Lezhe- Infermieri Bardhok Lala në Lezhë troket në një nga dyert e banesës ku jetojnë të moshuar, për t’ju bërë vaksinën e gripit. Teksa vaksinimi kundër gripit ka nisur prej disa javësh, të shumtë janë qytetarët të cilët për shkak të problemeve të ndryshme shëndetësore e kanë të pamundur për t’ju drejtuar qendrave shëndetësore për të bërë vaksinën.
Arsyet se pse ka ndërmarrë këtë iniciativë që prej fillimit të muajit tetor, infermieri Lala, i cili të njëjtin mision ia vuri vetes edhe në periudhën e COVID-it, i tregon për Report Tv.
Pjesa më e madhe janë të moshuar që jetojnë vetëm, janë të paralizuar, të verbuar dhe pjesa më e madhe janë të komunitetit rom dhe egjiptian. Janë shumë të gatshëm, dhe kanë besim tek stafi mjekësor, thotë Bardhok Lala.
Ofrimi i shërbimit të vaksinimit në shtëpi është pritur mjaft mirë kryesisht nga të moshuarit të cilët e kanë të pamundur për të lëvizur.
Prej fillimit të muajit tetor në Lezhë kanë mbërritur rreth 6 mijë vaksina antigrip, deri më tani janë kryer rreth 3 mijë prej tyre.
Deri tani kemi 3 mijë doza të aplikuara, numri i vaksinave të ardhura është rreth 6 mijë. Numri është i mjaftueshëm,thotë Zoje Zefaj, drejtore e NJVKSH-së Lezhë
Vaksinimi kundër grupit në Lezhë po vijon në të gjitha qendrat shëndetësore, ndërsa personat më të interesuar janë të moshuarit dhe të sëmuret kronik.