Tirane- Ilir Meta e shmangu një koment të drejtpërdrejtë për kryetarin e ri të Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavon, dikur deputet i LSI për Gjirokastrën dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij. Mesazhin, e pati të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama që thotë se është përgjegjës për vjedhjen e zgjedhjeve në Himarë.
“Nuk kam asnjë mesazh për të, por për grabitësin e bashkisë së Himarës, për Ramën e kam një mesazh që të gjitha këmbimet dhe shkëmbimet që bënë për të fshehur aktet e rënda të tradhtisë kombëtare e për të bërë konsensus për grabitjen e pronave në jug, Dhërmi e Vuno nuk do të funksionojë”, tha ai.
Ramën e akuzon se pa kaluar shumë ditë nga fitorja e Bashkisë së Himarës, ka nisur dhënien e lejeve të ndërtimit.
Pa kaluar as 72 orë nga super vjedhja e zgjedhjeve në Himarë, janë miratuar 7 leje ndërtimi, duke vërtetuar se e vjedhja e bashkisë së Himarës, bëhet për të pastruar paratë në ndërtimin e resorteve”
Ndryshe nga jugu, ku thotë se ndërtohet për të pastruar paratë, Meta e akuzon qeverinë se veriun e ka lënë pa investime.
Presidenti i Partisë së Lirisë renditi edhe një herë 5 prioritetet e Partisë së Lirisë duke thënë se do të ndalë shpopullimin dramatik të vendit.
I pyetur mbi programin me 5 pika të Partisë së Lirisë, Ilir Meta foli me bindje të plotë se ai është plotësisht i realizueshëm.
"Programi ynë me 5 pika është 100 për qind i realizueshëm dhe ne kemi marr modelet më të mira nga vende të tjera. Ne s'do të bëjmë tunele si ai i Llogarasë, për të cilin u fry kostoja akoma pa filluar. Nuk do bëjmë rrugë si ajo Kolonjë- Ersekë, që u shemb dhe tani gjoja është bërë, por ajo është me rrezikshmëri të madhe", tha ai.