Angelo Becciu është kardinali i parë i gjykuar dhe dënuar nga një gjykatë laike. Ai u dënua në vitin 2023 në shkallë të parë me pesë vjet e gjashtë muaj burg për përvetësim, mashtrim të rëndë dhe përjashtim të përhershëm nga mbajtja e funksioneve publike.
Ai ka abuzuar me disa fonde bamirëse të Vatikanit të cilat ia kishte dërguar të vëllait në Londër. Këtë të hënë vetëm pak ditë para nisjes së konklavës në kapelën sistine, ai u tërhoq nga procesi ku do të merrte pjesë.
Kardinali 76 vjeçar ka njoftuar kolegjin e kardinalëve për vendimin e tij.
"Duke pasur në zemër të mirën e Kishës, së cilës i kam shërbyer dhe do të vazhdoj 'i shërbej me besnikëri dhe dashuri, si dhe për të kontribuar në bashkimin dhe qetësinë e Konklavës, vendosa t'i bindem siç kam bërë gjithmonë vullnetit të Papa Françeskut për të mos hyrë në Konklavë, duke mbetur i bindur për pafajësinë time", ka thënë ai.
Edhe pse Becciu pret ende një vendim të apelit për veprën për të cilën është dënuar, Papa Francesku duket se luajti një rol të rëndësishëm në dorëheqjen e tij siç Becciu evidenton në njoftimin e tij.
Ndërhyrja e Françeskut sic thonë mediat italiane ishte bërë me qëllim pastrimin e kishës dhe vatikanit nga skandalet. Ndërkohë Kapela Sistine ku do të zhvillohet Konklava po pajiset rëndë për sigurinë kibernetike.
Kështu, përveç mbylljes së kardinalëve me çelës brenda sallës, për të siguruar zgjedhje të lira, çdo pikë e mundshme aksesi do të mbrohet. Ditët e fundit, teknikët që punojnë në Vatikan janë përpjekur të parashikojnë çdo dobësi të mundshme.
Janë instaluar zhurmuesit e frekuencës për të parandaluar valët e telefonave celularë. Nëpër dritare janë montuar filma të posaçëm lazer anti-drone dhe anti-spiun, me ekspertët që po sigurohen që Kapela Sistine të bëhet një bunker i vërtetë dixhital. Telefonat celularë, laptopët, iPad-ët dhe çdo pajisje tjetër dixhitale e aftë për të komunikuar me jashtë do të konfiskohen përpara hyrjes së kardinalave në sallën e votimit.
Komente
