Vaksinimi anti-covid në vendin tonë pritet të nisë në javën e tretë të janarit, ku sasia e parë do të përdoret për personelin shëndetësorë të vijës së parë në spitalet COVID e më pas do të vijohet me grupet e tjera të riskut.
Por kush nuk duhet ta bëjë vaksinën? Erida Nelaj, menaxhere e programit kombëtar të vaksinimit në ISHP, thotë se kategoritë që përjashtohen janë gratë shtatzëna dhe moshat nën 16 vjeç.
"Për sa i përket grupeve të përjashtuar, që nuk janë të përjashtuar kategorikisht, por që nuk janë ende testuar tek këto grupe janë të rinjtë nën 16 vjeç dhe gratë shtatzëna. Ndoshta me kalimin e kohës këto vaksina testohen dhe bëhen të vlefshme edhe për këto grupe vitin tjetër, pasi duhet theksuar se vaksinimi nis tani por do të jetë një proces i gjatë në kohë deri sa të vaksinohet e gjithë popullsia", tha Nelaj
Në Air Albania që është dhe qendra e parë e vaksinimit, do të ketë dhe vendet e pasvaksinimit në zonat e pritjes.
" Air Albania është qendra e parë ku do fillojë, pasi vaksinimi kërkon ambiente të hapura, janë menduar shumë mirë si do të pozicionohen pikat e vaksinimit, janë 60 poste dhe po trajnohet edhe stafi që do bëjnë këtë proces", u shpreh Nelaj.
Vaksinimi kryhet me dy doza ne një hark kohor prej 21 ditësh dhe se secili do të ketë kartelën e tij në mënyrë që të llogaritet saktë koha që duhet.
"Vaksinimi i Pfizer kërkon një kohë prej 21 ditësh, do të jemi të kujdesshëm që ata që do e bëjnë në grupin e parë do ta ruajmë dozën e dytë për ta bërë në datën e caktuar që të mos kemi humbje. Secili do të ketë kartelën e vaksinimit, linja e parë janë personeli mjekësor dhe do të njoftohen. Më vonë kur të fillojë vaksinimi i zgjeruar do të bëhet njoftimi nga mjeku i familjes", u shpreh ajo.
Vendi ynë ka siguruar dhe kushtet për ruajtjen e vaksinës.
"Për sa i përket Pfizer ka qenë një sfidë për të gjithë botën, por ne kemi siguruar kushte e ruajtjes në frigorifer deri në -80 gradë. Vaksina të tjera kanë kushte të tjera që ne i kemi kushtet", tha Nelaj.
Para vaksinimit nuk do të kryhet testimi serologjik dhe sipas rekomandimeve personat që e kanë kaluar koronavirusin duhet të vaksinohen për të vazhduar mbrojtjen.