Vajza ‘e këngës’ Elina Duni: Përmes folkut kam gjetur zërin tim! (VIDEO)

6 Janar 2020, 16:39| Përditesimi: 6 Janar 2020, 18:59

  • Share

Kush e ka parë në skenë, dhe ka ndjerë nga afër kumbimin e zërit të saj teksa përkund këngën shqipe, e ka të lehtë ta kuptojë se çdo të thotë që një artist t’i japë shpirt krijimtarisë... Këmbëzbathur, shpesh me sytë mbyllur, Elina Duni bën të turpërohet fama artificiale e artistëve komercialë. Magjinë skenës, siç rrëfen për kamerën e “ReporTV” ia shton përkushtimi i saj ndaj folkut shqiptar, ku duket se ka gjetur frymëzimin, më të mirën e vokalit të saj.  
“Publiku i huaj e do shumë melosin shqiptar, muzikën shqiptare. Unë i përkthej këngët, tregoj për çfarë flasin. Në Kosovë dhe në Shqipëri ndikimi i tyre është shumë i madh, sepse njerëzit kanë pasur mundësi që ta ndjejnë jazz-in jo vetëm përmes melodive dhe këngëve që njohin, por u është hapur një derë, që t’i dëgjojnë edhe në një dimension tjetër. Ndërsa, tek publiku i huaj është ekzotizmi i këngëve shqiptare që prek, që pastaj gërshetohet me jazz-in. Janë dy qasje të ndryshme, që janë shumë interesante”, rrëfen këngëtarja Elina Duni.

Nuk mund t’i largohet artit misionar, atij të vërtetit që nuk mund të veprojë i shkëputur nga realiteti, ndaj shpesh e shikojmë në ballë të kauzave me rëndësi sociale dhe humanitare.

 “Që nga viti 2016 të gjitha koncertet që kam bërë kanë qenë për kauza, mbase sepse kam qenë shumë e prekur nga gjithçka që po ndodh në Shqipëri, edhe përveçse promovimit të albumeve, ajo që ka marrë hapin mbi gjërat e tjera kanë qenë protestat me artistë të tjerë, që zëri ynë të dëgjohet përtej muzikës, siç janë kauzat ekologjike, për tërmetin me Eda Zarin, me Shpat Dedën, me Vlashent Satën për sindromën doën etj. Për mua është shumë e rëndësishme që t’u bashkohem disa kauzave në Shqipëri, sepse ka shumë gjëra që shteti është inekzistent. Këtë rol duhet që ta marrin shoqatat, fondacionet edhe artistët për një ndërgjegjësim më të madh, prandaj kam dashur  edhe unë të bashkohem me ta”.

Vitin 2019-t e mbylli me një sukses ndërkombëtar, “Partir” albumi i saj i fundit u vlerësua, si më i miri ndërkombëtar në Belgjik

“Në albumin “Partir” unë këndoj në nëntë gjuhë të ndryshme, edhe luaj në të gjitha instrumentet. Kam dashur që të jetë universal, sepse ikja është diçka universale, ne mund të ikim nga një gjendje, nga një miqësi dhe nga dashuri. Në  këtë mënyrë ikja na përfshin të gjithëve. Ndërsa, shqipja ka qenë e përfshirë në këtë proces, sepse unë vazhdoj të jem e frymëzuar përmes folkut, kam gjetur zërin tim nëpërmjet tij”, thotë Elina.

Si bijë arti, duket se shkrimtarja Besa Myftiu dhe regjisori Spiro Duni me përjetimet e reagimet e sinqerta ndaj artit të së bijës kanë qenë një nxitje më shumë për të.

“Kanë ndikuar në mënyrë shumë pozitive, më kanë përkrahur që të dy edhe më kanë dhënë gjithmonë opinionin e tyre shumë të sinqertë mbi gjërat që kam bërë. Babai dhe mamaja ime kanë qenë pjesë e asaj gjenerate, që në kohën e diktaturës kanë dëgjuar këngë në shqip, këngë folk që kanë qenë propaganda partiake. Falë meje kanë filluar të shijojnë ato këngë që nuk i duronin dot në atë kohë. Jam shumë e prekur se kam hapur një derë tek ata, edhe tek gjenerata e tyre gjithashtu”, tregon artistja.  

Edhe sot, Elina me zërin e saj, përkthen dhe i rrëfen botës melosin shqiptar. Arti i saj çon një copëz Shqipërie jashtë, duke nxitur respektin ndaj tabanit, kulturës, muzikës së vërtetë...

 “Jam shumë e lumtur për gjithçka që kam arritur dhe që kam pas mundësi që të bëj, por e bukura me njeriun është që ai ëndërron gjithmonë më shumë edhe më shumë, kjo mban gjallë frymëzimet. Ka akoma shumë gjëra për t’u bërë, ka akoma salla që duam të luajmë, por jam shumë e përmbushur edhe lumtur edhe uroj që gjërat të vazhdojnë kështu”.

Teksa na rrëfen se për të jazz-i është një muzikë, ku të gjithë janë të mirëseardhur, na tregon se ka në duar dy këngë,  “Mora testin” dhe “Kur më del në derë” të Nexhmie Pagarushës, pa harruar të urojë të gjithë shqiptarët për 2020-n.

 “Urimi im është që të vazhdojnë të solidarizohen me njëri-tjetrin, edhe të vazhdojmë që të punojmë që shoqëria të bëhet më e mirë. Të drejtat e qytetarëve të jenë sa më shumë të kapshme, edhe të bëhemi sa më të mirë me njëri-tjetrin dhe me natyrën, sepse besoj se kjo është diçka që do të na çoj përpara”, përfundon Elina, e cila prej një viti ka lënë Zvicrën për të jetuar në Londër.

Këtë vit Elina Duni, pas disa albumeve, si “Matanë malit”, “Muza e zezë”m “Si dallëndyshja” apo “Partir”,  do të nxjerrë në treg albumin trio, me kitaristin Rob Luft edhe pianistin Fred Thomas.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?