Listat e emrave të anëtarëve për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë janë rikthyer sërish për votim në nënkomisonin e posaçëm pasi nuk morën 2/3 e votave për miratim në seancën plenare. Si në shortin e dy shkurtit, në garë ishin sërish të njëjtët kandidatë: Ilir Rusi, Orjona Muçollari, Yllka Ruka dhe Mirela Bogdani. Ashtu si në mbledhjen e kaluar, opozita pati sërish kontestime.
Dhurata Çupi, anëtarja e vetme e opozitë e pranishme në mbledhje, kontestoi procedurën dhe kërkoi që në garë të përfshiheshin edhe personat e skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për shkak të mosplotësimit të kritereve formale.
Por qëndrimi i Çupi u kundërshtua nga kryetarja e nënkomisionit, Klotilda Bushka, e cila tha se ata do i qëndronin strikt procedurës së ndjekur edhe më herët edhe në respekt të barazisë së shanseve. Bushka tha se kjo kishte të bënte me sigurinë juridike të kandidatëve.
Pas një diskutimi ndërmjet tyre, Çupi tha se nuk kishte kundërshti për asnjë prej emrave në short, por për shkak të procedurës, zgjodhi të mos votonte asnjë prej tyre.
Për të tejkaluar ngërçin u hodh sërish shorti, sipas të cilit Ilir Rusi u zgjodh në vendin e Maksim Çokut në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ndërsa Orjona Muçollari në vendin e Erjon Muharremajt. Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë u zgjodhën Yllka Ruka që zëvendëson anëtarin Sandër Beci dhe Mirela Bogdani në vend të anëtarit Gent Ibrahimi.
I vetmi ndryshim nga shorti i dy shkurtit ishte kalimi i Yllka Rukës në KLP dhe Ilir Rusit në KLGJ. Nëse lista e re nuk merr 2/3 e votave në Kuvend, procedura do të përsëritet edhe një herë të tretë. Shorti i fundit do të jetë përcaktues, pasi nëse votimi dështon, kandidatët marrin vendet e përcaktuara sipas shortit.