I mbytur në borxhe dhe probleme martesore, lobisti sapo kishte dalë nga rehabilitimi kur iu bashkua fushatës së Donald Trump në vitin 2016, shkruajnë Brody dhe Luke Mullins në një fragment të librit të tyre të ri, The Wolves of K Street. Por nuk kaloi shumë kohë dhe problemet personale të Manafortit e nxorën jashtë loje.
Pas një pauze publicitare Chuck Todd, moderatori i emisionit të së dielës Meet the Press në NBC, prezantoi të ftuarin e radhës për publikun: “Duke na u bashkuar tani nga Southampton, Nju Jork, është drejtuesi i fushatës së Trump—trajneri kryesor, nëse doni ta quani kështu—Paul Manafort,” tha ai. “Zoti Manafort, mirë se erdhët sërish në emision, zotëri.”
Ishte fillim vere në kryeqytetin amerikan, një muaj përpara Konventës Kombëtare Republikane, dhe katër vjet pasi Manafort kishte nisur sipërmarrjen e tij të përbashkët lobuese me Tony Podesta. Për Manafortin, dikur një emër i fortë në Uashingtonin e viteve ’80, koha kishte lënë gjurmë.
Përmes ekraneve atë mëngjes, publiku shihte një burrë gjashtëdhjetëeshtatëvjeçar me fytyrë të fryrë dhe sy të rënduar që binin poshtë.
Vija e flokëve, dikur ngjyrë kafe e errët gjatë periudhës së kompanisë Black, Manafort & Stone, tani ishte zbardhur me fije argjendi, dhe ai mbante peshë të tepërt në bark dhe ije. Megjithatë, me kostumin e tij të errët, të hekurosur me përpikëri, dhe flokët e krehur me kujdes, Manafort përcillte të njëjtin shkëlqim të lëmuar dhe vetëbesim magnetik që kishte përdorur dikur për të pushtuar kryeqytetin amerikan.
Me mjeshtërinë që kishte ndërtuar gjatë një jete intrigash politike, ai ia dilte të kthente çdo pyetje të Chuck Todd në një sulm ndaj kundërshtares demokrate të shefit të tij. Kur u pyet për planet e Britanisë së Madhe për të dalë nga BE, Manafort u përgjigj: “Këto zgjedhje të vitit 2016, ku Donald Trump është i vetmi që sjell ndryshim, janë ndërtuar fiks mbi këto tema, sepse Hillary Clinton është mishërimi i sistemit të vjetër. Ajo është në pushtet prej një çerek shekulli.”
Në të vërtetë, Manafort ishte një përfaqësues i çuditshëm i revoltës së Donald Trump kundër elitës së Uashingtonit dhe botës globale. Pasi ishte pasuruar si influencer në Uashington, ai kishte kaluar gjysmën e dytë të karrierës në botën e errët të konsulencës politike për klientë të huaj. Duke ndihmuar klientët e tij të lidhur me Kremlinin të vinin në pushtet në një Ukrainë të trazuar, Manafort kishte grumbulluar një pasuri të denjë për monarkë francezë apo magnatë të Wall Street-it.
Në kohën kur u shfaq në Meet the Press, ai zotëronte tre Land Rover, një orë 21 mijë dollarëshe nga një butik për burra me prenotim në Rodeo Drive, Beverly Hills, si dhe një xhaketë me lëkurë pitoni me vlerë 18,500 dollarë. Ndër pasuritë e tij të shumta ishte edhe një vilë në Hamptons, në një sipërfaqe prej 2.4 hektarësh, me një shtëpi me dhjetë dhoma gjumi, fushë golfi, ujëvarë, fushë tenisi, pishinë, fushë basketbolli dhe një lulishte ku lulet formonin shkronjën M.
Por për këtë mjeshtër të vjetër të lojës politike, lëvizja “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe” nuk ishte një shpërthim i zemërimit popullor. Ishte një rrugë shpëtimi nga kriza.
Pavarësisht aurës së vetëbesimit dhe luksit që përcillte atë mëngjes në Meet the Press, e vërteta ishte se jeta e Manafortit po shkërmoqej. Rreth dy vjet më parë, në kohën kur klienti i tij kryesor, Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç, u rrëzua nga pushteti në një kryengritje popullore, financat e Manafortit nisën të shembeshin. Punët u shteruan, faturat e papaguara u grumbulluan. Një oligark rus e ngacmonte pa pushim për një investim të humbur prej 19 milionë dollarësh.
Teksa kriza financiare thellohej, Manafort përjetoi edhe një goditje më personale. Gruaja e tij prej njëzeteshtatë vitesh, Kathy, zbuloi se ai kishte një të dashur dhe e kërcënoi se do ta linte.
