Vendi mund të përballet me një valë tjetër inflacioni, ky është perceptimi i bizneseve sipas vrojtimit të bërë nga Banka e Shqipërisë për besimin në ekonomi.
Referuar raportit të gjithë sektorët presin rritje të çmimeve në të ardhmen. Sektori i industrisë shprehet se produktet që do të prodhojnë do të jenë më të kushtueshme. Të njëjtat pritshmëri ka edhe sektori i ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë.
Kjo rritje e çmimeve është parashikuar edhe nga konsumatorët, të cilët pohojnë se kanë hequr dorë nga blerjet e mëdha.
Ndërsa sa i takon besimit në ekonomi, ai regjistroi përsëri ulje në muajin nëntor me 1.6%, i ndikuar më shumë nga rënia e besimit në sektorin e shërbimeve, tregtisë, industrisë dhe tek konsumatorët. Ndërsa është përmirësuar besimi tek ndërtimi.
Raporti i Bankës së Shqipërisë për besimin në ekonomi
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) ra me 0.6 pikë përqindje në muajin nëntor, duke shënuar rënie më të ngadaltë se në muajin e mëparshëm. Megjithatë, TBI-ja vijon të qëndrojë mbi mesataren historike. Bizneset e industrisë u shprehën më pesimiste lidhur me kontratat porositëse, kryesisht ato të lidhura me eksportin. Nga ana tjetër, ato raportuan të përmirësuar prodhimin aktual industrial. Pritjet e bizneseve të industrisë për prodhimin në të ardhmen kanë mbetur të pandryshuara nga niveli i një muaji më parë, ndërsa pritjet për punësimin në të ardhmen janë në rënie. Pritjet për çmimet e produkteve që do të prodhojnë në të ardhmen janë vlerësuar me rritje këtë muaj.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) regjistroi rritje me 4.4 pikë përqindje në nëntor, duke qëndruar rreth 20 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e TBN-së u përcaktua kryesisht nga vlerësime më optimiste për aktivitetin aktual ndërtues. Vlerësimi për nivelin e porosive regjistroi rritje, por në masë më të ulët. Gjithashtu, pritjet për punësimin dhe çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë regjistruar rritje.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) ra me 4.4 pikë përqindje në nëntor, por duke vijuar të qëndrojë mbi mesataren historike, me 12.3 pikë përqindje. Në rënien e TBSH-së kontribuuan vlerësimet më pak optimiste të bizneseve si për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre, ashtu edhe për nivelin aktual të kërkesës. Pritjet për kërkesën dhe nivelin e punësimit në të ardhmen vlerësohen në rritje nga këto biznese. Pritjet e tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen janë në rritje.
Treguesi i besimit në tregti (TBT) regjistroi rënie me 1.7 pikë përqindje në muajin nëntor. Aktualisht, niveli i TBT-së qëndron rreth 8 pikë mbi mesataren historike. Në rënien mujore të TBT-së ndikuan kryesisht vlerësimet më pak pozitive për ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Nga ana tjetër, pritjet për punësimin në të ardhmen kanë mbetur pothuaj në të njëjtin nivel me një muaj më parë. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje të lehtë.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) regjistroi një rënie të lehtë me 0.7 pikë përqindje në muajin nëntor. Aktualisht, niveli i TBK-së është 2 pikë përqindje mbi mesataren e tij historike. Konsumatorët vlerësuan me rënie blerjet në shuma të mëdha. Nga ana tjetër, ata ishin më optimistë lidhur me situatën financiare dhe ekonomike të vendit në të ardhmen.
(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)