TIRANË- Anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mirela Cami ka shpjeguar në Report Tv se përse u mor vendimi për vaksinë me detyrim për punëtorët e supermarketeve dhe administratës publike. Në ‘Studio Live’ me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, Cami tha se kjo masë u mor për shkak se në këto vende ka fluks të madh njerëzish, por edhe duke marrë parasysh përhapjen e variantit Omicron në Europë dhe afrimin e sezonit të dimrit.
“Në fakt në prezanitimin që u bë në lidhje me situatën epidemiologjike u tha që situata ka qenë e qëndrueshme nuk ka pasur rritje të rasteve të pozitivitetit. Lidhet edhe me qarkullimin e Omicron në Europë dhe për t’i paraprirë kësaj gjëje, vaksinimi është i vetmi instrumentet që garanton mbrojtje. Flasim për supermarkete sepse aty ka fluks të madh dhe lëvizje qytetarësh, vaksinimi është i vetmi instrument që garanton mbrojtjen e jetës së tyre”, tha Cami për Report Tv.
Cami theksoi se doza e tretë përforcuese e vaksinës nuk është e detyruar, por rekomandohet për të gjithë personat mbi 18 vjeç për rritur imunizimin. Ndërkohë, ajo shtoi la të hapur mundësinë se nëse do të kemi një përkeqësim të situatës epidemiologjike masat anti-COVID mund të forcohen.
“Vaksinimi po ecën me ritme të kënaqshme, 48% e popullsisë dhe evidentohet një rritje e mbulesë vaksinale çdo ditë. Sot u mor vendimi që jo vetëm për personat e riskuar, por grupmosha u zgjerua. Rekomandohet të bëjë dozën përforcuese. Ka një ndërgjegjësim të numrit të personave që po bëjnë dozën përforcuese”, u shpreh Cami për Report Tv.
Në dy javë situata ka qenë e qëndrueshme, por kjo nuk do të thotë që të lemë pas dore respektimin e masave apo mos të vaksinohemi. Këto masa të qëndrueshme reflektohen edhe nga shtrimi në spitale. Bej thirrje për vaksinim. Do vlerësohet në dinamikë, deri në festat e fudvitit ne jemi në monitorim të situatës epidemiologjike, në varësi të dinamikës do merren edhe masa”, u shpreh ajo.
Komiteti Teknik i Ekspertëve ditën e sotme vendosi vaksinë me detyrim për punonjësit e administratës publike, ata të qendrave tregtare dhe të supermarketeve. Në të kundërt, nga data 4 nëntor ata do duhet të paraqesin çdo 5 ditë test PCR.
Po ashtu Komiteti Teknik i Ekspertëve rekomandoi ndalimin e hyrjes së shtetasve të huaj në Shqipëri me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet e Afrikës së Jugut: Kenia, Angola, Zambia, Bostëana dhe Senegal, ku është identifikuar prania e variantit Omicron të COVID. Për shtetasit shqiptar rezidentë, që vijnë në vendin tonë dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes në këto vende do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë.
Ndërkohë, nga dita e sotme Ministria e Shëndetësisë rekomandoi aplikimin e dozës së tretë përforcuese për të gjithë personat mbi 18-vjeç.