Në javën e fundit të tetorit pritet të nisë shpërndarja e vaksinave kundër gripit. Instituti i Shëndetit Publik sqaron për Report Tv se vaksinën duhet ta bëjnë grupmoshat në risk, që nga të sëmurët kronikë e deri tek të moshuarit.
Brenda pak ditësh në mbarë vendin do të nisë shpërndarja e mbi 200 mijë dozave vaksinash antigrip. Përgjegjësja e Programit Kombëtar të Vaksinimit në Institutin e Shëndetit Punlik Rovena Daja liston për Report Tv grupmoshat që duhet ta bëjnë këtë vaksinë.
“Iu rekomandojmë që ta aplikojnë të gjithë personat që janë me sëmundje kronike, mosha sidomos mbi 60 vjeç që kanë edhe sëmundje shoqëruese, ndërkohë edhe grave shtatzëna kemi vite që ia rekomandojmë sepse i mbron gjatë kësaj periudhe, por mbi të gjitha personelit shëndetësor sepse janë gjatë gjithë kohës në kontakt me pacientët dhe mund ta marrin gripin dhe t’ja transmetojnë pacientëve të tjerë që shkojnë për vizitë. Për të gjithë këto grupe ajo ofrohet falas.”
Koha më e përshtatshme për ta bërë këtë vaksinë thotë Daja, është fundi i muajit tetor, ndërsa interesi i qytetarëve ka qenë në rritje.
“Çdo vit numri i kërkesave po rritet, jo vetëm nga personeli shëndetësor, por dhe nga persona që janë jo vetëm mbi 60, por dhe mbi 50 vjeç që e këkrojnë, pavarësisht që disa prej tyre mund të mos kenë sëmundje shoqëruese”
Vaksina antigrip mund të gjendet edhe në farmaci kundrejt pagesës 1500 lekë për personat të cilët nuk bëjnë pjesë në kategoritë përfituese falas.
Kategoritë që e përfitojnë vaksinën falas:
TË SËMURËT KRONIKË
TË MOSHUARIT MBI 60 VJEÇ
GRATË SHTATZËNA
PERSONELI MJEKËSOR