Bota

Vatikan/ Papa nga lozha e 'Shën Pjetrit': Sa shumë përçmim ndaj migrantëve! Më herët u takua me zëvendëpresidentin Vance

20 Prill, 12:11| Përditesimi: 20 Prill, 16:22

  • Share

VATIKAN - Papa Françesku u shfaq pak pas mesditës nga ballkoni i madh i Shën Pjetrit për bekimin “urbi et orbi”, qytetit dhe botës, në përfundim të meshës së Pashkës.

“Të dashur vëllezër e motra, gëzuar Pashkën”, tha Bergoglio, i ulur në karrigen me rrota dhe me një zë të dobët, duke ia lënë leximin e mesazhit mjeshtrit të ceremonive, kryeipeshkvit Diego Ravelli. Në fund të kremtimit, Ati i Shenjtë argjentinas bëri një xhiro me papamobile mes besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit.

Takimi me Vance

Jorge Mario Bergoglio, këtë mëngjes në orën 11:30, priti në rezidencën e tij në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, nënkryetarin e Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, për një “takim të shkurtër privat”, konfirmoi zyra e shtypit e Vatikanit: “Takimi, që zgjati disa minuta, u zhvillua në një atmosferë përshëndetjesh dhe urimesh për ditën e Pashkës”.

Në mbrojtje të emigrantëve

Pashka, thekson Papa Françesku në mesazhin “urbi et orbi”, “është festa e jetës! Zoti na ka krijuar për jetën dhe dëshiron që njerëzimi të ringjallet! Në sytë e Tij çdo jetë është e çmuar! Qoftë ajo e një fëmije në barkun e nënës, apo ajo e një të moshuari apo të sëmuri, që në një numër gjithnjë e më të madh vendesh shihen si njerëz të padobishëm. Sa shumë vullnet për vdekje shohim çdo ditë në konfliktet e shumta që përfshijnë pjesë të ndryshme të botës! Sa shumë dhunë shohim shpesh edhe në familje, ndaj grave apo fëmijëve! Sa përçmim ka ndonjëherë ndaj më të dobëtëve, të përjashtuarve, emigrantëve!”

Lindja e Mesme dhe Ukraina

Papa shprehet “afër vuajtjeve të të krishterëve në Palestinë dhe në Izrael, ashtu si dhe gjithë popullit izraelit e palestinez. Është shqetësues”, thotë ai, “klima në rritje e antisemitizmit që po përhapet në të gjithë botën. Njëkohësisht, mendimet e mia shkojnë tek popullsia dhe në mënyrë të veçantë tek komuniteti i krishterë në Gaza, ku konflikti i tmerrshëm vazhdon të shkaktojë vdekje dhe shkatërrim dhe ka krijuar një situatë dramatike dhe të turpshme humanitare. Bëj thirrje palëve ndërluftuese: ndaloni zjarrin, lironi pengjet dhe ndihmoni popullin, që ka uri dhe që aspiron për një të ardhme paqeje! Të lutemi – vijon ai – për komunitetet e krishtera në Liban dhe Siri, të cilat, ndërsa kjo e fundit po përjeton një moment të ndjeshëm të historisë së saj, shpresojnë në stabilitet dhe pjesëmarrje në fatin e kombeve të tyre. Nxis gjithë Kishën që të shoqërojë me vëmendje dhe lutje të krishterët në të dashurin Lindje të Mesme. Një mendim të veçantë i kushtoj edhe popullit të Jemenit, i cili po përjeton një nga krizat më të gjata humanitare në botë për shkak të luftës, dhe i ftoj të gjithë të gjejnë zgjidhje përmes dialogut konstruktiv. Krishti i Ringjallur – shkruan Bergoglio – i dhëntë dhuratën e paqes popullit të martirizuar të Ukrainës dhe i inkurajojë të gjithë aktorët e përfshirë të vazhdojnë përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Zonat e krizës në botë

Në mesazhin “urbi et orbi”, si zakonisht, Papa bën një vështrim të gjerë mbi shumë zona krize në botë, duke shpresuar për një “marrëveshje paqeje” mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, “qëllime mirëkuptimi” në Ballkanin Perëndimor, paqe dhe fund të dhunës dhe konflikteve në Republikën Demokratike të Kongos, në Sudan e Sudanin e Jugut, në Sahel, në Bririn e Afrikës dhe në Rajonin e Liqeneve të Mëdha. Françesku lutet për të krishterët që “në shumë vende nuk mund ta ushtrojnë lirisht fenë e tyre”.