Manafort përfundoi në një qendër rehabilitimi për varësi ndaj seksit në Arizona, ku, sipas dëshmive, qante pothuajse çdo ditë. Në një moment, gjendja e tij u errësua aq shumë, saqë ai përmendi edhe mundësinë për t’i dhënë fund jetës.
“Babai im,” shkruante vajza e tij Andrea në një mesazh në qershor 2015, “po kalon një krizë emocionale masive.”
Në kulmin e rënies së tij, kandidatura e Donald Trump për Shtëpinë e Bardhë u kthye në shansin e shpëtimit për Manafortin. Rastësisht, pikërisht në atë periudhë, manjati i pasurive të paluajtshme po kërkonte një negociator me përvojë për ta ndihmuar në përballimin e një përplasjeje të mundshme në Konventën Republikane.
Me ndihmën e partnerit të tij të vjetër në lobim, Roger Stone, Manafort ia doli të futet në ekipin e Trump. Dhe kur drejtuesi i fushatës u shkarkua në qershor të vitit 2016, Manafort mori drejtimin e saj.
Ishte një kthesë tronditëse. Vetëm një vit më parë, ai rrinte duke qarë në telefon nga një klinikë për varësi seksuale, duke shprehur mendime vetëvrasëse. Tani, ai hartonte strategji me Ivanka Trump dhe Jared Kushner, dhe shfaqej në emisionet më të rëndësishme politike të së dielës në SHBA.
Vanity Fair, një portret i hershëm për Paul Manafort, njeriun e
Gjatë muajve që pasuan, ndërsa e udhëhiqte Trump përmes procesit të rrezikshëm të nominimit në Konventën Republikane, Manafort do të ndihmonte në fitoren e një populisti të djathtë, zemërimi anti-establishment i të cilit do të rrëzonte konsensusin ekonomik pro-biznes që vetë Manafort kishte ndihmuar ta ndërtonte në gjysmën e parë të karrierës së tij.
Edhe atëherë, ndërsa shfaqte buzëqeshjen e vet të sigurt para publikut të Meet the Press, Paul Manafort tashmë po shikonte përtej zgjedhjeve të vitit 2016. Ai po përgatiste një lojë edhe më të madhe. Bashkimi me fushatën e Trump, në fund të fundit, ishte vetëm hapi i parë i planit të tij të madh për të rimarrë ndikimin në Uashington, për të shpëtuar nga kreditorët dhe për të grumbulluar më shumë pushtet se në kohën e artë të Black, Manafort & Stone.
“Ai do të bënte atë që kishte bërë më parë,” thotë Rick Gates, ish-zëvendësi i Manafortit, “por në një shkallë shumë më të madhe.”
Burimi i fitimeve të tij nga Ukraina kishte nisur të thahej në të njëjtën kohë që një valë trazirash civile përfshiu kryeqytetin e Kievit. Në fund të vitit 2013, Presidenti Viktor Janukoviç—udhëheqësi i lidhur me Kremlinin që Manafort e kishte ndihmuar të ngjitej në pushtet—refuzoi një marrëveshje që do të forconte lidhjet e Ukrainës me Bashkimin Evropian, duke zgjedhur në vend të saj afrimin me Rusinë.
Ky vendim shkaktoi protesta masive në Kiev. Qytetarë të zemëruar dolën në sheshin Maidan (Sheshi i Pavarësisë). Kur Janukoviç tentoi ta shtypte revoltën me forcë, dhjetëra protestues të paarmatosur u vranë. Ukraina dukej në prag të luftës civile.
Në shkurt 2014, Janukoviç u arratis nga Kievi me ndihmën e Kremlinit, siç ka deklaruar edhe vetë Putini. Më vonë, presidenti i rrëzuar u vendos në Rusi. Në mungesë të tij, parlamenti ukrainas e akuzoi për “masakra ndaj civilëve” dhe votoi për ta shkarkuar nga posti.
Teksa situata në Kiev përkeqësohej dhe qarkullonin thashetheme të rreme për kapjen ose vrasjen e Janukoviçit, konsulentët amerikanë u tërhoqën në Uashington. Manafort, i mbyllur në një mjegull mosbesimi, binte gjithnjë e më thellë në dëshpërim. “Ishte,” kujton Gates, “thjesht i tronditur.”
Por edhe para rrëzimit të Janukoviçit, Manafort kishte nisur të mbetej pas me pagesat ndaj Podesta Group dhe Mercury, dy firmat amerikane që bashkëpunonin me të në fushatën lobuese për Ukrainën. Në dhjetor 2013, Tony Podesta iu ankua Gates për mungesën e pagesave.
