Vangjeli: Një armik idiot vlen më shumë se mungesa e miqve për Edi Ramën

24 Dhjetor 2019, 21:39| Përditesimi: 24 Dhjetor 2019, 21:42

  • Share

Një gur më shumë apo një gur më pak mbi kokën e Edi Ramës as shton dhe as pakëson gjë. Njëlloj siç nuk bie fare në sy një njollë boje më shumë në kostumin e bojaxhiut. Sepse hedhja e gurëve, bojës e baltës mbi kryeministrin shqiptar, prej kohësh është shndërruar në sport kombëtar. I vënë nën akuzë se ka blerë gjithë median dhe se po kërkon të verë nën kontroll edhe rrjetet sociale, Rama sot është absolutisht kryeministri më i sulmuar i historisë së pluralizmit shqiptar. Nuk ka emision mbrëmjeje apo mëngjezi, nuk ka gazetar të vjetër apo të ri, të angazhuar si Saliu apo të pavarur si litari në qafën e të varurit, portalist, blogist, facebookist, instagramist apo edhe analfabet funksional, që nuk kruan duart për t’i hedhur Ramës duar urrejtjeje në fyt apo mallkime pleqsh mbi kokë. Ky është një korr me shumë solistë, një korr edhe dramatik, edhe histerik, edhe i vërtetë, edhe i rremë, por që shumë shpesh bëhet aq komik sa vret edhe vetë të qeshurën me hiperbolën, me ekstremizmin dhe vështrimin bardh e zi.

Si rregull, për kryeministrat nuk duhet të ketë brohori, sa kohë që qeverisjet janë gjithmonë problemi që duhet zgjidhur. Kryeministër ka qenë edhe Sali Berisha, por ndryshe nga Rama sot, sherret me Berishën, sa më shumë shkonte drejt perëndimit të pushtetit, aq më shumë kishin nisur të kufizoheshin në një grusht gjithmonë e më të vogël gazetarësh që e kundërshtonin duke e rritur në mënyrë eksponenciale numrin e atyre që e rrethonin si grushti gishtin për ta mbrojtur. Në korrin e madh pro Berishës së dikurshëm ishte një laryshi tipash e karakteresh, që nga ata që e besonin sinqerisht e deri tek ata që e përdornin e përdoreshin sinqerisht e reciprokisht prej tij. Si çiftet e hapura: secili në ahengun e tij, por bashkë në darkë për hir të interesave të përbashkëta! Për statistikë, në pranverën e 2013-ës, në epilog të pushtetit të tij, kritikët e Saliut në media numëroheshin me gishtat e një dore marangozi të pafat, që i kishte lënë ca të tillë gjatë punës me sharrë.

Me Ramën është ndryshe. I ardhur në politikë nga media, me mendjen top se edhe si gazetar e analist vlen më shumë se zanatçinjtë e fushës, Rama hyn gjithë arrogancë në një fushë që nuk i përket e në një pushtet të ndryshëm nga pushteti për të cilin ai është votuar. Media e ka për detyrim që ta ketë subjekt pushtetin e Ramës, kurse Rama e konsideron si ushtrim të dorës së parë të pushtetit të tij që të meret me median. Njëlloj si Trump që e relativizion median kritike jo duke u shpjeguar, por duke e sulmuar, edhe Rama me historitë me kazanë e kadrinj, bën ekzaktësisht të njëjtën gjë. Qoftë dhe vetëm për këtë arsye, shumë nga sulmet që i bëhen, Rama i meriton deri në skaj. Ky Tom Sojer atipik i politikës, bën që tek ai asnjë shuplakë të mos vejë dëm: me shumë gjasë ai ka bërë ndërkohë diçka që ja vlen një shuplakë publike. Madje edhe kur ajo vjen nga njerëz që në jetën e tyre kanë pasur si ndërlikim të vetëm marëdhënien me tualetin.

Me zgjedhjen e tij dhe në strategjinë e tij të komunikimit, kryeministri Rama ka zgjedhur të sillet si një personazh dramatik dhe shumë i keqkuptuar i Tiranës së viteve 70-të, Shaban Qosja. Edhe kur nuk e kanë mendjen tek ai, vetë Rama hedh gurë, tallet, fyen, bën batuta të lodhura, provokon, ngacmon, ofendon çdo gjë e gjithëkënd, mjaft që të risillet në qendër të vëmendjes. Shabani i dikurshëm ishte një njeri që në përmbajtje vlente shumë më tepër se shumica dërmuese e ngacmuesve të tij dhe ishte e kuptueshme që ai do t’u përgjigjej atyre, kurse Rama i sotëm është kryeministri që duhet të përgjigjet me punë dhe jo me replica. Në të kundërt, ai shpenzon një kohë të gjatë si adoleshent në sherre Facebook-u, shpesh duke harruar se është në zyrën e tij për të qeverisur. Se ai është qerramarës i përkohshëm i  pushtetit dhe nuk është religjion për t’u diskutuar, për t’u besuar a refuzuar nga ndjekësit dhe përndjekësit e tij.

