Evangjeli Veli, kampionia e Europës në peshëngritje e shpallur vetëm një ditë më parë, thotë se është shumë e lumtur për disa arsye. E para për faktin se pas djemve ajo është vajza që bëri krenare Shqipërinë, e dyta sepse fitoi në vendin tonë dhe e treta sepse kampionati zhvillohet në Tiranë. Në intervistën për Report TV Veli tha se njerëzit habiten kur e ndeshin në spitale dhe ajo ndërkohë merret me sport, ndërsa u uroi sukses të gjithë peshëngritësve të tjerë që do garojnë në kampionatin europian.
“Në të gjithë sportin nuk ka femër tjetër që ka ngritur flamurin shqiptar. Jam shumë e lumtur dhe krenare. E vërtetë është se ka qenë një garë shumë e fortë. Nëqoftëse mbani mend në botëror vendi i parë u mor me 202 kilogramë, ndërsa unë fitova medaljen me 208 kilogramë. Ishte synim. Doja edhe rekordin europian.
Ishte europiani i 100, historik. Një event kur bëhet në shtetin tend emocionet janë më shumë se kur bëhet jashtë. E vërteta është se pas gjithë këtyre viteve fokusohem për më shumë, për të parë më lart. Doja të dëgjohej himni shqiptar edhe në Shqipëri. Edhe jashtë të isha emocion do kishte.”
Veli tregoi se pas kampionatit botëror në dhjetor ishte gati të hiqtë dorë nga sporti nëse doktori nuk do kishte bërë një mrekulli.
“Stërvitja ka ecur shumë mirë edhe pse vjet një muaj para botërorit jam dëmtuar. Pastaj jam marrë me rikuperimin. Falenderoj doktorin sepse kishte mundësi të mëdhaja që unë ta lija sportin. Asnjë ditë pas botërorit nuk është humbur. Kur këmba rikuperohej unë vazhdoja të stërvitesha jo vetëm nga ana fizike, por edhe nga ana mentale. Kjo medalje për këtë arsye ka shumë rëndësi.”
Veli më pas foli për faktin se ajo është sportistja e vetme vajzë që ka bërë kaq krenare Shqipërinë.
“Ndihem shumë e lumtur. Kam thënë shumë herë që dua të jem një model për sportistet e reja. Dua të frymëzoj gocat në peshëngritje, pasi mund të kalohen shumë gjëra. S’duhet të lënë sportin, të përpiqen dhe të shkojnë deri në fund. Gjithë vuajtja kur merr suksesin i harron të gjitha.”
Tashmë në rradhë është medalja olimpike, por Veli nuk premton pasi thotë se kjo nuk i sjell fat.
“Asnjëherë nuk kam thënë do shkoj për medalje. Për mua kam rëndësi të stërvitem ashtu siç duhet. Nëse jam mirë pastaj do vijnë medaljet, gjërat e tjera.”
Përveçse peshëngritëse profesioni primar i Evangjelis është infiermiere. Ajo thotë se njerëzit habiten jo pak kur e marrin vesht këtë.
“Dëshira ime ka qenë të merrem me mjeksi, por për shkak se sporti do shumë orë shkova te infermieria. Më pëlqen edhe ushtria. Ndoshta e kuptuat edhe nga mënyra sesi përshëndeta te hymni kombëtar. Është gjëja më e rëndësishme të ndihmoj, të jap dashuri për njerëzit që kanë nevojë. Për këtë arsye kam zgjdhur edhe infermierinë. Njerëzit nuk e bësojnë që bëj infiermiere dhe merrem me këtë sport dhe kam arritje. Jam njeri shumë e thjeshtë dhe kështu do të vazhdoj.”
Për peshëngritësit shqiptarë që do garojnë në vijim në kampionatin europian:
“Nesër është rradha e Brikenit dhe Qerimajt, janë dy kampionë, iu uroj suksese. Jam shumë e sigurtë që Brikeni do dalë sërish kampionë Europe. I kam mbështur gjithmonë sportistët shqiptarë, sidomos Brikenin, me të cilin kam një miqësi shumë të mirë. Dua të dëgjoj edhe himnin shqiptar.”
Veli lavdëroi shumë edhe organizimin, pasi sipas saj edhe sportistët e huaj janë shumë të kënaqur. Ata qëndrojnë në Golem, ndërsa garat bëhen në parkun olimpik ‘Feti Borova’.
“Kam folur me shumë sportistë të huaj dhe janë shumë të kënaqur, se bëjnë edhe plazh edhe garë. E vetmja gjë që kushton pak është distanca sepse është e madhe, por megjithatë janë shumë të kënaqur. U ka pëlqyer shumë vendi ku stërvitemi dhe bëjmë garat.”
Në shtytje Veli e humbi medaljen e artë vetëm për shkak se sportistja ukrainase garoi e para, pasi ngritën të njëjtën peshë.
“Unë kujtova se jam në vendin e parë dhe nuk e besoja që jam e dyta. Në shtytje ma morën vetëm se Ukrainase ishte e para në garë se zakonisht ndodh që ka rëndësi pasha trupore. Unë thoja nuk jam unë e dyta pse po e merr ajo vendin e parë (qesh).”
Në fund Veli tha se shpërblimet tani janë më dinjitoze për shkak të ndryshimeve në ligj.