Varianti i ri i koronavirusit ka mbërritur dhe në SHBA ku u regjistrua i infektuari i parë në shtetin e Kolorados.
I prekuri është një djalë 20-vjeçar i cili tashmë është i vetëizoluar në juglindje të Denverit dhe nuk ka udhëtuar në asnjë vend gjatë ditëve të fundit.
Sipas mediave të huaja shkencëtarët në Britani besojnë se varianti i ri i virusit është më ngjitës sesa llojet e identifikuara më parë të SARS-CoV-2.
Vaksinat që jepen tani mendohet të jenë efektive kundër variantit të ri të Covid-19, thanë zyrtarët shëndetësorë të Kolorados në një njoftim për shtyp.
Zyrtarët e shëndetit publik po hetojnë raste të tjera të mundshme dhe po merren me gjurmimin e kontakteve për të përcaktuar nivelin e përhapjes së variantit të virusit në të gjithë shtetin.
"Ka shumë gjëra që nuk i dimë për këtë variant të ri të COVID-19, por shkencëtarët në Britani po paralajmërojnë botën se ai është shumë më ngjitës se llojet e tjera. Shëndeti dhe siguria e banorëve të Kolorados është përparësia jonë kryesore, dhe ne do të monitorojmë nga afër këtë rast, si dhe të gjitha të dhënat e tjera rreth COVID-19", tha guvernatori Polis.