“Ka ndonjë përditësim për transfertat bankare?” shkruante Tony Podesta në një email. “Jemi duke shkuar pesë muaj pa pagesë.” Disa javë më vonë, kur fatura e papaguar e firmës së tij arriti në 200 mijë dollarë, ai ndaloi stafin e vet të punonte më tej për projektin.
Në fillim të vitit 2014, lobistët morën letra të dyshimta nga një bankë e quajtur “Loyal Bank” në Antilet Perëndimore, lidhur me pagesat e vonuara. Në një letër të pa nënshkruar, kryetari i bankës kërkonte ndjesë për “vështirësitë që mund të keni hasur me kryerjen e transfertave hyrëse dhe dalëse gjatë javëve të fundit” dhe premtonte zgjidhje të shpejtë të çështjes. Avokatët e firmave lobuese i përshkruan këto letra si “shumë të dyshimta.”
Edhe pse firmat morën disa pagesa në muajt që pasuan, një pjesë e madhe e borxhit mbeti e papaguar. Deri në prill të vitit 2014, Podesta e kishte kuptuar që nuk kishte më ç’të priste. Ai ndërpreu marrëdhënien me Manafortin si klient, dhe pak kohë më vonë, European Centre for a Modern Ukraine u mbyll përfundimisht.
Pas arratisjes së Janukoviçit nga Ukraina, Manafort mezi po gjente klientë të rinj. Ai arriti të siguronte një kontratë prej 6 milionë dollarësh për të përfaqësuar disa ish-kandidatë të Partisë së Rajoneve, por në fund mori vetëm një pjesë të vogël të shumës së premtuar.
Në vitin 2015, burimi i të ardhurave të tij nga Europa Lindore ishte tharë krejtësisht, duke sjellë një krizë financiare të mprehtë. Jeta luksoze që kishte ndërtuar i sillte fatura mujore marramendëse—vetëm për mirëmbajtjen e vilës në Hamptons, në disa vite, paguante mbi 200 mijë dollarë—dhe nuk iu desh shumë kohë që borxhet të fillonin të grumbulloheshin.
Kishte edhe burime të tjera presioni financiar. Avokatët që përfaqësonin Oleg Vladimiroviç Deripaskën, oligarkun miliarder rus që fillimisht e kishte dërguar Manafortin në Kiev, po e ndiqnin për 19 milionë dollarët që Manafort kishte investuar në emër të tij në një kompani telekomunikacioni ukrainase në vitin 2007.
Më vonë, Deripaska kërkoi kthimin e këtyre parave, pasi kriza financiare globale po i godiste rëndë pasqyrat financiare. Kur Manafort nuk arriti t’ia kthente shumën, Deripaska paditi në vitin 2018. Një zëdhënës i Manafortit i tha Washington Post-it se “jemi të befasuar nga padia” dhe shtoi se çështja, sipas tyre, ishte “trajtuar dhe zgjidhur vite më parë.” Procesi gjyqësor ka mbetur pezull që nga momenti kur qeveria federale amerikane vendosi sanksione ndaj qeverisë dhe industrisë ruse, përfshirë kompaninë e Deripaskës.
Ndërsa presioni mbi llogaritë bankare të Manafortit rritej, njeriu që shpenzonte rregullisht mbi 210 mijë dollarë në vit vetëm për veshje filloi të kërkonte mënyra për të kursyer para. “Papritur është bërë tmerrësisht dorështrënguar,” shkruante vajza e tij Andrea në një mesazh të vitit 2015, pjesë e një koleksioni të madh mesazhesh të saj që u vodhën nga hakerë dhe u publikuan në internet.
Gjatë organizimit të një pritjeje përpara dasmës së Andrea-s dhe të fejuarit të saj, Manafort refuzoi të paguante për përzierës pijeje apo për akull, duke propozuar në vend të tyre një festë me buxhet të ulët, me pjata letre dhe sallamë të nxehtë. “Sallamë. A mund të flasim pak për sa neveritshëm është kjo,” shkruante vajza tjetër e tij, Xhesika, në një bisedë me motrën.
“Kjo nuk është ndonjë barbecue e ndyrë,” ia ktheu Andrea. Teksa problemet financiare sa vinin e përkeqësoheshin, Manafort po përballej me një krizë edhe në familje. Disa muaj pas prishjes së lidhjes me Janukoviçin, vajzat e tij zbuluan se ai kishte një lidhje të fshehtë.
