Politikë

Porosia e Ramës, vijon ‘dallga’ e dorëheqjeve në bashki! Largime masive në Sarandë, Lushnjë, Divjakë e Vaun e Dejës

15 Korrik, 09:50| Përditesimi: 15 Korrik, 18:16

  • Share

Edhe kjo e martë ka qenë e nxehtë në pjesën më të madhe të bashkive të vendit. Vala e dorëheqjeve të drejtuesve në shumicën dërrmuese të bashkive të drejtuar nga kryetarë socialistë ka vijuar, pas kërkesave të Kryeministrit Edi Rama, që ka kërkuar rifreskime te stafeve.

Report Tv ka mësuar se largime që në orët e para të mëngjesit ka pasur në Bashkitë e Sarandës, Divjakës, Lushnjës, Vaut të Dejës, Selenicës etj.

Një ditë pasi u është kërkuar dorëheqja, thuajse të gjithë drejtorët në bashkitë Sarandë dhe Delvinë, i kanë dorëzuar ato tek eprorët.

Sa i përket bashkive të skajit jugor, në Konispol ende nuk ka asnjë largim, ndërsa burime kanë bërë me dije se kryetari i kësaj bashkie Ergest Dule, ia ka thënë Ramës në mbledhjen e Durrësit se drejtorët i ka të aftë dhe nuk do t’i shkarkojë.

Në debatin që Report Tv mëson e ishte më shumë në kuadrin e batutave, Rama i është përgjigjur që ‘nëse s’i shkarkon, ik vetë’.

Në Bashkinë Selenicë kanë dhënë dorëheqjen të pestë krerët e Njësive Administrative. Ende nuk ka një lajm për dorëheqje administratorësh në Bashkinë e Vlorës, e cila ishte e para që u përball me kërkesat e Ramës për largime drejtuesish. Drejtorët kanë ikur tashmë dhe priten dorëheqjet e administratorëve.

Në Bashkinë e Vaut të Dejës, pas një mbledhjeje të thirrur nga kryetari Kristian Shkreli, 3 zv/kryetarët e bashkisë, 5 administratorët dhe të gjithë drejtorët kanë paraqitur menjëherë dorëheqjen.

Edhe në Bashkinë Lushnjë janë dorëzuar të gjitha dorëheqjet. Janë larguar nga puna 13 drejtorë, të gjithë drejtuesit e Njësive Administrative dhe ato të rajoneve të qytetit të Lushnjës. E njëjta situatë paraqitet edhe në Divjakë, ku dhe nënkryetari i Bashkisë dhe kryetarët e 3 nga 4 njësive administrative kanë dhënë dorëheqjen.

Një ditë më parë, pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve në njësitë administrative në bashkitë e mëdha të vendit si Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër etj.

Ora 18:11
Bashkia Maliq/ Japin dorëheqjen 4 administratorë, ende asnjë lëvizje mes nënkryetarëve e drejtorëve

1752596136_MaliqAlbania201801.jpg

Bashkia Maliq

Pas bashkisë Korçë, Devoll dhe Kolonjë, 4 administratorë të bashkisë Maliq kanë dhënë dorëheqjen.

Për nënkryetarët ende nuk ka filluar asnjë proçedurë e ngjashme dhe mbetet në pikpyetje, sa i përket drejtorëve nuk ka asnjë lëvizje.

Ora 16:28
“Furtunë” dorëheqjesh edhe në qarkun e Dibrës, largohen 35 drejtues të Njësive Administrative

35 drejtues të njësive administrative të katër bashkive të Qarkut Dibër kanë paraqitur dorëheqjen këtë të martë.

Korrenspondenti i Report Tv në Dibër, Mahir Jangulli, mëson se një ditë më parë, kryetarët e Bashkive Dibër, Bulqizë, Mat e Klos kanë zhvilluar mbledhje me të gjithë adminstratorët ku u kanë komunikuar atyre urdhërin e Kryeministrit Rama për shkarkimin e të gjithë administratorëve që kanë mbi 3 vite në këtë detyrë.

Në Bashkinë Dibër janë 15 administratorë që kanë dhënë dorëheqjen, në Bulqizë 8 administratorë, në Mat 8 administrator dhe në Klos 4 administratorë.

Po ashtu, këtë të martë kanë paraqitur dorëheqjen edhe zv/kryetarët e bashkive.

Në Bashkinë Mat është paraqitur dorëheqja e një zv/kryetari, po aq edhe në Klos.

Ndërsa në Bulqizë e Dibër janë dorëhequr 4 zv/kryetarë, respektivisht nga dy për secilën bashki.

Largimi nga detyra nëpërmjet detyrimit të dhënies së dorëheqjes bëhet për të shmangur pasojat ekonomike që mund të vijnë nëse administratorët padisin në gjykatë pushtetin vendor. Sakaq, dorëheqje ju është kërkuar edhe drejtorëve të drejtorive të cilët pritet t’i paraqesin në një moment të dytë.

Ora 15:59
Bashkia Krujë/ Japin dorëheqjen 5 administratorët e njësive, 2 nënkryetarët dhe drejtuesit e drejtorive

1752588031_61big.jpg

Administratorët e njësive administrative Fushë Krujë, Cudhi, Thumanë, Bubq dhe Nikël, dy nënkryetarët dhe drejtuesit e drejtorive, kanë paraqitur dorëheqjet e tyre tek kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi.

