ISHP: Vaksinimi ofron mbrojtje 95% dy javë pasi është bërë edhe doza e dytë! Kemi kapacitete për të pritur 250 mijë vaksina të Pfizer

13 Janar 2021, 17:24| Përditesimi: 13 Janar 2021, 17:37

  • Share

Personat që bëjnë dozën e parë të vaksinës Pfizer nuk duhet të neglizhojnë masat antiCOVID, pasi për të siguruar mbrojtjen 95 % që kjo vaksinë ofron duhet të bëhen të dyja dozat e saj dhe të pritet edhe një periudhë 2 javore pas dozës së dytë për t'u siguruar se janë krijuar antitrupat. Këtë sqarim e bëri menaxherja e programit kombëtar të vaksinimit në ISHP, Erida Nelaj në një interviste skype për Report Tv.

Nelaj tha se sot janë kryer 60 vaksinime kryesisht nga spitalet COVID1 dhe COVID3 dhe se deri tani në tre ditët e para të vaksinimi nuk ka pasur efekte anësore.

"Sot kanë qenë 60 vaksinime nga spitali COVID 1 dhe 3. Nuk ka pasur asnjë problem në të tre ditët e vaksinimit. Është e rëndësishme të kuptohet që një vaksinë është provuar të jetë efikase pas dy dozave. Pra me dozën e parë nuk do të jenë të mbrojtur totalisht dhe nuk duhet të neglizhojnë masat mbrojtëse pasi mund të infektohen. Madje për të qenë të sigurt duhet pritur një periudhë dy javore pas dozës së dytë që mund të themi se jemi të mbrojtur 95 %", tha Nelaj.

Nelaj tha se Shqipëria i ka kapacitetet frigoriferike për vaksinë Pfizer deri në 250 mijë doza në një kohë të vetme.

"Për Pfizer kemi frigorifer ultra të ftohtë që shkojnë deri në -80 gradë. Ne i kemi kapacitete që në një kohë të vetme të sigurojmë dhe pranojmë deri në 250 mijë doza të vaksinës Pfizer", tha Nelaj.

Erida Nelaj u shpreh se pasi të mbarojë vaksinimi me mjekët në vijën e parë të rrezikut që janë në spitalet COVID, grupet në terren që bëjnë tamponët apo ata që analizojnë mostrat do të fillojë pastaj paralelisht me vaksinimin e të moshuarve në azile.

"Do të fillojmë gradualisht të merremi me mjekët të fillojnë me të moshuarit në azile dhe më pas policët. Fillimisht do të vaksinohet mjekët që janë në vijën e parë të rrezikut në spitalet COVID, grupet e epidemiologëve që marrin tamponët në terren, stafi që merret me analizimin e mostrave dhe pastaj fillojmë paralelisht me pjesën tjetër të stafit mjekësor dhe me të moshuarit. Vlen të theksohet se vaksina që ka kushte specifike nuk mjafton vetëm pika në Tiranë do të kemi edhe në Vlorë dhe Shkodër. Ata do të hapen shumë shpejt, ne po punojmë për t'i bërë trajnimin e stafit atje", tha Nelaj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?