Ishte një lloj amaneti i piktorit të ndjerë Sali Shijaku, që pas vdekjes, i biri të çelte një ekspozitë.
“Ishte dëshirë e babait tim që sot nuk ndodhet pranë nesh, por me shpirtin besoj që ishte dëshirë e tij që kjo ekspozitë të bëhej. U përzgjodhën veprat nga ana e tij”., - shprehet piktori Orges Shijaku
Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, në morinë e krijimeve të Orges Shijakut, është edhe kjo vepër e të atit.
“Vargje në telajo”, paraqet përmes tabllove larmi tematikash e frymëzimesh: nga portretet, peizazhet, nudot e stilizuara, apo mistere dhe enigma moderniste, duke “rrëfyer” pasionin e fshehtë të Orgesit për poezinë.
“Çdo telajo që shikoni është e konsultuar me Dritëro Agollin, Ksenofon Dilon, me piktorët dhe skulptorët, si Mumtas Dhrami etj. Është dhe një përzgjedhje e tyre në njëfarë mënyre, gjatë këtij lumi dhe kësaj varke. I kam dëgjuar dhe jam konsultuar me të mëdhenjtë e artit tonë shqiptar, duke u bazuar dhe në traditën tonë kombëtare, që nis nga Onufri deri në artin tonë kontemporan, modern.”, - thotë artisti.
Jo më kot, në këtë ekspozitë, mes krijimeve është vendosur edhe një eksponat me libra, kryesisht vepra me ilustrime rreth punëve të Sali Shijakut, por edhe të pikturës botërore.
Shijaku vëren se për ekspozitën është konsultuar ndër vite me skulptorë e piktorë, ndërsa baza e formimit të tij është arti realist, ku ai vetë e ndien veten më të fortë, porse, padyshim edhe te ky art mund të abstragohet për ta sjellë në këto përmasa.
“Besoj që kjo ekspozitë është si një muzikë dhome, për arsye se në vijim do të kemi edhe ekspozita të tjera, ku pikturat janë në dimensione akoma më të mëdha.”, - shpjegon Shijaku.
Orges Shijaku premton që së shpejti ekspozita, e cila do të qëndrojë e çcelur për një muaj, do të vijë e pasuruar edhe me disa qeramika (dashuria e vërtetë e Orgesit), të cilat mbeten trashëgimi brezash e piktorëve të familjes Shijaku.
Komente
