Lezhë- Policia gjen fëmijën e humbur në plazhin e Shëngjinit dhe ia kthen prindërve.
Efektivët e Rendit në Shëngjin njoftuan sot se i dorëzuan familjes në gjendje të mirë shëndetësore, vajzën 4-vjeçare nga Kosova.
“Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua nga një familje pushuesish nga Kosova, se vajza e tyre e mitur ishte larguar dhe nuk po e gjenin dot. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Rendit në zonën e plazhit në Shëngjin u angazhuan në kërkime intensive në terren. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional, punonjësit e Policisë bënë të mundur lokalizimin e vajzës, e cila gëzonte shëndet të plotë, dhe ia dorëzuan familjes”, bëri të ditur Policia e Lezhës.
Prindërit e vajzës kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e shpejtë dhe profesional që bëri të mundur gjetjen e të miturës.
Policia e Shtetit u bëri apel pushuesve që të tregojnë kujdes për fëmijët.
Komente
