Me të ardhurat që janë më të ulëtat në Europë, në raport me atë që prodhon ekonomia në një vit, dhe çmimet që për pjesën më të madhe të produkteve janë sa në shtetet më të pasura, familjet shqiptare çojnë një pjesë të madhe të shpenzimeve të tyre për t’u ushqyer, në një tregues të varfërisë ekstreme.
Të dhënat e fundit të Eurostat bëjnë të ditur se shpenzimet nominale për ushqim, si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Buto (PBB-vlera e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare që prodhon ekonomia në një vit) ishte 31.2% e PBB-së në vitin 2022, nga 6.6% që është mesatarja e Bashkimit Europian.
Shifra është shumë më e lartë se shteti i dytë pas nesh, Mali i Zi (22.5%), ndërsa dhe Kosova e ka këtë tregues në 18.1% (në vitin 2020, që është shifra më e fundit e raportuar).
Për bukën dhe drithërat, familjet shqiptare kanë shpenzimeve rekord në 4.3% të PBB-së, nga 1.2% që është mesatarja europiane. Edhe për mishin shkojnë 6% e të ardhurave që ekonomia qarkullon në një vit, ndërsa për familjet europiane mjafton vetëm 1.5%.
E njëjta tendencë është dhe për qumështin, djathin e vezët, e 5.1% të PBB-së në Shqipëri, nga 1% në Europë.
Rekordi mbahet për frutat e perimet, me 11.9% të PBB-së, nga 1.5% që është mesatarja e Bashkimit Europian.
Sipas Eurostat, shpenzimet nominale për frymë për ushqime në 2022 ishin 2 mijë euro, nga 1,697 euro në 2021, duke mos pasur ndonjë diferencë të lartë me mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 2,300 eurosh.
Në Maqedoninë e Veriut, shpenzimi për frymë për ushqime është 1,337 euro, në Serbi 1,230 euro, në Bosnjë 1,333, duke na e kaluar vetëm Mali i Zi, me 2115 euro
Edhe për vitin 2022, Shqipëria mbeti vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë në raport me prodhimin e brendshëm buto si dhe për konsumin individual për frymë, që është një tregues i mirëqenies materiale.
Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Ndonëse në rritje me dy pikë përqindje në raport me vitin e kaluar, sërish Shqipëria është e fundit në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen).
Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, me diferencë të ndjeshme nga rajoni.
Ky tregues është për Shqipërinë sa 40% e mesatares europiane. Në Bosnjë-Hercegovinë, raporti është 42%. Rekordin e mban Mali i Zi me 64%, Serbia me 53%, Maqedonia e Veriut me 51%./Monitor