Manafort i kishte siguruar të dashurës së tij—më shumë se tridhjetë vjet më e re—një apartament në Manhattan, një vilë në plazhin e Hamptons dhe një kartë krediti American Express. “Po flinte me të dashurën, ndërkohë që gjyshja ishte në sallën e operacionit,” shkruante Andrea në një mesazh.
Në pranverën e vitit 2015, gruaja e tij, Kathy, e përballoi për lidhjen jashtëmartesore. Manafort u thye, kërkoi falje me lot dhe u shtrua në një klinikë për varësi në Arizona, sipas një mesazhi të njërës prej vajzave të tij.
Gjatë qëndrimit në klinikë, kontakti i vetëm i Manafortit me botën jashtë ishin pesëmbëdhjetë minutat e lejuara në ditë për të telefonuar. “Më duket se qan. Shumë,” i shkruante Andrea një mikeshe.
Me kalimin e kohës, vajzat e tij filluan të shqetësoheshin se ai mund t’i bënte keq vetes. “Po sillet sikur do t’i japë fund jetës,” i shkruante Xhesika motrës së saj. “Po i shkruan një letër mamit, dhe pastaj tha se do të zhduket përgjithmonë,” ia ktheu Andrea.
Ndërkohë që Manafort ndodhej në një qendër rehabilitimi në shkretëtirën e Arizonës, një klient i dikurshëm i firmës së tij lobuese po zbriste me elegancë shkallët lëvizëse të Trump Tower-it, drejt sallës ku do të shpallte kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë.
Sipas Rick Gates, kthimi në politikën amerikane kishte qenë ëndrra e Manafortit. Por një rikthim i tillë kishte dukur gjithmonë i pamundur.
Në dy dekadat që kishin kaluar nga hera e fundit që kishte punuar në një fushatë presidenciale amerikane—atë të Bob Dole-it në vitin fatkeq 1996—lidhjet e Paul Manafort me tregtarë armësh të njohur dhe tiranë të pamëshirshëm në vende të huaja e kishin bërë atë shumë të rrezikshëm për çdo kandidat të krahut tradicional. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2008, sipas Rick Gates, një nga miqtë me ndikim të Manafortit kishte këshilluar drejtuesit e fushatës së John McCain që ta merrnin në ekip, por pa rezultat.
Trump ishte ndryshe. Si i përjashtuar nga elita republikane, ai nuk kishte shumë njerëz me përvojë nga Uashingtoni përreth vetes. Dhe për shkak të skandaleve dhe imazhit të dëmtuar që mbante vetë, ishte më i prirur të mbyllte njërin sy ndaj njollave në biografinë e bashkëpunëtorëve.
Manafort kishte disa lidhje të zbehta me Trumpin. Përveç punës lobuese që firma e tij kishte bërë në vitet 1980 dhe 1990 në emër të magnatit të Nju Jorkut, ai dhe bashkëshortja e tij kishin shoqëruar Trumpin gjatë Konventës Kombëtare Republikane të vitit 1996, në San Diego. Në një moment, teksa Kathy e udhëhiqte Trumpin mes glamurit dhe atmosferës së ngarkuar të sallës, ajo dëgjoi Trumpin të fliste me vete: “Kjo është ajo që dua,” tha ai. “Kjo është ajo që dua.”
Pas blerjes së apartamentit të tij në Trump Tower, Manafort shkëmbente ndonjë fjalë miqësore me Trumpin herë pas here kur përplaseshin në ndërtesë. Kishin edhe disa miq të përbashkët. Ish-partneri i tij në lobim, Roger Stone, kishte qenë këshilltar politik i Trumpit në kohën kur perandoria e kazinove të tij ishte klient i firmës Black Manafort. Edhe miliarderi i kapitalit privat, Tom Barrack, kishte qenë prej kohësh mik i afërt me të dy.
Në fillim të vitit 2016, Manafort nisi hapat e parë drejt një rikthimi që dukej i pabesueshëm. Me financat e shkatërruara, jetën personale të copëtuar dhe gjendjen emocionale aq të rëndë sa që fliste për vetëvrasje, ai do ta përdorte playboy-n e dikurshëm të Nju Jorkut, i kthyer tashmë në zjarrvënësin e krahut të djathtë, si mjetin për të dalë nga errësira.
Pas katër javëve në rehabilitim, Manafort kontaktoi mikun e tij Tom Barrack. “Kam shumë nevojë të arrij tek Trumpi,” i tha ai, sipas rrëfimit që Barrack i bëri Washington Post-it.
