Fundjava e gjen në Bujqës të Elbasanit, vendi ku hodhi hapat e para si artiste, ku nuk mungon ngrohtësia e familjes dhe ka të ngulitura kujtimet më të bukura.
Këtë herë nuk do të qëndrojë në vendlindje. Arnilda Kyçykun e pret një projekt i madh në Tiranë.
Vëmendjen në Akademinë e Arteve e ka tërhequr jo vetëm me look-un e saj, por edhe me artin që përfaqëson.
Portreti i Avniut, një lypësi në Elbasan, nuk i shpëtoi syrit të ish ambasadores Yuri Kim, një artdashëse dhe njëherazi koleksioniste. Ishte kjo puna e parë që i bleu Arnildës e cila pasoi me disa të tjera të realizuara me po aq mjeshtëri.
Tashmë ‘Galeria e Artit Tiranë’, ka ftuar në rezidencë 4-mujore 26 vjeçaren e cila do të ekpozojë 25 piktura me tematikë Tiranën. Një prej tyre ajo e realizon për emisionin “Një nga ne”.
“Piktura do më shoqërojë gjithmonë”, shprehet Arnilda, e cila pavarësisht sfidave, duket se nuk do të ndalet në rrugëtimin që ka nisur.
Xhirimet nisin në fshatin Bujqës ku na tregon historinë e jetës, kujtimet që ruan nga fëmijëria, ushqimin e preferuar që ia gatuan e ëma dhe kujdesin për 12 macet.
Më tej mbërrin në Tiranë ku rrëfen për jetën e re që ka nisur, si është Tirana në sytë e një artisteje dhe ambiciet për të ardhmen.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.