Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot (27 maj) do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Të enjten (23 maj) dha dëshminë e tij dëshmitari i 66-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Ky dëshmitar ishte me masa mbrojtëse dhe dëshmoi për herë të parë.
Gjatë seancës së të enjtes kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se orari i dy seancave pasuese është paksa i pazakontë dhe në njërën prej këtyre planifikohet që të mbahet një diskutim për ecurinë e çështjes.
Smith III ka theksuar se ka mundësi që një gjë e tillë të ndodhë sot gjatë seancës së pasdites.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen prej muaj mars të vitit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.