Vaksina antiCovid e kompanisë Moderna kalon një pengesë të rëndësishme...

13 Qershor 2020, 13:46| Përditesimi: 13 Qershor 2020, 13:52

  • Share

Kompania Moderna Inc zhvilloi disa studime laboratorike të vaksinës së saj për COVID-19 tek minjtë, duke marrë siguri më të lartë se nuk do të rritet rreziku i shkaktimit të një sëmundjeje edhe më të rëndë dhe gjithashtu se një dozë mund të jetë e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje ndaj koronavirusit.

Studimet e mëparshme mbi një vaksinë për SARS - një virus i të njëjtës familje me virusin e ri që shkakton COVID-19 - sugjeruan se vaksinat kundër këtij lloji të virusit mund të kenë efektin e paqëllimtë të shkaktimit të një sëmundjeje edhe më të rëndë kur personi i vaksinuar është ekspozuar më vonë ndaj patogjenit, veçanërisht te individët të cilët nuk prodhojnë një përgjigje imune të mjaftueshme.

Shkencëtarët e kanë parë këtë rrezik si një pengesë që duhej tejkaluar përpara se vaksinat të mund të testohen në mënyrë të sigurtë në mijëra njerëz të shëndetshëm.

Ndërsa të dhënat e lëshuara nga Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) dhe kompania Moderna ofruan disa siguri, studimet nuk i përgjigjen plotësisht pyetjes.

"Ky nuk është as fillimi i informacionit fillestar", tha Dr. Gregory Poland, një imunolog dhe studiues i vaksinave në Klinikën Mayo që e ka parë studimin, i cili duhet t'i nënshtrohet rishikimit nga studiues të tjerë.

Poland tha se studimi ishte jo i plotë, i çorganizuar dhe numri i kafshëve të testuara ishin të vogla.

Autorët thanë se e kanë dorëzuar studimin tek njëra prej revistave më të mira shkencore. Vaksina e kompanisë Moderna është në fazën e testimit tek vullnetarë të shëndetshëm. Kompania tha të enjten se planifikon të fillojë në korrik provat e fazës së fundit që do të përfshijë 30'000 njerëz.

Në studimet tek kafshët, minjtë morën një ose dy vaksinime me një shumëllojshmëri dozash të vaksinës së kompanisë Moderna, përfshirë dozat që konsiderohen jo aq të forta sa të nxisin një përgjigje imune mbrojtëse. Studiuesit në vazhdim ekspozuan minjtë ndaj virusit.

Analizat e mëpasshme sugjerojnë se përgjigjet imune "nën-mbrojtëse" nuk shkaktuan atë që njihet si sëmundje e frymëmarrjes e zgjeruar e lidhur me vaksinat, një ndjeshmëri ndaj sëmundjeve më të rënda në mushkëri.

"Doza nën-mbrojtëse nuk i ekspozoi minjtë ndaj një imunopatologjie të përshpejtuar pas (ekspozimit)", - shkruante Dr. Barney Graham dhe kolegët e tij nga Qendra e Kërkimit të Vaksinave në Institutin Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Ngjitëse (NIAID) në dorëshkrimin e publikuar në faqen e internetit të bioRxiv.

Testimi i mëtejshëm sugjeroi se vaksina shkakton përgjigje të antitrupave për të bllokuar virusin nga qelizat infektuese.

Vaksina u duk gjithashtu se mbrojti kundër infeksionit nga koronavirusi mushkëritë dhe hundët pa mbetje të efekteve toksike, shkroi ekipi.

Ata vunë në dukje se minjtë që morën vetëm një dozë para ekspozimit ndaj virusit, shtatë javë më vonë ishin "plotësisht të mbrojtur kundër përtëritjes së virusit në mushkëri", duke sugjeruar kështu se një vaksinim i vetëm parandalon që virusi të përsëritet në mushkëri.

"Në pamje të parë, duket premtuese nxitja e mbrojtjes së antitrupave neutralizues tek minjtë", tha në një email Dr. Peter Hotez, një studiues në Kolegjin e Mjekësisë në Baylor. Ai nuk e kishte shqyrtuar studimin në detaj.

Dr. Poland, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, tha se studimi lë jashtë "parametra të rëndësishëm" që mund të ndihmojnë shkencëtarët të gjykojnë punën.

"Rezultatet, siç janë paraqitur, ofrojnë të dhëna interesante që janë qetësuese... Duhet të përsëritet dhe duhet të rishikohet nga kolegë shkencëtarë", tha ai.

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?