Debati absurd i ditëve të fundit për marëveshjen e “Mini Shengenit” është rasti tipik për të kuptuar absurditetin e sherrit publik në hapësirën shqiptare. Nga Tiranë në Prishtinë dhe anasjelltas. Ky debat dëshmon dhe njëherë mekanizmin qesharak të gjykimit bardh e zi për formën dhe injorimin e përmbajtjes, cektësinë e padurueshme të arbitrave gjithashtu publikë, që e hypin veten në ca piedestalë urtësie e morali dhe që andej shesin moral e urtësi për gjithkënd. Pikërisht ky mekanizëm kritik, në vend ta dëmtojë, e ndihmon Edi Ramën. Në vend ta gjykojë e amniston. Në vend ta qortojë, e vë atë vetë në një piedestal të pamerituar. Kush e quan sot Edi Ramën tradhëtar të kombit, shitës të Kosovës, i blerë nga Serbia, kryebaron i drogës në Evropë apo kush mbledh aritmetikisht zërat e buxhetit dhe thotë se ato janë të gjitha para që i vjedh Edi Rama me dhjetë oligarkët e tij, i bën kryeministrit shërbimin më të madh.

E shfajëson nga të gjitha këto akuza, i rrëzon dhe i çmonton, edhe kur ato kanë një thelb racional. Marrëzitë e ditëve të fundit se Rama po ringjall fantazmën e Jugosllavisë, se po i fut thikë mbas shpine Kosovës e lloj – lloj gomarllëqesh të tjera që kanë hipur në kalin e patriotizmit, shkaktojnë së paku konfuzion dhe bëhen sërish ujë për mullirin e Ramës. Duke folur për idiotësi të tilla, njëlloj si në zgjedhjet e 2017-ës kur i mundi të gjithë vetëm me batuta, Rama nuk ka pse të flasë për qeverisjen e tij, për punët e pabëra apo të bëra keq, për tërmetin, për investimet e realizimet dhe për çdo gjë që lidhet me qeverisjen e vendit. Atij nuk i duhet as të shpjegojë Mini Shengenin dhe as të kërkojë ndjesë për mëkatin e të fyerit të politikanëve të Kosovës nga vendi më i papërshtatshëm për ta bërë një gjë të tillë dhe në prani të njerëzve që mendojnë njëlloj si ai, por në gjuhë tjetër.

Për fat të keq, këtë herë si për herë, më shumë për mëkat të kritikëve se për meritë të vetes, Rama ja doli ta orientojë debatin aty ku i intereson dhe siç i intereson. Kryeministri i rreshtoi shumicën e kritikëve të tij iracionalë në të njëjtën llogore me il Ricordo Gjuzin dhe aty do t’i mundë sërish me mjetet e opozitës së re parlamentare; duke përqeshur kundërshtarët dhe duke rivlerësuar aksiomën e hershme: “Më mirë një armik i mençur se një mik budalla!” Rama sot ka të drejtë të mendojë se nuk ka fat më të madh në politikë që në mungesë të miqve, ta kesh armikun budalla!/ javanews

Komento

Komente

  • Abcd: 26/12/2019 18:41

    Kam patur respekt per ty si gazetar e analist,por cfar ke shkruar me siper edhe vet po ta lexosh do te kuptosh konfuzionin e mendimit,mishmashit qe te paska kapur dhe ty,nga retorika “ e bukur” e Rames. Dikur,kur Edi Rama po bente pune te mira ne Bashkine e Tiranes,shumica e simpatizanteve te PS e jo vetem ,e sigmatizonin Ramen ne mes rremujes qe kishte plasur brenda PS prej katarsis,( Fatos Nanos) si zgjidhja dhe alternativa me e mire per PS,por ne “enderronim” duke shpresuar se Edi Rama do te ishte dhe “shpetimi” i Shqiperise nese do te behej KM i saj. I vetmi “ dyshim” i yni ,gje qe “e pengon”- thonim ne- eshte se Rama nuk eshte antar i PS dhe kjo “ nuk e lejonte “ate me statut te ishte ne krye te saj. Por ja qe koha tregoi se edhe “barriera” te tilla tejkalohen dhe ai jo vetem erdhi ne krye te PS pa qene antar i saj,por sot i “shterngon rripin” asaj duke i vene ne rrjesht si ushtare,ku “te pabindurit” peejashtohen,sa ka arritur sot qe flasim “ta eliminoje” PS ,jeten e saj funksionale,demokracine brenda saj,ku te kundertat ishin forca qe e conte perpara ate. Shkurt ,per mos me e zgjat,i dashur gazetar,bera kete paranteze per te sjelle ndermend se Edi Rama i “endrrave” tona devijoi shpejt dhe sot pjesa me e mencur ,idealistet dhe profesionistet e te gjitha fushave,nuk jane me aty,por nuk jane me aty as mbeshtetesit kryesore te dikurshem te Edi Rames,sepse ata u zhgenjyen perfundimisht prej tij pas ardhjes ne pushtet. Edi Rama,shkaterroi PS duke prishur cdo ekiuilibee brenda saj qe vinte si rezultat i kolegjialitetit funksional,duke e zebendesuar ate me “njeshin”. E Pra sot ne kemi vetem “njeshin” edhe ne qeveri ku cdo pune behet vetem prej “tij”,ku dhe shteti eshte zevendesuar me “pioneret qe te mbarojne pune” ne zyren e tij. Per cfar po flasim,per termetin,per ”minishengenin”,per cfar!? Zoti gazetar,nese nje KM kerkon te beje gjithcka vete dhe vetem,pa pyetur kerkend,duke injoruar Institucionet kryesore te nje shteti “Republike Parlamentare”,qe nuk ulet te degjoje e te bisedoje me kerkend dhe ne menyre kolegjiale e institucionale dhe per me teper ne mungese te nje transparence te plote ndaj qytetareve te tij,nuk mund dot askush dhe kesisoj edhe ti nuk mundesh dot ta mbrosh,sepse cdo ide e tille per te justifikuar ate,eshte qellim per te ruajtur dhe kultivuar kultin e pushtetit te tij absolut. E vertete po,jane studio e analiste “kazan” qe ne fakt ja kane rritur “ vleren” kryeministrit,por kjo eshte e padrejte ,ashtu sikurse eshte e padrejte qe per “gogolin Berishe”,te zgjedhim “te keqen me te vogel” zotin Rama,qe mund te jete ndoshta e keqe me e madhe,kur nen pushtetin e tij,ata qe duhet te ishin ne banken e drejtesise,jetojne ne “parajsen” e garantuat pikerisht nga Rama. Jane qindra e mijra fakte te medha e te vogla që e “rrezojne” kete personazh tashme butaforik nga pushteti,por ai sot eshte ne kulmin e “lavdise” se tij dhe si i tille “Ai” kurre nuk mund t’a kuptoje se ky “triumf” i delirit te tij,eshte pikerisht sinjali i rrezimit te tij.

