Mjeku shqiptar në Itali, Albert Troci tha se vaksina aktuale për koronavirusin është funksionale edhe për mutacionin e ri që është shfaqur në ditët e fundit në Britani. Në një intervistë për Report Tv ai thotë se edhe nëse ajo nuk do të kishte të njëjtin ndikim mbi këtë mutacion, brenda 6 javëve do të bëhej e mundur prodhimi i një vaksine të re.
“Ndodhi diçka e çuditshme, në Londër pati një rritje të rasteve nga 100 për 100 mijë banorë në 400 për 100 mijë banorë brenda 2 javësh. Filloi dhe sekuencimi i gjeneve. Ata ishin të parët që panë këtë variant të ri të virusit. Mund të jetë dhe ky shkaku që quhet virusi anglez. Është izoluar dhe në vendet e tjera të botës. Kjo formë mutante mund të jetë përhapur në Europë dhe në botë. Kanë qenë disa variante që na kanë vendosur në alert, varianti spanjoll gjatë verës, varianti i Afrikës së Jugut. Kanë karakteristika të njëjta sepse ka pasur një mutacion. Vetëm këto dihen. Nga këto të dhëna që janë parë nga ky mutacion e rrit atë që quhet numri R i riprodhimit me 0.4. Nuk kemi akoma shumë të dhëna për të thënë se kemi një rritje të tmerrshme ndaj duhet të qëndrojmë të qetë. Vaksina është aktive dhe ndaj këtij mutacioni. Edhe në rastin më fatkeq, edhe sikur vaksina të ketë një impakt më të ulët, tani që dimë se si prodhohet vaksina, pas 6 javësh mund të riprodhohet një vaksinë për këtë virus të ri” – tha Troci.
Duke folur për masat anti COVID të vendosura në Itali, Troci deklaroi se gjatë Krishtlindjeve vendi fqinj do të izolohet ndërsa edhe gjatë vitit të ri sërish do të bllokohet e do të kthehet në një zonë të kuqe.
Ai thotë se aktualisht numri i të infektuarve është i lartë por është nën kontroll.
“Në kuadër të festave të fundvitit do të kemi një mbyllje gjatë kohës së Krishtlindjeve. Do kthehet e gjithë Italia në këto 3-4 ditë në një zonë të kuqe. Pastaj do rikthehet një lehtësim e më pas sërish një zonë e kuqe për festat e fundvitit për të evituar grumbullimet. Do lëvizim vetëm për arsye thelbësore. Janë marrë masa, kemi lajme pozitive. Më datë 27 do jetë vax day ku do të marrin vaksinën disa mjekë ndërsa nga janari do të fillojë fushata e vërtetë e vaksinimit.
Ne kemi patur një ulje të rasteve. Numrat janë të larta por janë të qëndrueshme. Janë marrë shumë masa por gjatë fundjavave kemi patur një dyndje të personave për të blerë dhuratat e krishtlindjeve. Kjo ka detyruar qeverinë të marrë masat e rrepta. Vaksinimi do jetë një punë shumë e gjatë. Që të jemi të mbrojtur dhe të kthehemi në jetët tona të mëparshme, do të duhet që të kemi 70-80% të popullsisë të vaksinuar. Është shumë e gjatë rruga. E rëndësishme është që të fillojë vaksinimi” – tha Troci.