Vepra vëllimore (mbi 700 faqe), e shkruar nga akademik Vasil S. Tole, “Çesk Zadeja në muzikën shqiptare ( jeta dhe vepra)”, ka dalë në dritën e botimit nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Autori, akademik Vasil Tole, studiues i njohur i muzikologjisë e vlerëson “Zadenë si një fenomen muzikor shqiptar”
“Ky libër i kushtohet Çesk Zadejës, kompozitorit dhe personalitetit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare, pa rolin, veprimtarinë dhe krijimtarinë e të cilit nuk mund të kuptohet muzika profesioniste shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, e më pas.”-shkruan akademik Vasil Tole.
Një vlerësim të veçantë i ka bërë botimit të akademik Vasil Toles studiuesi Robert Prennushi.
“Nuk ndodh shpesh me pasë në dorë nji vepër të tillë. Figura e Çesk Zadejës, edhe pse e njihnim edhe personalisht si vëllai i shokut e mikut tonë, Tonin Zadeja, kishte nji vel misteri që të impononte respekt edhe pse nuk krijonte distancë; përkundrazi ishte edhe i përzemërt.”, shkruan Prennushi.
“Kujtoja se dija shumë për Zadejën mbasi kisha ndjekë, të paktën që nga viti 1952, të gjitha zhvillimet muzikore, e jo vetëm, në vendin tonë...
Por u binda – e do të binden edhe lexuesit - se profesor Tole, tue qenë kompozitor, muzikolog; tue qenë sidomos shumë kërkues e gjithnji dashamirës, ka dijtë të na japë me detaje Çesk Zadejën, jo vetëm si kompozitor, por edhe si njeri; në marrëdhaniet zyrtare e private, madje dhe në jetën e vet personale jo të sheshtë. Lokalizimi historik i personazhit asht i plotë, ku koha, ambienti, ngjarjet janë të gërshetueme, ndonjiherë edhe si në nji vepër letrare, gja që shton dhe interesin për lexim.”, shkruan Robert Prennushi.
Robert Prenusshi vlerëson punën e autorit Tole për studimin e mirë të shtratit historik e muzikor të Shkodrës, ku mund të kuptohet edhe fenomeni Zadeja; mund të shpjegohet si lindi nji talent i tillë, dhe të tjerë si Jakova, Daija, Harapi, etj, duke u thelluar në kërkime dhe hipoteza të qëndrueshme.
***
Studimet në muzikën shqiptare i janë kushtuar kryesisht eksplorimit të muzikës shqiptare në qasjen historike, të etapave të saj, deri diku të analizave të ngushta të veprave muzikore të kompozitorëve, e fare pak përmes shqyrtimit dhe konsiderimit të rolit vendimtar që ka në krijimtarinë muzikore të një vendi, modeli krijues i një kompozitori të caktuar ose i një grupi syresh.
Studiuesi Vasil Tole në veprën e tij studimore “Çesk Zadeja në muzikën shqiptare ( jeta dhe vepra)” e zgjeron fokusin e studimit. Ai shkruan në parathënien e këtij botimi se “muzika shqiptare erdhi deri në zhvillimet profesioniste të saj të periudhës pas Luftës II Botërore në mënyrë jolineare, me rrënjë që zënë fill në fund të shekullit XIX, menjëherë pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kohë kur Palok Kurti shkroi të parën pjesë të kultivuar të muzikës sonë, autorët pas tij, si: Martin Gjoka, Thoma Nasi, Lec Kurti, Fan S. Noli, Kristo Kono e ndonjë tjetër u përpoqën të mbillnin sadopak muzikë në terrenin deri diku djerrë të saj.