    Përgjigju
  • Argjon: 26/12/2019 11:18

    Le të kujtojmë një ndodhi nga puna dhe etika e zotit Vangjeli. Njëherë në shfaqjen "Java" të RTSH-së, e cila drejtohej nga Vangjeli, Zogaj dhe Artan Hoxha; u ftua shoku zoti Sali Berisha. E dini çfarë ndodhi?! Gazetari Artan Hoxha u la në shtëpi atë mbrëmje, sepse ai ishte e vërteta e 21 janarit! Kaq për Vangjelin që na bën moral dhe na jep mend. Që nga ky rast nuk duhej të punonte më në RTSH.

    Përgjigju
  • Mond: 25/12/2019 14:18

    I nderuar analist,kjo eshte menyra moderne e manipulimit te publikut,berja e puneve mire apo keq nuk eshte gjithmone ne doren e qeverise,ne leter dhe nga studiot e bukura apo zyrat eshte shume kollaj,por realizimi ne realitet tjeter gje,prandaj pranojeni qe dhe kete pune Rama e ben me mire se kushdo.Nqs do ishte e lehte te beheshin punet si duhet pse te merrej me te gjithe ai?

    Përgjigju
  • sifi: 25/12/2019 13:37

    Dhe m gjithate Rama eshte krueministei me i votuar ,si dhe nuk ka bere tradhtu por nje akt patriotik qe dhe vet Albin Kurti do e perkrahi. Dy jane zgjdhjet e mosnarrev shjeve ndermjet shteteve ;lufta dhe dialogu. Luften nuk e don ketkushi pra mbetet dialogu. Tradhetin kosovaret ta kerkojne tek udheheqja e vet dhe jo tek Rama qe i beri ftese Thacit dhe jo Haradinajnt

    Përgjigju
  • Klodi: 24/12/2019 23:44

    Ti po e quan dhe kte qe ndodhi me kosoven si nji gur qe i hidhet rames si gjithmon po nuk esht ashtu ky gur nuk esht si ato qe thua ti ky gur esht ai qe do i thyej turit rames qe ka prek gjith shqiptarin me kte akt trdhtie

    Përgjigju
    • Wayne: 25/12/2019 16:35

      Agree. Jam me ty. Rama n‘fillim t‘mandatit ka bërë shum punë t‘mira (Rilindja urbane, disciplina fiskale, inkuadrimi i të pasiguruarve në sistem e shum të tjera). Zot Rama ka filluar teposhtzën prej PPP‘ve që nuk jan zgjidhja më e mir, po si pasoj të prëmtimeve të parealizueshme „u fut n kredi me interes si lloji fajdexhinjeve“., pika dyt jan koncesioni i aeroportit të Vlorës që u refuzua nga BE, pika tretë projekti Thumanë-Kashar, që shkon mbi çdo imagjinate sa i përket kostos, pika katërt mohimi pothuaj total i tjërave institucione shtetërore(Presidenca, Parlamenti, zgjedhja e Kryeprokurorës) edhe last but not least, sjellja e pamundur si instanc kryesore ndaj pothuaj gjysmës së kombit (Kosovë, Maqedoni Veriore, Luginë...). Edi Rama e ka pas përfundimisht, ky është ama vetëm opinion i imi dhe jo paragjykim.

  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?