Grupe të vogla ushtarësh përparojnë për disa kilometra, marshojnë nëpër pyje, patrullojnë të fshehur në bodrumet e shtëpive, celularë dhe mini-dronë: lufta në Donbas po ndryshon me shpejtësi. "Nuk luftohet më vetëm nga llogoret, artileritë kanë më pak rëndësi, dominojnë dronët dhe njësitë e këmbësorisë, të cilat ende përfitojnë nga gjelbërimi i dendur i verës", rrëfen një oficer ukrainas që lëviz mes zonave të frontit të Chasiv Yar. Në tre vjet e gjysmë kemi kaluar nga përplasja konvencionale mes këmbësorëve të ngujuar në llogore, topave dhe tankeve, te ky duel mes nismave individuale të rreshterëve e kapitenëve në terren, qëndrueshmërisë fizike dhe përdorimit të teknologjive të reja.
Lajmi i përhapur nga Shtabi i Përgjithshëm i Kievit, edhe pse me qëllim të pashmangshëm propagandistik, është se ofensiva e nisur nga komandat e Moskës më 4 gusht u mposht. Sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm ukrainas, gjeneralit Oleksandr Syrsky, përforcimet e dërguara në fshatrat mes Pokrovsk dhe Dobropillya, arritën të ndalin infiltrimet. "E shohim edhe nga toni i rrjeteve sociale ushtarake ruse se mesazhet triumfaliste të disa ditëve më parë janë kthyer në ankesa". Syrsky sinjalizon se në dy javë trupat elitare ruse kanë humbur mbi 1.000 njerëz dhe vetëm në tre ditët e fundit 206 të vrarë, përveç shkatërrimit të 3 tankeve, po aq automjeteve të blinduara, 12 topave, 35 dronëve, 24 makinave dhe motorëve. Nuk dihet sa janë humbjet ukrainase, e mundshme që edhe ato të jenë të mëdha.
Këto strategji të reja sulmi ruse meritojnë vëmendje të veçantë. "Komandat e tyre kanë mësuar nga gabimet fillestare. Po tregohen të shkathët dhe inovativë. Dronët e modeleve të rinj të ndërtuar falë përbërësve elektronikë kinezë japin një ndihmë të madhe dhe krijojnë probleme të jashtëzakonshme", thotë Mykhailo Kmytiuk, një komandant batalioni që tani ndodhet në frontin e Zaporizhias, por drejton gjithashtu disa njësi elitare në Pokrovsk. Risia janë komandot që nuk i kalojnë dhjetë ushtarë dhe janë infiltruar në prapavijat ukrainase.
"Kanë shfrytëzuar terrenin e Donbasit të shënuar nga lugina, rrjedha ujërash, pyje të dendura që e bëjnë të vështirë patrullimin e dronëve. U desh kohë për t’i nxjerrë", pranon komunikata e Syrsky. Lëvizja në këmbë ndihmon për të shmangur vëzhgimin nga qielli, edhe vetë ukrainasit kanë braktisur tanket dhe automjetet e blinduara, kryesisht fshihen në bodrume, përzihen me fshatarët.
Rusët vazhdojnë të ushtrojnë presion. Strategjia e Putinit synon të përfitojë nga periudha e fundit para shirave për të pushtuar sa më shumë territor, në bindjen se më pas do të mbetet i tij në momentin kur do të negociohej armëpushimi dhe procesi i mundshëm i paqes.
Ndërkohë intensifikohen bombardimet. Aviacioni ukrainas sinjalizon se natën tjetër rusët kanë lëshuar 577 dronë dhe një pesëdhjetëshe raketash mbi të paktën 11 lokalitete, mes tyre Lviv dhe Odesa. U godit edhe një kompani civile amerikane në Karpatet. Dronët ukrainas shkaktuan zjarre në të paktën dy rafineri në Rusi. "E shihni mirë që rusët nuk duan ta përfundojnë këtë luftë. Bombardojnë, nisin ofensiva", komenton Zelensky, për të cilin është e qartë se Putini shmang takimin e drejtpërdrejtë me të, për të cilin kishte folur Trump në samitet e fundit në Alaskë dhe në Shtëpinë e Bardhë. Dhe shton: "Sinjalet që vijnë nga Rusia janë të turpshme, ata nuk duan paqen"./Corriere della sera
Komente