Rëndësia e rolit të kompozitorit në kulturën tonë muzikore është marrë në konsideratë, deri diku, kur janë theksuar rëndësia e veprave të para të mëdha të muzikës sonë profesioniste, si: “Simfonia” e Zadejës (1956), opera “Mrika” e Jakovës (1958) dhe baleti “Halili dhe Hajria” i Daisë (1963) etj., ku krahas veprës është folur edhe për krijuesin e saj, dhe vetëm kaq. “
Kështu me studimin e tij, akademik Vasil Tole është përpjekur të sjell në historinë e zhvillimit të muzikës shqiptare atë që ka munguar në një rrafsh më të thelluar se ai i studimeve kronologjike, ku sipas tij “veprat dhe krijuesit i zënë vendin njëri-tjetrit dhe gradualisht zërat e përveçëm, ata që kanë bërë realisht dhe cilësisht ndryshimin, fillojnë e shuhen brenda sasisë së konsiderueshme të veprave muzikore që u shkruan në Shqipëri për gati 50 vite. “
Për muzikologun që kërkon vazhdimisht thesaret e trashëgimisë muzikore nuk është, dhe nuk duhet të jetë, vetëm kështu.
“Muzika, ashtu si edhe artet e tjera, nuk mund të bëjë dot pa hierarkinë e autorëve. Edhe në muzikën botërore, nga dhjetëra e qindra emra kompozitorësh, janë disa që i japin frymën epokës së tyre përmes veprave dhe gjenisë që mbartin. Të tillë ishin Bahu, Mozarti, Hajdeni, Bethoveni, Brahmsi, Wagneri, Çajkovski, Shopeni, Raveli, Skriabini, Stravinski, Bartoku, Prokofievi, Shostakoviçi, etj.
Një i tillë për muzikën tonë ishte Zadeja. Ai nuk ishte thjesht një ndër kompozitorët më të mirë shqiptarë të shek. XX, por figura qendrore e muzikës së kultivuar shqiptare për atë shekull, e jo vetëm. Duhet theksuar se kështu nuk minimizohen apo zhvendosen emrat e tjerë të rëndësishëm të muzikës sonë, përkundrazi.
Ashtu si vargmalet që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, ashtu edhe Zadeja qëndron bashkë me ta si maja më e lartë e vargmalit tonë muzikor, i krahasueshëm me të tjera male të larta në peizazhin e kulturës europiane e botërore. Zadeja është unik edhe sa i përket trashëgimisë që la pas.”-shkruan akademik Vasil Tole.
Në parathënien e librit Tole argumenton se: “Thuhet se fati i një personaliteti krijues kalon në tri faza: lavdia, mohimi dhe vlerësimi! Vepra e Zadejës qëndron mes një lavdie pa kohë dhe vlerësimit të vazhdueshëm të saj, kjo, nisur prej kohës kur ai jetoi më pas, në brezat pasardhës. Rrjedhimisht, menduam që ta trajtonim figurën dhe veprën e Tij të jashtëzakonshme në këtë libër, i cili duke u fokusuar te personaliteti dhe vepra që la pas, do të na bëjë të kuptojmë më mirë edhe muzikën shqiptare, para dhe pas kohës së Tij.
Në muzikë, ashtu si në traditën kishtare, ekziston një kod nderimi e bashkimi. Çdo student njeh mësuesin e çdo mësues njeh profesorin, dhe çdo profesor njeh të parin e tij e i pari i njeh të gjithë kompozitorët, në çdo vend e pa kohë. Ky është një unitet besimi dhe adhurimi, një unitet harmonik e polifonik tërësor. Çdo njëri nga ne merr pjesë për të ndihmuar forcimin e këtij uniteti. Ky është një kod mistik. Prandaj, më vjen natyrshëm të perifrazoj fjalët e Nolit, me një ndryshim, duke zëvendësuar emrin e Konicës, me atë të Zadejës: .... të gjithë ata që vijnë pas Zadejës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve.”
Libri “Çesk Zadeja në muzikën shqiptare ( jeta dhe vepra)”, ka një pasuri të madhe me fotografi dhe dokumente arkivore që botohen për herë të parë.