Shkodër- Zbulohen dhe sekuestrohen 120 kg drogë në Vaun e Dejës në Shkodër, gjatë një operacioni policor të zhvilluar ditën e sotme (24 tetor).
Si rezultat i kontrolleve, zbulimi u bë në fshatin Karmë, teksa lënda narkotike ishte ende në proces tharjeje. Zona ku kultivohej dhe përgatitej droga për trafikim quhej “Shpati i malit”.
Policia tha se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe autorëve të përfshirje në këtë aktivitet të paligjshëm.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të prodhimit të narkotikëve, kanë ushtruar kontroll në zonën për të cilën disponohej informacion, në vendin e quajtur “Shpati i malit”, në fshatin Karmë, ku kanë gjetur rreth 120 kilogramë kanabis (bimë kanabis në proces tharjeje)”, njoftoi policia vendore për rastin.
Një pjesë e lëndës narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua në vendngjarje, me anë të djegies.
“Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, sqaruan burimet zyrtare.
Hetimet e mëtejshme për operacionin e kryer do i ndjekë Prokuroria e Rrethit, edhe nëse ka zyrtarë vendorë të implikuar në këtë aktivitet.