Manafort u përkushtua për të siguruar një rol në fushatën famëkeqe anti-establishment. Me Barrackun si ndërmjetës, ai i dërgoi Trumpit një dokument pesëfaqësh në shkurt 2016, ku e paraqiste përjashtimin e tij nga politika republikane si një avantazh: “Që nga rreth vitit 2005 nuk kam pasur më asnjë lidhje klienteliste me Uashingtonin.”
“Kam shmangur establishmentin politik në Uashington që prej vitit 2005,” shkruante Manafort. “Nuk do të sjell me vete barrën e Uashingtonit.” Për të theksuar edhe më fort këtë mesazh, ai e quajti Karl Rove-in—ish-strategun e George W. Bush-it dhe kritik të zëshëm të Trumpit—“armikun tim të përjetshëm në politikë”, një rivalitet që, sipas tij, datonte që nga koha e College Republicans në vitet ’60.
Manafort përmendi gjithashtu edhe punën lobuese që kishte bërë më parë për Trumpin, si dhe faktin që banonte në Trump Tower. Kjo paraqitje e vetes mbërriti në tavolinën e Trumpit pikërisht në një moment të fushatës kur talentet e Manafortit ishin veçanërisht të vlefshme.
Edhe pse Trump kishte siguruar fitore kyçe në zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër dhe Karolinën e Jugut, operativë politikë nga krahu tradicional i Partisë Republikane po planifikonin ta shkatërronin kandidaturën e tij, duke organizuar një revoltë delegatësh në Konventën Kombëtare që do të mbahej në Klivlend.
Manafort, natyrisht, kishte luajtur një rol kyç në fitoren e Gerald Ford-it gjatë konventës së fundit të kontestuar të republikanëve, në vitin 1976.
“Duhet ta marrësh Manafortin,” i tha Roger Stone Trumpit gjatë një telefonate. “E njeh mirë përzgjedhjen e delegatëve. E di si funksionojnë rregullat. Ka përvojë në fushata kombëtare; të duhet dikush si ai për të koordinuar delegatët dhe konventën.”
Për Trumpin, i njohur për kursim e kontroll në shpenzime, kishte edhe një përfitim tjetër: Manafort nuk kërkonte rrogë. “Nuk jam duke kërkuar një punë me pagesë,” shpjegonte ai në memorandumin e tij. Sipas tij, një rol vullnetar do ta ndihmonte që Trump ta shihte si të barabartë, jo si vartës.
Por si një veteran i vjetër i lojës në Uashington, Manafort e kuptonte mirë se, nëse Trump fitonte zgjedhjet, lidhjet me presidentin e ri do t’i jepnin atij mundësinë të fitonte shumë më tepër para si tregtar ndikimi në K Street, sesa çfarëdo page që mund të merrte në një fushatë.
Fillimisht, Trump dyshoi për ofertën e Manafortit për të punuar pa pagesë.
“Të gjithë duan diçka,” i tha Trump Manafortit disa ditë pasi e kishte marrë në ekip. “Ndoshta në të ardhmen do të dua edhe unë diçka,” u përgjigj Manafort, “por tani për tani, dua vetëm të të ndihmoj të fitosh.”
Trump e mirëpriti zyrtarisht Manafortin në ekip në mars 2016, dhe menjëherë mbeti i impresionuar. I pëlqente përvoja e tij politike dhe paraqitja e sofistikuar; i kishte thënë ndihmësve se këshilltari i tij i ri dukej shumë më i ri sesa mosha e tij e vërtetë. (Manafort ishte gjashtëdhjetegjashtë vjeç kur iu bashkua fushatës.)
“Babi dhe Trupi jetojnë në të njëjtën ndërtesë,” i shkruante Andrea motrës së saj, Xhesika, “dhe mami thotë se lëvizin lart e poshtë gjithë ditën, duke bërë plane bashkë.”
Trump shpesh mburrej se po përfitonte shumë nga strategu i tij që punonte pa pagesë. Edhe pse grushti i delegatëve në konventë nuk ndodhi kurrë, shumë shpejt Trump i gjeti Manafortit një rol edhe më të rëndësishëm.
Në qershor 2016, kur fushata po dukej në rënie për shkak të sondazheve negative, mungesës së fondeve dhe dyshimeve në rritje për karakterin e kandidatit, Trump e shkarkoi menaxherin impulsiv të fushatës, Corey Lewandowski. Kjo lëvizje e bëri Manafortin—i promovuar një muaj më parë në pozicionin e strategut kryesor—figura më e lartë ekzekutive në fushatë.
“Besoj se ka ardhur koha për një lloj tjetër fushate,” tha Trump për ndryshimin në drejtim.
