Politikë

Vasili: Mazhoranca kërkon të përdorë KLD

5 Qershor 2018, 21:51| Përditesimi: 5 Qershor 2018, 22:51

  • Share

Përmes një deklarate për medien, Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili njoftoi se Grupi Parlamentar i LSI-së zhvilloi mbledhjen e tij dhe se mori në shqyrtim disa momente kyç dhe shumë të rëndësishme të politikës aktuale, zhvillimeve të saj dhe njëherazi përcaktoi dhe qëndrimin e qartë dhe të prerë të grupit lidhur me to.

Praktikisht Grupi Parlamentar i LSI-së konstatoi se situata në Shqipëri, në mënyrë të veçantë e Reformës në Drejtësi është shumë e rënduar. Vasili u ndal tek KLD-ja dhe akuzoi maxhorancën se po kërkon të përdorë KLD-në për qëllimet e veta. 

Po ashtu Vasili tha se kjo Reformë ka hyrë në qorrsokak, është deformuar qëllimisht nga mazhoranca për ta kapur atë dhe për ta përdorur në duart e saj si kamzhik kundra qytetarëve, por edhe në mënyrë të veçantë të opozitës shqiptare. Dhe sigurisht situata bëhet akoma më delikate kur edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Tsereteli, i cili pati një mision në Shqipëri thekson:

Ne pamë një situatë të ndërlikuar me Reformën në Drejtësi, zbatimin e ligjit dhe luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar. Ne besojmë se përveçse kësaj Reforma Zgjedhore është vendimtare”. Presidenti I Asamblesë Parlamentare të OSBE-së gjithashtu nënvizon: Duhet theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk funksionon. E njëjta situatë me Gjykatën e Lartë. Me të gjitha këto, është shumë e vështirë që të mbahet demokracia.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli

Më pas Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili theksoi:

Këto janë afirmime jashtëzakonisht të rënda, të cilët vijnë nga institucione më të rëndësishme politike europiane dhe demonstrojnë qartë se në ç situatë ndodhet Reforma në Drejtësi në Shqipëri. Njëherazi Grupi Parlamentar i LSI-së shqyrtoi dhe nismën më të fundit lidhur me statusin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve dhe zgjidhjet që mazhoranca ka prurë për këtë çështje, për këtë bllokim të qëllimshëm që i ka bërë. Këto zgjidhje që mazhoranca sjell janë qartësisht riciklim i instrumenteve të vjetër të drejtësisë së vjetër me qëllimin e vetëm kapjen sërish në mënyrë përfundimtare të Drejtësisë. Propozohet në mënyrë të qartë te këto ligje që për emërimet dhe të gjitha çështjet që lidhen me këto ligje, ti bëjë Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori I Përgjithshëm. Pra ka dy synime shumë të qarta: Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili mban peshë përgjegjësie të jashtëzakonshme për zhvillimet dhe mosndëshkueshmërinë të jetë ai instrumenti i vjetër më i akuzuari dhe më i anatemuari, ai që do të ndërtojë pra, emërimet e Drejtësisë së re. Kaq i kompromentuar ka qenë ky institucion saqë vetë Ministrja e Drejtësisë të mazhorancës, Ministrja e Rilindjes pak ditë më parë tha, pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë dha vendimin e tij për të mos ndëshkuar gjyqtarët, dhe Ministrja thotë: E djeshmja ishte një ditë e zezë për këtë Këshill, që nxori në pah sfidën e madhe që kemi përpara për të përmbysur sistemin e kalbur të drejtësisë.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë si organ kolegjial ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve, dhe është kthyer në një strukturë mbrojtëse të interesave personale të gjyqtarëve në dëm të interesit publik. Kështu që këto afirmime, deklarime pa ekuivok, edhe të vetë mazhorancës tregojnë gjendjen shumë të errët në të cilën është futur kjo mazhorancë, e cila përveçse do të përdorë në mënyrë të turpshme Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për të cilin kishte ato përcaktime që ju dëgjuat, njëherazi do që Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku ta legjitimojë përfundimisht si një Prokurore të Përgjithshme të përjetshme.Pra nga një Prokurore e Përgjithshme, të ashtuquajtur të përkohshme të kthehet përfundimisht në një Prokurore të Përgjithshme të përjetshme, në interes të atyre që me 69 vota, pa shumicën kushtetuese të domosdoshme e zgjodhën dhe për të vazhduar përdorimin si instrument në duart e saj. E gjithë kjo bëhet që shteti ligjor të mos funksionojë. Pikërisht për këtë arsye dhe Gjykata Kushtetuese u zhbë, së bashku dhe me Gjykatën e Lartë dhe ka një bllokim të qartë dhe të qëllimshëm për të mos u ngritur sa më parë kjo Gjykatë Kushtetuese, pasi po të kishim një Gjykatë Kushtetuese do të kishim një proces kushtetues shumë të fortë, të rreptë, sigurisht të fituar, edhe kundra taksë së rrugës së kombit.

