Efektivi: Prokurori në Durrës.
Turisti: Prokuroi më tha të vi këtu.
Efketivi: Nuk ka prokuror këtu, prokurori në Durazzo (Durrës). Vazhdo atje, no kuptoj. Nuk kuptoj.
Turisti: Prokurori më tha të vi këtu. Dua të flas me shefin tënd”, dëgjohet në bisedën mes turistit dhe efektivit.
Turisti thotë për Shqiptarja.com se është mbajtur për rreth 20 minuta në makinën e policisë, edhe pse i plagosur, dhe askush nuk i jepte një shpjegim nëse ishte i arrestuar dhe as përse nuk e lironin nga makina.
“Po, pati një keqkuptim të vogël dhe policia u mor me mua, por vetëm natën kur u mora nga terapia intensive për të dhënë deklaratë. U mbajta për 20 minuta i mbyllur në makinën e policisë së bashku me një kriminel të lidhur me pranga. Pyeta nëse isha nën arrest ose pse nuk më lejonin të dilja nga makina, por natyrisht u injorova përsëri… deri sa fillova të bërtisja fort, duke kërkuar ose të më çonin në qeli ose të më linin të dilja nga makina, sepse isha i plagosur dhe nuk merrja frymë.
Dhe kjo është praktikisht e gjithë veprimtaria e policisë së Durrësit për mua – përveç dy policëve civilë (ndoshta agjentë specialë), çdo herë më mbyllnin derën për hundë dhe më injoronin. Jam bllokuar në Shqipëri për një muaj dhe dua që situata të sqarohet përfundimisht që të mund të kthehem përsëri në Austri”, shkruan ai për Shqiptarja.com.
Turisti shprehet se dy të miturit që janë vënë në hetim nuk kanë lidhje me ngjarjen.
“Të dy zinxhirët nga qafa nuk u thyen, por u shkëputën me forcë. Ata janë shumë të vështirë për t’u thyer aksidentalisht; duke u shkëputur më lanë shenja në qafë, të cilat tregojnë se zinxhirët u hoqën me qëllim. Kam edhe fotografi të bëra nga mjeku ligjor si provë e këtyre shenjave. Dhe në asnjë rast këto nuk mund të ishin bërë nga dy të mitur 16 vjeç, siç pretendon policia. Ky ishte një rast shumë serioz, jo një përleshje e thjeshtë me dy adoleshentë 16 vjeç që nuk kanë lidhje me rastin dhe që nuk i kam takuar kurrë”, thekson turisti.
Më tej ai thotë se kërkon që situata të sqarohet përfundimisht që të të kthehet përsëri në Austri. Më poshtë ai tregon edhe se e viziton shpesh vendin tonë dhe dëshiron ta mbështesë turizmin dhe jo t’i bëjë reklamë negative.
“Jam një turist që viziton shumë shpesh Shqipërinë, është një nga vendet e mia të preferuara, dhe sa herë kthehem në Austri, tregoj familjes dhe miqve se sa i mrekullueshëm ishte pushimi. Dua të mbështes turizmin shqiptar dhe jo ta dëmtoj me reklamë negative, por nuk mund të hesht për atë që ndodhi vërtet”, shkruan ai.
Po ashtu, ai i dërgoi redaksisë sonë edhe foto që tregojnë gjendjen e tij nga dita kur është dhunuar. Sipas tij, zona ku ka ndodhur ngjarja është e mbushur me kamera dhe se policia nuk po punon për ta zbardhur ngjarjen.
Komente
