Në historinë e krishterë, lindja e Jezusit sjell mrekullinë e mishërimit: Zoti e bën veten plotësisht njerëzor duke marrë pamjen e një fëmije të pafuqishëm. Por diçka e mrekullueshme ndodh në të vërtetë në çdo lindje. Në fakt, ne duhet të mësojmë të shohim në çdo lindje, si një premtim për të shpëtuar botën nga brutaliteti dhe dhuna e vdekjes. Lindja nuk është thjesht një ngjarje natyrore që i përgjigjet ligjeve universale të jetës.
Mrekullia e lindjes është ajo ngjarje shumë e veçantë që e bën jetën unike, që në momentin e frymëmarrjes së parë. Festa e saj është festa që shenjtëron fillimin: në lindjen e një fëmije bota rilind çdo herë. Në sytë e prindërve të fëmijës, të njëjtat gjëra nuk do të jenë më si më parë, bota siç e njihnim më parë ndryshon kuptimin e vet. Gjithçka mbetet, në realitet, si më parë, por në fakt asgjë nuk është si më parë. Çdo lindje (qoftë edhe ajo e një dashurie, miqësie apo pasioni) rinovon kështu mrekullinë e krijimit të botës, zgjat gjenezën e saj.
Ndodh edhe në krijimin e veprave të artit. Duke sjellë në jetë një vepër, artisti nuk kufizohet në përfaqësimin e një bote që tashmë ekziston, por sjell një botë të re. Në këtë kuptim, në çdo lindje, mrekullia – e shkëlqyer dhe mizore – e jetës përtërihet. Në të vërtetë, drita e lindjes nuk mund të ndahet kurrë nga fati i vdekshëm që ajo imponon. Jeta del nga errësira, nga gjaku, nga zorrët, nga hija, nga balta. Ajo vjen në botë vetëm përmes britmës së pafuqisë së vet absolute, duke filluar të vdesë me frymën e parë.
Nuk është rastësi që qeniet njerëzore mund të ndihen thellë-thellë të tërhequr nga rrënojat, nga mbetjet që nuk duan të vdesin dhe që vazhdojnë të jetojnë, edhe kundër pashmangshmërisë së kohës. Poetika tashmë klasike e Giorgio Morandi-t, ashtu si edhe ajo bashkëkohore e Anselm Kiefer-it, kremtojnë në mënyrë të jashtëzakonshme dimensionin iluminues të asaj që mbetet, të asaj që nuk dëshiron të vdesë, të asaj që dëshiron të vazhdojë të lindë.
Është kjo, edhe një temë e madhe biblike: shpëtimi gjendet gjithmonë në atë që mbetet, në një “gjë që mbetet e që do të kthehet”, siç deklaron Isaia. Në Noen e “drejtë” apo në Moisiun e vogël të shpëtuar nga ujërat, në Jezusin e ngritur nga errësira e varrit. Ato janë imazhe të thella të lindjes që përsëriten përmes vdekjes. Nuk është rastësi që në gjuhën hebraike fjala sheerìt, që do të thotë pushim, përbëhet nga të njëjtat shkronja (reshìt) që do të thotë “fillim”. Sepse, siç na kujtonte Hannah Arendt, qeniet njerëzore nuk janë krijuar për të vdekur, por për të lindur pafundësisht.
Goditjet traumatike të pandemisë dhe luftës kanë treguar natyrën e zymtë të fuqisë së vdekjes. Jeta dukej se shembej, duke iu dorëzuar dhunës së pakontrollueshme të së keqes. Por të kremtosh mrekullinë e lindjes së Krishtit sot do të thotë të pranosh se jeta nuk i dorëzohet asaj fuqie. Ne jemi përgjegjës edhe për lindjen tonë, thoshte në mënyrë paradoksale Sartri. Por si mund të jetë? Kërkohet një “Po!”, edhe për të lindur. Është e nevojshme t’i thuash “Po!” jetës, për të jetuar.
Kjo do të thotë se sa herë që jeta i thotë “Po!” jetës, ajo mund të përjetojë lindjen. Ringjallja nuk është një ngjarje e jashtëzakonshme që ndodh në fund të jetës, por mund të ndodhë çdo ditë. Kjo është ajo që Nietzsche sheh të shfaqet në misterin e kthimit të përjetshëm të të barabartëve: është e nevojshme t’i thuhet një “Po” e madhe jetës, që ky rikthim – përsëritja e paepur e kohës që na gllabëron – të mos shfaqet si një peshë shtypëse, por si rezultat i vendimit tonë, i vullnetit tonë: “Po! Unë ende dua të lind! Unë ende dua jetën me shkëlqimin dhe mizoritë e saj! Unë dua që të përsëritet përsëri, përsëri si sot dhe si ka ndodhur gjatë gjithë kohës!
Mrekullia e lindjes është, pra, mrekullia e së resë që ndodh në të njëjtën hapsirë. Në përsëritjen uniforme të jetës që na konsumon, lindja është ajo prerje që rihap jetën brenda jetës. Është “Po!”-ja që fiton mbi “Jo!”-në. Është pohimi që fiton mbi tundimin ndaj mohimit nihilist: “gjithçka është e kotë, çdo gjë është e kotë”, siç i thoshte i dorëzuar Shopenhaueri, Zarathustras së Niçes.
“Po!”-ja e lindjes që rinovohet këmbëngul të tregojë se jo gjithçka është vdekje, se vdekja nuk është fjala e fundit për jetën, se jo gjithçka është e kotë, se jo gjithçka është e pavlerë. Ata që u kanë dhënë frymë pacientëve me Covid e dinë mirë, protagonistët heroikë të rezistencës ukrainase që mbrojnë dinjitetin e jetës së tyre dhe lirinë e tokës së tyre përballë pushtuesit, e dinë mirë, siç e dinë mirë gratë dhe populli iranian që pretendojnë të drejtën për të rilindur, më në fund të lirë nga shtypja e një Ligji të çmendur që vepron jo në emër të jetës, por në emër të zymtësisë së vdekjes. / Massimo Recalcati – Bota.al
Lajmi kryesor:
Simbolika, çfarë do të thotë festa e Krishtlindjes për besimtarët e Krishterë! Historia e Pemës së Krishtlindjes
K.T./ReportTv.al