Historia e krijimit dhe e ndërtimit të një prej varrezave më të bukura monumentale në Shqipëri: Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
Cilat ishin shijet estetike të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut për këtë çështje, si u bë konkursi, kush u zgjodh dhe si u krijua Monumenti Nënë Shqipëri?
Eljan Tanini bisedoi me dy personalitete të njohur që kanë qenë pjesë e krijimit të tyre, njëri në art dhe tjetri në arkitekturë dhe inxhinieri. Ata janë: Artisti dhe skulptori Mumtaz Dhrami, bashkëautor i Monumentit Nënë Shqipëri.
Arkitekti dhe Inxhinieri Robert Kote, bashkëkrijues i projektit arkitektonik.
Për më shhumë ndiq Amarcord, çdo të diel, ora 21:00 në Report Tv.
Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë janë një vend shumë i rëndësishëm historik dhe simbolik për Shqipërinë. Ato ndodhen në kodrën e Kopilit, afër qendrës së Tiranës, dhe janë një memorial për nderimin e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, si dhe për ata që luftuan gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe për ushtarët dhe komandantët që ranë në luftë kundër pushtuesve të huaj. Ja çfarë tregon për Amarcord në Report Tv artisti dhe skulptori Mumtaz Dhrami:
- Monumenti "Nënë Shqipëri" në Tiranë është një nga veprat më të njohura të artit monumental shqiptar, përfaqëson simbolikën e dashurisë dhe sakrificës për atdhenë. Ky monument është krijuar nga tre skulptorë të njohur: Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami, dhe Shaban Hadëri. U përurua në vitin 1971 dhe ndodhet në sheshin pranë Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Tiranë. Monumenti është 12 metra i lartë, tregon figurën femërore që përfaqëson Shqipërinë si një nënë që mbron dhe kujdeset për bijtë e saj, duke simbolizuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për atdhenë. Në dorën e djathtë, figura e nënës mban kurorën me dafina dhe yllin e ngritur lart, duke theksuar lavdinë dhe nderimin për ata që kanë sakrifikuar. Piedestali prej 3 metrash të lartë është i gdhendur me fjalët "Lavdi e Përjetshme Dëshmorëve të Atdheut". Ky monument prej betoni është një nga simbolikat më të fuqishme të realizmit socialist në Shqipëri dhe një kujtim i rëndësishëm i sakrificës dhe unitetit kombëtar.
Arkitekti Robert Kote ka dhënë kontribut të rëndësishëm në projektimin e Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, një nga komplekset me vlerë memoriale të Shqipërisë. Kote shprehet:
- Për ndërtimin e Varrezave të Dëshmorëve, u shpall një konkurs kombëtar që përfshinte institute projektimi, zyra të projektimit në rrethe, katedrën e arkitekturës të Universitetit të Tiranës dhe individë të tjerë. Arkitektët bashkëpunuan ngushtë me skulptorët Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe Mumtaz Dhrami. Të gjitha punimet grafike, maketet dhe bocetet u ekspozuan në hollin kryesor të Pallatit të Kulturës në Tiranë, ku qytetarët mund të shpreheshin me shkrim për vlerësimet dhe sugjerimet e tyre. Më pas, variantet përfundimtare u miratuan nga Byroja Politike e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Kote ka përmendur disa sfida gjatë ndërtimit të kompleksit. Një prej tyre ishte mungesa e rrethimit të Varrezave të Dëshmorëve, që çoi në kullosjen e bagëtive në kompleks.
Ai tha:
- Pas ankesave nga veteranët, ai u thirr në një takim me kryeministrin Mehmet Shehu dhe figura të tjera të larta të regjimit, si Rahman Hanku, Myqerem Fuga dhe Sokrat Mosko. Idenë për ndërtimin e Varrezave të Dëshmorëve e hodhi vetë Enver Hoxha, dhe ndërtimi i tyre përfshiu një proces të gjatë e të ndërlikuar. Vetë Enveri zgjodhi diçka robuste, ndërsa Mehmet Shehu u shpreh se atje nuk donte një balerinë.
Ky kompleks është sot një nga vendet më të rëndësishme të kujtesës kombëtare dhe historike në Shqipëri. Ato varreza përfaqësojnë një simbol të sakrificës, atdhedashurisë dhe respektit të kombit ndaj dëshmorëve. Ky vend shërben si hapësirë për reflektim, përkujtim dhe nderim kombëtar, duke ruajtur gjallë kujtesën historike të popullit shqiptar.
Komente
