Dy shqiptarë të zakonshëm që vrasin kohën në bar, me apo pa bar që digjet, e kanë të përhershme frazën: “Kurrë nuk kemi qenë më keq se sot!”
E njëjta psherëtimë ankuese, tipike për ballkanasit, që përgjithësisht shtriqen me këmbët futur në detin e nxehtë të Mesdheut dhe ftohin kokën në lartësi malesh, mund të hiqej në shpirt në mënyrë identike edhe dhjetë vjet më parë. Edhe njëzet apo tridhjetë vjet më parë. Me shumë gjasa shprehja: “Kurrë nuk ka qenë më keq se sot!”, do të ketë jetë të gjatë. Por mjafton vetëm një moment reflektimi për të kuptuar një të vërtetë të thjeshtë: Shqipëria, skaji i prapambetur i Evropës, nuk ka qenë kurre ndonjeherë parajsë që është shndërruar papritur sot në ferr. Nuk ka qenë e tillë as kur ishte skaj i perandorisë osmane që i imponoi pushtimin e besimin e saj, as kur ngriti flamurin e pavarësisë, as kur rendte mbas “oksidentalizmës” me një mbret oriental, as në kohën e Hoxhës që pushkatoi priftin e hoxhën bashkë dhe as në përcartjen anarkike ndaj lirisë së demokracisë dhe pothuajpluralizmin e RamaBashaMonaIlirDoktorit të sotëm. Ndaj fraza për të keqen absolute, përvecse marrëzi e nostalgjikëve, është shenja e moskuptimit të asaj qe është e dukshme: progresi në Shqipëri është kryesisht produkt i epërsisë së sistemit dhe vitalitetit të pazakontë të vetë shqiptarëve. Një shembull: sot shkohet më shpejt nga Tirana në Uashington sesa dje po mund të udhëtohej nga Tirana në Sarandë.
As Ballkani që ka provuar luftën ndëretnike, urrejtjen dhe genocidin, nuk ka qenë kurrë ndonjëherë si sot. Edhe konflikti më i vogël me armë, është shumë më keq edhe se paqja më e brishtë.
Të gjithë së bashku në Ballkan, të gjithë popujt e gadishullit kontravers, janë shumë herë më mirë sot sesa kanë qenë dje, por janë edhe shumë herë më keq sesa do të duhej të ishin. Ata jnë shumë më keq sesa meritojnë të jenë dhe pafund më keq sesa kanë pasur mundësi të jenë. Dhe kjo gjë ka ndodhur kryesisht për shkak të politikës, pavarësisht gjuhës që politika flet, shqip, greqisht apo serbokroatisht. Pavarësisht nëse ajo trazon qytetarët e saj në Tiranë a Prishtinë, në Beograd a Shkup, në Athinë a Podgoricë.
Po të dëgjosh sot çfarë thonë skeptikët dhe cinikët në Tiranë, krijohet ideja se gjithë Shqipëria është një agjensi funerale, ku secili con në varr tjetrin, ky njëri prodhon drogë dhe tjetri konsumon këtë drogë dhe të gjithë bashkë luajnë ditë e natë skedinën e fatit: kryeministër duhet të jetë Rama apo Basha. Po të dëgjosh secilin që ka një zë publik në opozitën e sotme, njëlloj si opozitarët e djeshëm socialistë, do të krijohej bindja se në këtë vend nuk ekziston asgjë tjetër përveç dhembjes, frikës, tërmetit, korrupsionit e krimit të pandëshkuar. Të ankohesh e të shash si otoman i ngeshëm dhe të presësh të të ngrohë këmbët deti e të të freskojë kokën mali, por pa lëvizur nga vendi, është sport kombëtar në Shqipëri, në të cilin cikli nga pushteti në opozitë shoqërohet me riqepje himeni që rivirgjëron gjithë kurvërinë politike.
Në të vërtetë ekziston një atdhe tjetër. Një atdhe i heshtur i hallexhinjve të heshtur. Një atdhe i padukshëm për ata që nuk janë të verbër, por zgjedhin të mbyllin sytë. Edhe në kohën e luftës kanë lindur fëmijë. Edhe në errësirën më të thellë gjendet dritë, ka njerëz që dashurojnë e martohen dhe njerëz që jetojnë e divorcohen, që ëndërrojnë të nesërme dhe vendosin të vdesin qetësisht në një të nesërme tjetër. Edhe në qelinë më të errët ka jetë, do të thoshin optimistët, që e kuptojnë botën sipas një sistemi pak më të ndërlikuar krahasimi se bardh e zija e skeptikëve: si kemi qenë dhe si jemi!
Pak ditë më parë në fillim Arditi dhe Anila nuk jua refuzuan shqiptarëve magjinë e këngës së tyre.
Pas disa ditësh Vera dhe Alketa do të sjellin këngën shqip në Tiranë. Festivali në zi, kur të vdekurve nga tërmeti ende nuk ju është ngjeshur dheu mbi varr, ngjan si krismë arme në koncert. Por meqë në Tiranë i kanë të gjithë me qejf krahasimet, edhe Vagneri, Bethoveni apo Verdi kanë shtënë me armë në koncertet e tyre. Në Tiranën e interesave të vogla, të egoizmit meskin dhe vanitetit plot shkëlqim të rremë, nuk ka dhe nuk ka për të pasur ndonjëherë Vagner e Bethoven, por muzika e tyre mund të dëgjohet fort. Për të kuptuar se edhe në këtë skaj plot ankesa idiote e mendjemadhësie të marrë të Ballkanit, mund të luhet muzikë. Se mund të këndohet edhe në kohën e tërmetit!/ javanews