Kundër garës për armatim

“Nevoja që ka çdo popull për të mbrojtur veten, nuk mund të shndërrohet në një garë të përgjithshme armatimi”, shkruan më tej Papa. “Drita e Pashkës na nxit të rrëzojmë muret që krijojnë ndarje dhe sjellin pasoja politike dhe ekonomike. Na shtyn të kujdesemi për njëri-tjetrin, të rrisim solidaritetin dhe të punojmë për zhvillimin e plotë të çdo qenieje njerëzore”. Pas thirrjes për vëmendje ndërkombëtare ndaj Mianmarit, Papa bën apel “drejtuar të gjithë atyre që kanë përgjegjësi politike në botë: mos u dorëzoni ndaj logjikës së frikës që izolon, por përdorni burimet në dispozicion për të ndihmuar nevojtarët, për të luftuar urinë dhe për të promovuar nisma që zhvillojnë jetën. Këto janë 'armët' e paqes: ato që ndërtojnë të ardhmen, jo ato që mbjellin vdekjen! Le të mos mungojë kurrë parimi i humanitetit si themel i veprimeve tona të përditshme. Përballë mizorisë së konflikteve që godasin civilët e pafajshëm, sulmojnë shkolla dhe spitale e punonjës humanitarë, nuk mund të harrojmë se nuk goditen objektiva, por njerëz me shpirt dhe dinjitet”, shton më tej Papa. “Dhe në këtë vit jubilar, Pashka të jetë edhe një mundësi e përshtatshme për të liruar robërit e luftës dhe ata politikë”.

Mesha në shesh

Mesha e Pashkës në Sheshin e Shën Pjetrit nisi me procesionin hyrës të kremtuesve, pak para orës 10:30. Në altarin kryesor, në emër të Papës, kryesoi kardinali Angelo Comastri, 81 vjeç, arqipeshkëv nderi i Bazilikës së Shën Pjetrit dhe vikar i përgjithshëm nderi i Shenjtërisë së Tij për Vatikanin. Një turmë prej 35 mijë besimtarësh mbushi kolonadën baroke të projektuar nga Bernini.

Nga ballkoni i Shën Pjetrit

Zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë konfirmoi një ditë më parë se Papa Françesku do të shfaqej për bekimin “urbi et orbi”, që në mesditë përmbyll kremtimin eukaristik dhe shoqërohet çdo vit nga një mesazh ku Ati i Shenjtë bën një përmbledhje të gjendjes së botës dhe lutet për paqe.

Në rikuperim, por i pranishëm

I kthyer në Vatikan nga spitali Gemelli më pak se një muaj më parë, më 23 mars, Jorge Mario Bergoglio është ende në fazë rikuperimi. Por, megjithë vështirësitë në lëvizje dhe në të folur, është shfaqur disa herë në publik gjatë Javës së Shenjtë. Së fundmi, dje pasdite, disa orë para meshës së Pashkës, ai u shfaq për pak minuta në bazilikën e Vatikanit, për një moment lutjeje në heshtje, duke befasuar besimtarët. “Benedicat vos omnipotens Deus”, tha Papa, me një zë të dobët, në përfundim të bekimit, “in nomine Patris, et Filii et Spiritus Sancti”.

“Jezusi qan me ata që vuajnë”

Jezusi, thuhet në homelinë e lexuar nga kardinali Comastri, “është ringjallur nga të vdekurit dhe për këtë arsye nuk ndodhet më në varr. Duhet kërkuar diku tjetër. Kjo është mesazhi i Pashkës: duhet kërkuar gjetkë. Krishti është ringjallur, është i gjallë! Ai nuk mbeti i burgosur i vdekjes, nuk është më i mbështjellë me qefin, dhe për këtë nuk mund të kufizohet në një rrëfim të bukur historik, nuk mund të konsiderohet si një hero i së kaluarës apo si një statujë në një muze! Përkundrazi, duhet kërkuar, prandaj nuk mund të rrimë pa lëvizur. Duhet të nisemi për ta kërkuar: ta kërkojmë në jetë, në fytyrat e vëllezërve tanë, në të përditshmen, kudo – përveçse në varr. Duhet ta kërkojmë gjithmonë. Sepse, nëse ka ringjallur nga vdekja, atëherë Ai është i pranishëm kudo, banon mes nesh, fshihet dhe zbulohet edhe sot tek motrat dhe vëllezërit që takojmë gjatë rrugës, në situatat më të papritura dhe anonime të jetës. Ai është i gjallë dhe mbetet gjithmonë me ne, duke qarë lotët e atyre që vuajnë dhe duke shumëzuar bukurinë e jetës në gjestet e vogla të dashurisë të secilit prej nesh”. Në këtë homeli Papa citon teologët Henri De Lubac dhe Adriana Zarri./ La Repubblica

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?