Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka ndërmarrë jo pak, por 1.200 kontrolle kundrejt kategorive që me vendim të komitetit të ekspertëve i përfshin vaksinimi i detyrueshëm, siç janë punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare.
Burime zyrtare konfirmuan për Report Tv se nga kontrollet ka rezultuar se 75 % e grupeve që preken nga vaksinimi i detyrueshëm kanë marrë të dyja dozat, ndërsa pjesa tjetër paraqesin raport që kanë kaluar COVID-19, ose test PCR çdo 5 ditë.
Gladiona Lika, vaksinatore në pikën e ngritur pranë stadiumit 'Air Albania' tregon se qarkullimi i lartë dhe vala goditëse që ka shkaktuar varianti Omicron ka shtuar numrin e personave mbi 16 vjeç që zgjedhin të vaksinohen për t’u mbrojtur.
“Interes i lartë është parë për dozat e para të vaksinës nga gjimnazistët, maturantët."
Frika e infektimeve kanë shtuar dhe kërkesat për të marrë dozën e tretë përforcuese të vaksinës anti-COVID.
“Nga 300-350 vaksinime në ditë, 200 janë për dozat e treta. Jo vetëm të moshuar, por të gjitha grupmoshat.”
Prej ditësh shifrat e infektimeve për shkak të variantit omicron kanë arritur nivelet më të larta që nga fillimi i pandemisë. Por pavarësisht nga kjo numri i të shtruarve në spitale është në gjendje të stabilizuar. Në krye të infektimeve në të gjitha raportimet zyrtare qëndron Tirana që është edhe qendra më e madhe urbane në vend.
Infektimet në Tiranë për javën e fundit:
14 janar- 1.120 raste në Tiranë
15 janar- 1.018 raste në Tiranë
16 janar- 745 raste në Tiranë
17 janar- 618 raste në Tiranë
18 janar- 1.156 raste në Tiranë
19 janar- 1.250 raste në Tiranë
20 janar- 1.112 raste në Tiranë