Drejt Punës

Vals me Eno Peçin, rrëfehet balerini: Nga shkollimi në Shqipëri tek sakrificat si student emigrant në Austri! Si u bëra pjesë e Teatrit të Operas në Vjenë

8 Korrik 2022, 21:23| Përditesimi: 8 Korrik 2022, 22:28

  • Share

Sa herë që përmendet fjala vals, mendja shkon vetiu diku në Vjenë,  tek veshjet elegante, a mbrëmjet madhështore të aristokratëve të kahershëm. Edhe kjo poezi e Garsia Lorkës, të çon po në ato shtigje. Lëvizjet me rrotullim  që në shekullin e XVIII -të në Gjermani si “Lander” e më pas duke u konsoliduar si valzer. Valzeri që trazoi mentalitetet, për këtë vallëzim që lejonte kaq shumë afërsi në kërcimin në çift. Valsi që u përhap me luftën, ku forcat e Napoelonit e importuan në Paris, e prej andej, u përhap në të gjitha shtetet e mëdha. Kur udhëheqësit mundoheshin ta frenonin, kompozitorët Lanner dhe Shtraus përshpejtonin ritmin e tij. Deri sa mbërritën tek valsi i vërtetë, valsi vjenez.

I mëvonshëm qe depërtimi i tij në Shqipëri, për të zënë shtrat gjatë periudhës së mbretit Zog, por pa u cenuar as në diktaturë. Përkundrazi, valsi kërcehej mbrëmjeve e festave që organizoheshin duke mos dalë nga kornizat ideologjike të kohës. Valsi u përqafua edhe nga muzika e Avni Mulës, që me zërin e Vaçe Zelës e kthyen në një himn të pavdekshëm, duke e lidhur këtë kërcimnë një binom të pazgjidhshëm  me lumturinë.

Lidhja më e fortë që shqiptarët ndërtuan me valsin në postdiktaturë, ishin padyshim imazhet e koncerteve të Vjenës, të përcjella çdo fillim vit... Ato silueta elegante që endeshin sa majtas-djathtas, në drejtim të kundërt të akrepave të orës. Gjithçka nën tingujt e koncertit të Filarmonikës së Vjenës... në sallën e artë të … Derisa shqiptari i njohur, balerini e koreogorafi Eno Peçi, e forcon këtë lidhje, duke u bërë një nga solistët më të lakmuar të Teatrit Shtetëror të Vjenës, e për më shumë se 15 herë pjesë e mbrëmjeve vjenezë.

Magjinë e valsit të Vjenës, Eno Peçi ia servir publikut shqiptar  në këtë rikthim të tijin, në një shfaqje tërësisht ndryshe. Mbrëmjen e 6 korrikut, në kuadër të “Tiranës si kryeqyteti Evropian i Rinisë”, e shndërron “Sheshin Skënderbej”, në një sallë të hapur vallëzimi, e fton publikun duke i udhëhequr në një “Vals me të rinjtë” dhe jo vetëm. Valsi luhet në piano nga Laura Lila, dhe Peçi së bashku me 5 balerinë të Teatrit të Operas, e sjellin vallëzimin e ballove në një mënyrë tërësisht kontemporane e unike.

Sigurisht që në një mbrëmje dedikuar valsit e shqiptarëve, nuk mund të mos evidentohej bukuria vendase... Mis universi 2020, Paola Mehmetukaj moderon spektaklin e fton publikun të kërcejë bashkë me Peçin.

Balerini i njohur shndërrohet befas në koreograf të publikut, e prej skenës së improvizuar u tregon hapat e valsit... duke shënuar precedent, për të tillë mbrëmje vallëzimi, ku të gjithë mund të ndihen nga pak protagonist.

Kësaj here nuk kërkon të japë një shfaqje profesionale, por të bëhet bashkë me publikun që kërcimi të shijohet nga të gjithë, pa merakun e lëvizjeve që mund të ngatërrohen, por me dëshirën për tu jetuar nga të gjithë si një vals lumturie.

