Vaksinohen mbi 6 mijë mësues, Manastirliu: Pas vendimit të EMA-s, është rritur pranueshmëria për AstraZenecën

19 Mars 2021, 15:36| Përditesimi: 19 Mars 2021, 15:46

  • Share

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga shkolla ‘Qemal Stafa’ në Tiranë, ku po vijon procesi vaksinimi për mësuesit, deklaroi se procesi i vaksinimit ka ecur pa probleme.

“Janë më shumë se 6100 mësues që deri tani janë vaksinuar. Në Tiranë janë 7 qendra vaksinimi, ndërkohë që vaksinimi po vijon në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se pas vendimit të Autoritetit Rregullator Europian të Barnave, është rritur pranueshmëria nga mësuesit për kryerjen e vaksinës antiCOVID.

“Eshtë ulur hezitimi që kemi hasur në ditët e para. Autoriteti Europian i Barnave dje ka deklaruar se vaksina e AstraZeneca-s është një vaksinë e cila ka siguri dhe efektivitet. Është një vaksinë që ofron një mbrojtje madje edhe më të lartë sa ç’është vërtetuar deri tani në fazat e testimit të saj”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se negociatat për doza të tjera vaksinash janë drejt fundit.

“Jemi drejt përfundimit të negociatave dhe besojmë që shumë shpejt do të kemi lajme të mira përsa i përket fillimit të një vaksinimi masiv, duke ulur gjithashtu edhe grupmoshat për vaksinimin”, u shpreh Manastirliu.

Procesi i vaksinimit po vijon me kalendar të kombinuar për mësuesit, të moshuarit mbi 80 vjeç dhe personelin shëndetësor, në pikat e përqendruara si dhe në shkolla në të gjithë vendin. Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 36,619 doza të vaksinës ndaj COVID19. 24,401 vaksinime për personelin shëndetësor, 6098 vaksinime për të moshuar dhe 6,120 vaksinime për arsimtarët.

Në një raport të publikuar nga EMA , Agjencia Evropiane e Barnave, ka arritur në përfundimin se vaksina Oxford-AstraZeneca kundër Covid-19 është "e sigurt dhe efektive".

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?