Vajzat e Manafortit ishin të lumtura për lajmin. “Nuk jam mbështetëse e Trumpit, por gjithsesi jam krenare për babin,” i shkruante Andrea motrës. “Ai është shumë i lumtur,” ia kthente Xhesika. “I thashë që kjo ndodh kur ti rregullon jetën tënde.”
Pasi lajmi për postin e ri të Manafortit u bë publik, një mik i familjes i shkroi Andrea-s duke përmendur të kaluarën e të atit: “Fatkeqësisht [Charlie] Black shkoi gjetkë,” shkruante ai, “por me [Roger] Stone dhe Manafort tek Trump, na duhet vetëm fantazma e Lee Atwater dhe e gjithë skuadra e ‘trukeve të pista’ është rikthyer!!! Kjo është fantastike.”
Megjithatë, në shumë aspekte, Trump po conte përpara një agjendë që ishte krejt e kundërta e asaj që Manafort dhe “ekipi i trukeve të pista” kishin ndihmuar të kodifikonin në Uashington.
Si pjesë e fushatës presidenciale të Ronald Reagan në vitin 1980, Paul Manafort kishte punuar për të përhapur ideologjinë e tregut të lirë që përkrahte establishmenti korporativ amerikan. Gjatë viteve të tij në K Street, ai dhe partnerët e tij ndihmuan në përkuljen e politikave federale në favor të bosëve të Wall Street-it dhe konglomerateve shumëkombëshe.
Tani, Trump po ngjitej me vrull drejt kreut të garës republikane duke sulmuar politikat tregtare dhe të imigracionit që i shkonin përshtat korporatave, si dhe duke denoncuar kompani specifike që transferonin vende pune jashtë vendit.
Në korrik 2015, për shembull, pasi mësoi se kompania e makinave Ford Motor Co. planifikonte të zhvendoste një pjesë të prodhimit jashtë SHBA-së, një Trump i revoltuar doli në Twitter dhe premtoi se, si president, do ta ndalonte një gjë të tillë. Një muaj më vonë, ai deklaroi se do të bojkotonte biskotat Oreo, pasi kompania Mondeléz International Inc. njoftoi se një pjesë e prodhimit do të transferohej në Meksikë. Pas fitores në zgjedhjet paraprake në New Hampshire, Trump sulmoi publikisht edhe kompaninë Carrier Global Corp., prodhuese e kondicionerëve, për të njëjtin veprim.
“Është turp që politikanët tanë i lejojnë të bëjnë çfarë të duan,” tha ai disa muaj më vonë, gjatë një fjalimi në Economic Club of New York. “Vërtet është.”
Apeli i Trumpit u përqafua fort nga votuesit e zonave rurale dhe klasa punëtore, të cilët kishin mbetur pas në katër dekadat e fundit të politikëbërjes federale, gjatë të cilave Uashingtoni e kishte shtyrë me ngut globalizimin e ekonomisë, pa u ndalur të mendonte për miliona punëtorë që nuk kishin as aftësitë dhe as përvojën për të mbijetuar në ekonominë e re.
Të pambrojtur nga sindikatat e fuqishme dhe rregullatorët federalë autoritarë—mbrojtje që ishin dobësuar gradualisht nga lobistë të korporatave të mëdha si Tommy Boggs, Black Manafort, Tony Podesta e të tjerë—këta punëtorë mbetën të ekspozuar përballë shkatërrimit që mund të sillte tregu i lirë.
Ndryshe nga aleatët e dikurshëm në zyrat e drejtuesve dhe bordet ekzekutive, shumë amerikanë të klasës punëtore filluan ta shihnin kapitalizmin korporativ jo më si një rrugë drejt begatisë, por si një instrument që solli shkatërrim industrial, paga të ngrira, mungesë ngjitjeje shoqërore dhe dëshpërim të strukturuar.
Rreth tridhjetë e pesë vjet më parë, shumë prej këtyre punëtorëve ishin rreshtuar pas revoltës së Ronald Reagan kundër burokracisë federale. Tani, ata do të ishin forca që do të shtynte përpara kryqëzatën e Donald Trump kundër elitës korporative.
Ndërkohë që nacionalizmi ekonomik i Trumpit ishte anatema për konservatorët e tregut të lirë që Manafort kishte ndihmuar për t’i sjellë në pushtet gjatë karrierës së tij, Manafort nuk ishte njeri që lejonte parimet ideologjike të pengonin ambiciet e tij.
Dhe sipas zëvendësit të tij afatgjatë, Rick Gates, qëllimi kryesor i Manafortit ishte ta ndihmonte Trumpin të zgjidhej, në mënyrë që të përdorte ndikimin e tij në Shtëpinë e Bardhë për të dalë nga gropa e thellë financiare.