Zgjedh ta ndajë këtë eksperiencë me balerinë shqiptarë. Aneda Lusha, Elda Logo, Semela Skënderasi si dhe Etion Merja e Kevin Lila shoqërojnë publikun në këtë mbrëmje vallëzimi.

Për Peçin nuk është hera e parë që jep shfaqje në ambient të hapur, por emocionet që i jep ritakimi me publikun e vendit të tij në këtë vallëzim në sheshin “Skënderbej”, rrëfen se janë të veçanta.

E shijojnë valsin e Peçit, shqiptarët e thjeshtë, personazhe të njohur, si dhe të huaj. Ambasadori i Austrisë në Tiranë Christian Steiner  është padyshim një nga protagonistët e mbrëmjes së improvizuar vjeneze në Tiranë. Ndërsa Aspasjana Kongo  drejtoresha e rinisë në Bashkinë e Tiranës, shprehet e entuziazmuar që shfaqja ia arriti synimit.

Valsi i Peçit përjetohet përballë “Operas”, teatrit ku ka performuar disa herë.

Ndërkohë si pjesë e Operas së Vjenës, por edhe jashtë saj, projektet e tij vijojnë.

Në piedestal të emrave të baletit e i vlerësuar nga Austria për arritje në “Shkenc e art”, si dhe nga Shqipëria si “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Peçi tregon si ndihet mes dy vendeve.

Për artistët tanë, që kanë krijuar famë ndërkombëtare, sipas tij, të prezantuarit si shqiptar nuk përbën ndonjë meritë, por rrëfim të vetes, historisë së tyre... Ndaj, nuk e shikon si të veçantë faktin që nuk harron ta përmend vendin e tij, në çdo rast suksesi e kurdo tjetër herë.

Rikthehet vazhdimisht për të performuar në vend, dhe e lë gjithmonë të hapur mundësinë për të tjera projekte bashkëpunimi. Ndërsa në këtë vizitë, po e shijon edhe Tiranën ku u rrit e kreu studimet në Shkollën e Baletit... E gëzon atmosfera e aktiviteteve kulturore në të cilën e gjen.

I larguar në moshën 16-vjeçare nga Shqipëria drejt Austrisë, në sajë të talentit si balerin, për të studiuar në Shkollën Shtetërore të Baletit të Vjenës rrëfen se jeta si emigrant nuk ka qenë e lehtë.

E ka të freskët atë moment, që ndryshoi të ardhmen e tij, për tu bërë pjesë e trupës së Baletit në Teatrin e Operës dhe Baletit të Vjenës.

Thotë se në këtë rrugëtim, hapat e parë të edukimit të marra në Shqipëri kanë qenë një udhërrëfyes i mbarë.

Kujton me mirënjohje pedagogët e tij për çdo vërejtje konstruktive, a shtysë që i dhanë drejt baletit, si në Shqipëri ashtu edhe në atdheun e tij të dytë, Austrinë.

Mes emrave të baletit, refuzon të bëj diferencime, pasi sipas tij çdo artist është unik në atë që përcjell.

Eno Peçi mbetet unik edhe sa i përket thjeshtësisë, që suksesi veçse ja ka përforcuar. I pari balerin shqiptar si pjesë e Teatrit të Operës në Vjenë, dhe që ka performuar në Koncertin e kryeqytetit austriak. Një nga momentet kyçe në karrierën e tij u shënua veç dy vite më parë, kur  Opera e Vjenës e ngriti siparin e vallëzimit në balet më koreografinë e  tij... Vjenës i është mirënjohëse, sepse përpos suksesit artistik , ka gjetur aty edhe dashurinë e tij, bashkëshorten, me të cilën ka dy fëmijë.

Nga Opera e Vjenës në Operën e Tiranës së tij, thotë se ndjesitë janë të ndryshme. Nuk pëlqen të flasë për diferencime, por për çka mund ta çojë përpara teatrin tonë.

Nuk harron të jap disa këshilla për të rinjtë që duan të gjejnë të ardhmen e tyre në art e kulturë, duke përsëritur se rruga është e mundimshme, por shinat drejt destinacionit të suksesit janë, pasioni e vullneti.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?