Vaksina antiCovid/ Johnson & Johnson nis fazën e tretë të provave klinike

24 Shtator 2020, 18:07| Përditesimi: 24 Shtator 2020, 18:09

  • Share

Gjigandi farmaceutik amerikan Johnson & Johnson ka nisur fazën e tretë dhe të fundit të provave klinike në njerëz për vaksinën kundër COVID-19 që përdor një dozë të vetme.

Doktor Paul Stoffels, përgjegjës i operacioneve shkencore të kompanisë, u tha gazetarëve të mërkurën se vaksina është injektuar tek 60,000 persona në 215 vendndodhje të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, Argjentinë, Brazil, Kili, Kolumbi, Meksikë, Peru dhe Afrikën e Jugut. Doktor Stoffels tha se Johnson & Johnson kaloi në fazën e tretë të provave klinike pasi pa rezultate pozitive gjatë fazës së parë dhe të dytë në SHBA e Belgjikë.

Vaksina e Johnson & Johnson është katërta vaksinë potenciale kundër koronavirusit që po i nënshtrohet procesit të provave klinike në shkallë të gjerë në Shtetet e Bashkuara, së bashku me vaksinat që po testohen nga kompanitë Moderna, AstraZeneca dhe një vaksine bashkëpunim i kompanisë Pfizer dhe BioNTech me bazë në Gjermani.

Të katër përpjekjet janë pjesë e një programi të administratës së Presidentit Trump, për të ndihmuar dhe përshpejtuar procesin e zhvillimit, prodhimin dhe shpërndarjes së vaksinave kundër COVID-19. Synimi është që të prodhohen 300 milionë doza të një vaksine të miratuar, deri në janar të vitit 2021.

Për shkak se mund të merret në një dozë të vetme, vaksina e kompanisë Johnson & Johnson ka përparësi të konsiderueshme mbi tre vaksinat e tjera, të cilat kërkojnë dy doza që të garantojnë efikasitet.

Vaksina me një dozë të vetme nuk është e nevojshme të mbahet e ngrirë në temperatura tejet të ulta, çka do ta bënte më të lehtë përdorimin gjatë një fushate imunizimi masiv.

Presidenti Donald Trump e përshëndeti njoftimin e kompanisë Johnson & Johnson gjatë një postimi në twitter të mërkurën.

“Lajme të rëndësishme. Kompanitë e shumta të mëdha po shohin rezultate fantastike. FDA-ja duhet të lëvizë shpejt!”, shkruante ai, duke iu referuar Agjencisë Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, e cila jep miratimin përfundimtar për përdorimin e një vaksine të re.

Presidenti Trump u tha gazetarëve të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë se ai mund ta refuzojë një propozim të agjencisë së barnave për të zbatuar një sërë udhëzimesh të reja më të rrepta për autorizimin emergjent të një vaksine të re kundër COVID-19. Ai shtoi se kjo gjë tingëllonte “si një veprim politik”.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?