Gabimet e shumta të arbitrave këtë sezon në Superligë dhe reagimet e ashpra të aktorëve të lojës kanë vënë në lëvizje drejtuesit e federatës. Këta të fundit në bashkëpunim me IFAB dhe FIFA kanë zhvilluar seminarë me synimin implementimin e VAR-it në Superligë. Presdienti Duka thotë se kjo do të ndodhë shumë shpejt.
“Objektivi ynë është që ta fillojmë në sezonin 2021-2022. Unë mendoj se duhet ta fillojmë me një kategori, dhe besoj se do të fillojmë me Kategorinë Superiore. Brenda një kampionati të jemi me dy standarte do të jetë e vështirë, nëse e implementojnë në disa ndeshje, kështu që unë mendoj se duhet të arrijmë ta fillojmë në të gjithë kampionatin e Kategorisë Superiore në edicionin 2021-2022”.
Më tej presidenti i federatës thotë se arbitrat duhet të jenë të kujdesshëm edhe pas implementimit të VAR.
“Unë nuk mendoj se VAR-i do të drejtojë lojën, do të jenë përsëri arbitrat, dhe kjo është shumë e rëndësishme që arbitri ta kuptoj që arbitri mbetet ai që vendos. Teknologjia dhe sistemi VAR janë për ta ndihmuar arbitrin në vendimarrjen e tij, por jo për të vendosur në fushë. Në fushën e lojës vendos vetëm arbitri. Ne duhet të jemi shumë të kujdeshëm, e kam fjalën për pjesën tonë, në mënyrë që pas implementimit të sistemit të mos bëjmë gabime trashanike që edhe ndodhin kur ti nuk e përdor mirë atë informacion që të jep teknologjia.”
Gafat e arbitrave këtë sezon në Superligë kanë irrituar së shumti drejtuesit e klubeve, të cilat kanë bërë edhe deklarat të bujshme aq sa të shkojnë në vetëgjygjësi.