“Ai menjëherë nisi të mendojë se si mund ta shndërrojë këtë në para,” thotë Gates, i cili u bë krah i djathtë i Manafortit gjatë fushatës së Trumpit.
Plani ishte i qartë: të ndihmonte Trumpin të fitonte dhe më pas të rikthehej në biznesin e shitjes së ndikimit, duke përfaqësuar klientë të huaj që paguanin mirë për aksesin tek administrata që ai vetë kishte ndihmuar të vinte në pushtet.
Ndërkohë që pjesëtarët e tjerë të fushatës shpresonin për zyra në West Wing në rast fitoreje, sytë e Manafortit ishin vetëm te biznesi i lobimit.
Në një moment gjatë fushatës, sipas Gates, Trump iu drejtua Manafortit me një pyetje: “Hej, nëse vërtet e fitojmë këtë gjë, çfarë posti në kabinet do të duash? Mund të të jap çfarë të duash.”
Manafort u përgjigj se nuk kishte asnjë interes të bëhej pjesë e administratës.
Ishte i njëjti llogaritje që kishte bërë që në vitin 1980, kur bashkë me tre shokët e tij kishin kthyer lidhjet me revolucionin e Reaganit në një ndërmarrje tipike të epokës për shitjen e ndikimit. Por kësaj here, në ngritjen e papritur të Trumpit, Manafort pa një mundësi për të kthyer lidhjet me MAGA-n në një perandori lobimi që do ta bënte firmën Black Manafort të dukej si organizatë bamirësie.
“Ai e dinte më mirë se kushdo sa shumë para mund të fitoheshin në tregun ndërkombëtar,” thotë Gates.
Në fakt, sapo iu bashkua fushatës së Trumpit, Manafort nisi të kërkonte mënyra për të shfrytëzuar ndikimin e ri politik për të shlyer borxhet e vjetra. Ai i dërgonte artikuj lajmesh për rolin e tij në fushatë një ish-bashkëpunëtori në Ukrainë, Konstantin Kilimnik.
“Si mund ta përdorim këtë për të dalë të larë?”
“E ka parë operacioni i OVD?” pyeste Manafort, duke iu referuar Oleg Vladimiroviç Deripaskës, avokatët e të cilit po e ndiqnin për investimin prej 19 milionë dollarësh që kishte humbur. Kilimnik ishte optimist, duke sugjeruar në një përgjigje se ekipet e Manafortit dhe Deripaskës “do t’i riktheheshin marrëdhënies së dikurshme.”
Edhe pse pagesat e mëdha do të bëheshin realitet vetëm nëse Trump fitonte zgjedhjet, Manafort ishte i bindur se mund ta sillte këtë rezultat. Ai shihte tek Trumpi të njëjtin potencial që kishte parë më parë tek klienti i tij ukrainas, Viktor Janukoviç. Sipas Gates, Manafort e konsideronte Trumpin si “një fletë të bardhë” të cilën mund ta formësonte në një kandidat më të përmbajtur dhe më të disiplinuar, me aftësi për të tërhequr një spektër më të gjerë votuesish—pikërisht siç kishte bërë me Janukoviçin gjashtë vjet më parë.
“Për Paulin, Trumpi ishte kandidati ideal,” thotë Gates. “Ai tha: ‘Nëse e lidh këtë njeri me një mesazh të fortë—një mesazh të saktë—fiton me lehtësi.’”
Por në plan kishte një problem thelbësor. Manafort e kuptoi shpejt se Trumpi nuk ishte aspak aq i trajtueshëm sa kishte qenë klienti i tij ukrainas. Ish-ylli i reality-show-t inatosej kur Manafort fliste në emër të tij në daljet mediatike.
“Personi i vetëm që flet për Donald Trumpin është vetë Donald Trumpi,” i tha ky i fundit Gates-it.
Kur një regjistrim audio i rrjedhur në publik e tregoi Manafortin duke i thënë një grupi zyrtarësh të RNC-së se Trumpi thjesht po luante një “rol” në fushatë dhe se ndodhej në procesin e “shndërrimit” në një kandidat më konvencional, Trump shpërtheu.
“Ajo ishte hera e parë që ai e trajtoi Paulin si vartës, jo si të barabartë,” kujton Gates.
Megjithë tensionin në rritje, marrëdhënia mes Trumpit dhe Manafortit nuk u prish plotësisht deri në gusht 2016, kur puna e mëparshme e Manafortit në Ukrainë u bë subjekt i një sërë artikujsh të rinj, të sikletshëm dhe denigrues.