Një taksë e cila është futur në mënyrë të paligjshme, antikushtetuese duke shkelur kushtetutën për ligjin e taksave, dhe për të drejtat e njeriut. Ku liritë dhe të drejtat e njeriut janë dhunuar dhe cënuar si kurrë më parë. Njëherazi dua ti rikthehem çështjes së këtyre dy ligjeve të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar me 84 vota. Vota të cilat mazhoranca nuk i disponon dhe vota për të cilat do të kërkonte një konsensus. Konsensus të cilin me këto instrumente, me këtë njëanshmëri dhe këtë arrogancë skandaloze në dëm të frymës dhe reformës në drejtësi të miratuar në 21-22 korrik të vitit 2016, sigurisht LSI nuk do të jetë dhe nuk mudn të jetë kurrë pjesë e konsensuseve të tilla të kalbura, të cilat zhbëjnë reformat dhe godasin kushtetutën e vendit. I kemi ofruar zgjidhje mazhorancës ku ofruan një paketë ndryshimesh kushtetuese për të rivendosur në akt kushtetues edhe zgjedhjen e paligjshme të prokurorit të përgjithshëm i cili nga 84 vota të domosdoshme të cilat do impononin një konsensus dhe një zgjidhje të qëndrueshme për këtë institucion, u zgjodh në mënyrë banditeske me 69 vota dhe po në këtë mënyrë po funksionon dhe në praktikë. Kemi ofruar edhe mirëkuptim me mirëfunksionimin më të mirë të policisë së shtetit dhe kur pati një nismë për Vettingun e Policisë, u treguam dhe u demonstruam konstruktiv pasi mazhoranca dihet që në atë kohë nuk kishte marrë parasysh as rekomandimet e Komisionit Europian për policinë. Pra kemi demonstruar një vullnet dhe një konstruktivitet në të mirë të së mirës së përgjithshme. Përgjigja ka qenë gjithmonë arrogancë, refuzim total dhe mbyllje katërcipërisht e dialogut me opozitën. Është një mazhorancë e cila nuk e do dialogun, e minon dialogun, që punon kundër dialogut dhe është një mazhorancë që funksionon mbi shitjen dhe blerjen. Shitja dhe blerja nuk ka qenë dhe nuk do të jetë ndonjëherë dimensioni ynë, ne do të japim konsensus, vetëm për zgjidhje të cilat janë parimore dhe ky dialog dhe ky konsensus ndërtohet paraprakisht dhe për ne si LSI logjika e faktit të kryer, të arrogantit dhe të banditizmit politik nuk do të jenë kurrë të pranueshme, për ne dhe sigurisht nuk do ta kenë mbështetjen tonë.

Kjo mazhorancë ka vënë interesin e kapjes së shtetit në funksion të mbajtjes së pushtetit si kredon e saj kryesore. Kurse kredo jonë është instalimi në Shqipëri i një reforme në drejtësi të drejtë dhe të barabartë për të tërë. E cila dënon në mënyrë të qartë dhe të prerë ministrat e brendshëm dhe jo ti fal ata siç i fal kjo mazhorancë dhe qeveri. Një reformë e cila garanton të drejtat e qytetarëve dhe nuk i fut ata në burg arbitrarisht për të figuruar ata si të dënuarit e mëdhenj të drejtësisë, për të mbrojtur të korruptuarit e këtij pushteti. Dhe pikërisht kësaj drejtësie ne i bëjmë shërbim. Në mënyrë përfundimtare mund tu them në emër të grupit parlamentar të LSI-së , që mazhoranca në pushtet, e prirur dhe e udhëhequr nga inspiruesi kryesor i inkriminimit dhe kriminalizimit të pushtetit që është kryeministri i vendit , ma marrë përsipër dhe po ecën në çdo ditë dhe çdo hap drejt shkatërrimit përfundimtar të reformës në drejtësi. Çdo lloj alibie e çdo lloj forme dhe çdo lloj keqpërdorim edhe i misioneve asistuese juridike të Shqipërisë, Europiane në mënyrë të veçantë, nuk mund të justifikojë dhe nuk mund të jetë një alibi për këtë shkelje flagrante kushtetuese. As nuk mund të jetë një shpëtim mbajtja pa ngritur e gjykatës kushtetuese. Dita kur të gjitha institucionet do të ngrihen dhe do të funksionojnë me integritet dhe kjo reformë do të bëhet ashtu siç u miratua në 21-22 korrik është shumë e afërt. Ndërsa ditët kur banditizmi I cili shan e pështyn KLD dhe pastaj i jep asaj atributet e reformës së re, i cili emëron kryeprokuroren e përgjithshme duke u betuar publikisht në Kuvendin e Shqipërisë që do të ishte në një funksion të përkohshëm dy mujor dhe po synon ta kthejë në prokurore të përgjithshme të përjetshme, pikërisht kësaj drejtësie ne do kundërvihemi me të gjithë forcën tonë politike dhe forcën e mijëra qytetarëve që na mbështesin.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili

/b.ha./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?