Përmes këtij proçesi do të vlerësohet performanca në punë e secilit, nga një grup pune që kryesohet nga Kryetari i Bashkisë.

Ora 12:22
'Janë të aftë, nuk i heq', kryebashkiaku i Konispolit 'refuzon' urdhrin e Ramës, kryeministri: Atëherë jep dorëheqjen

Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, ka refuzuar të shkarkojë drejtorët në varësi të tij, pas urdhërit të kryeministrit Rama.

Burime për gazetarin e Report TV, Limos Didani bëjnë me dije se Dule ka patur dhe debat me kryeministrin Rama gjatë takimit me kryebashkiakët në Durrës. 

Dule është shprehur se “drejtorët janë të rinj dhe të aftë në punë”. Nga ana tjetër, kryeministri i është përgjigjur duke thënë “jepe ti dorëheqjen nëse nuk i shkarkon”. Një ditë më parë, pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve në njësitë administrative në Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër, Lushnje etj.

Ora 11:28
Dorëhiqen 13 drejtorë të Bashkisë Lushnje dhe 10 drejtuesit e Njësive Administrative

1752572020_bashkiaelushnjes.jpg

Në Bashkinë e Lushnjes kanë dhënë dorëheqjen 13 drejtorë të këtij institucioni.

Sipas korrenspondentit të Report Tv në Lushnje, Yrjet Saliasi, të gjithë drejtorët kanë dhënë dorëheqjen në bllok pas ultimatumit të Kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, po në Lushnje, janë dorëhequr 10 drejtues të Njësive Administrative dhe 5 drejtues të rajoneve të qytetit të Lushnjes.

Dorëheqjet e drejtorëve të bashkive dhe kryetarëve të njësive administrative vijnë pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama, në kuadër të rifreskimit të stafeve dhe rritjes së performancës në punë.

Ora 11:27
Ultimatumi i Ramës, nënkryetarët, drejtorët dhe administratorët e Vaut të Dejës dorëzojnë dorëheqjen

Pas ultimatumit të kryeministrit Rama, 3 zv.kryetarët e bashkisë së Vaut të Dejës, 5 administratorët dhe të gjithë drejtorët kanë paraqitur dorëheqjen pranë Bashkisë Vau Dejës. Dorëheqjet janë paraqitur sot në mbledhjen e thirrur nga kryebashkiaku Kristian Shkreli.

Ora 10:52
Dorëhiqen administratorët e 5 Njësive Administrative në Selenicë

Administratorët e 5 Njësive Administrative në Bashkinë e Selenicës, në Vlorë, kanë dhënë dorëheqjen nga detyra.

Korrenspondenti i Report Tv në Vlorë, Armand Xhelili, ka mësuar se dorëheqjet e tyre tashmë janë protokulluar si edhe konfirmohet në rrugë zyrtare nga Bashkia e Selenicës.

Dorëheqjet vijnë pas valës në të gjitha bashkitë e vendit pas ultimatumit të Kryeministrit Edi Rama që ka kërkuar rifreskime në pushtetin vendor në funksion të rritjes së performancës në punë.

Ora 10:40
Dorëhiqet nënkryetari i Bashkisë së Divjakës

1752569474_bashkiadivjake.jpg

Nënkryetari i Bashkisë së Divjakës dhe kryetarët e 3 njësive administrative kanë dhënë dorëheqjen, sipas porosisë së Kryeministrit Edi Rama që ka kërkuar rifreskime të punonjësve në qeverisjen vendore.

Vala e shkarkimeve dhe dorëheqjeve ka nisur në të gjitha bashkitë dhe njësitë administrative në të gjithë vendin.

Gjatë ditëve të fundit, kreu i ekzekutivit, Edi Rama, në takime që ka patur me të zgjedhur vendorë dhe deputetë, ka kërkuar rifreskime të stafeve nëpër bashkitë e vendit dhe njësitë administrative, në funksion të rritjes së performancës në punë.

Ora 10:16
Romeo Çakuli i Finiqit i përgjigjet Edi Ramës me humor: Do shkarkoj drejtorët dhe do t’i rikthej pas një jave

1752568170_ediramaromeocakuli.png

Gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe kryetarët e bashkive, është regjistruar një reagim interesant nga kryetari i Bashkisë Finiq, Romeo Çakuli, lidhur me kërkesën për shkarkimin e drejtuesve të institucioneve në varësi.

Sipas burimeve pranë takimit, Rama kërkoi dorëheqjen kolektive të të gjithë drejtorëve vendorë si pjesë e një nisme për rritjen e standardeve dhe përgjegjshmërisë në administratë.

Në përgjigje, kryebashkiaku i Finiqit, Romeo Çakuli, me humor i është përgjigjur Kryeministrit Rama: “Do i shkarkoj të gjithë drejtorët dhe do i marr përsëri në punë pas një jave.”

Deklarata, ndonëse e thënë me një ton që është interpretuar si ironik nga disa, është parë si një qëndrim reflektues mbi vlerësimin e performancës së stafit dhe vazhdimësinë në administratë.

Ky reagim tregon se kryetari i Bashkisë Finiq nuk është kundër vlerësimit të stafit, por mund të ketë rezerva mbi mënyrën dhe motivacionin e shkarkimeve kolektive.

Nga ana tjetër, deklarata nuk është shoqëruar me një qëndrim zyrtar të bashkisë apo ndonjë dokument konkret mbi veprimet që do të ndërmerren.

V.GJ /SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sekuestro bulmetit pa faturë, si e vlerësoni aksionin?