The New York Times dha goditjen e parë serioze, duke zbuluar ekzistencën e disa regjistrimeve të shkruara me dorë në Kiev, që tregonin se pothuajse 13 milionë dollarë pagesa “në dorë”, jashtë bilancit zyrtar, nga Partia e Rajoneve pro-Putin, ishin destinuar për Manafortin.
Zbulimet ishin veçanërisht të dëmshme për Trumpin, i cili vazhdimisht theksonte se nuk ishte i varur nga interesa të jashtëm.
Manafort lëshoi një deklaratë publike duke mohuar akuzat më të bujshme, por në përgjithësi ndoqi urtësinë e vjetër të Uashingtonit: stafit të fushatës nuk u takon të tërheqin vëmendjen e medias nga kandidati drejt vetes.
Kjo qasje e zbutur nuk i pëlqeu aspak kandidatit.
Si veteran i betejave të ashpra të pasurive të paluajtshme në Nju Jork dhe i përplasjeve të ashpra në tabloide, Trump priste që strategu i tij kryesor të sulmonte me forcë dhe të rrëzonte akuzat.
Mosgatishmëria e Manafortit për të hyrë në përplasje publike përballë shtypit negativ, në sytë e Trumpit, tregonte dobësi.
“Mund të jesh fajtor ose i pafajshëm, por duhet të luftosh,” kujton Gates që ka thënë Trumpi. “Pse nuk po lufton Paul për këtë?”
Disa ditë më vonë, Manafort u godit nga një tjetër zbulim edhe më i rëndë: kësaj here për një sipërmarrje të përbashkët të vitit 2012 me Tony Podesta dhe Vin Weber.
Titulli i Associated Press ishte i qartë: “Burime nga AP: Manafort i lidhur me lobim të padeklaruar për interesa të huaja.”
Artikulli zbulonte se, përmes përdorimit të European Centre for a Modern Ukraine si një strukturë ndërmjetëse, Manafort kishte “ndihmuar një parti pro-ruse në pushtet në Ukrainë të kanalizonte fshehurazi të paktën 2.2 milionë dollarë pagesa për grupin lobues Podesta Group dhe kompaninë Mercury Public Affairs—në një mënyrë që në thelb maskonte përpjekjet e kësaj partie të huaj për të ndikuar në politikën amerikane.”
Një lobim i tillë i fshehtë për interesa të huaja, sipas artikullit, mund të përbënte shkelje të ligjit Foreign Agents Registration Act (FARA)—pikërisht siç kishin paralajmëruar edhe disa punonjës të Podesta Group.
Në fakt, ishin disa nga vetë punonjësit e firmës që ndihmuan në nxjerrjen në dritë të të vërtetës. Kur një gazetar i Associated Press kontaktoi lobistët që kishin refuzuar të punonin në çështjen ukrainase, gjeti burime të gatshme për ta konfirmuar historinë.
Prej aty, rënia e Manafortit erdhi me shpejtësi. Anëtarët e familjes Trump hoqën dorë nga mbështetja për të, dhe kundërshtarët e brendshëm nisën të shtynin për shkarkimin e tij. Trump e zëvendësoi duke emëruar një menaxhere të re fushate, Kellyanne Conway, dhe një shef ekzekutiv, Steve Bannon.
Pesë ditë pas nisjes së zhurmës mediatike, Manafort dorëzoi detyrën.
“Paul Manafort më ofroi sot në mëngjes dorëheqjen nga fushata, dhe unë e pranova atë,” deklaroi Trump më 19 gusht. “Jam shumë mirënjohës për punën e shkëlqyer që ka bërë për të na sjellë deri këtu, dhe në veçanti për rolin e tij në përballimin e procesit të delegatëve dhe konventës. Paul është një profesionist i vërtetë dhe i uroj çdo sukses.”
Për Manafortin, kjo ishte goditja përfundimtare. I përjashtuar dhe i zhytur në skandal, ai nuk do të mund të ndërtonte më kurrë perandorinë e lobimit që kishte ëndërruar—atë që do ta bënte firmën Black Manafort të dukej si një organizatë bamirësie.
Pasuria e tij e ardhshme në K Street u zhduk pa u materializuar asnjëherë.
Vetëm disa muaj pas ngritjes së tij në majë të fushatës, Manafort u kthye në pikën ku kishte qenë gjatë rehabilitimit: i zhytur në pasiguri financiare dhe i poshtëruar profesionalisht.
Ndërsa klienti i tij i dikurshëm do të shënonte një fitore tronditëse në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, jeta e Paul Manafortit sapo do të futej në një kapitull edhe më të errët./ TEMA
Komente
