Edhe të enjten në mbrëmje, disa qytete të Serbisë u 'pushtuan' nga protestat masive që fillimisht nisën në mënyrë paqësore, por më vonë u përshkallëzuan. Incidente u shënuan në Beograd, Novisad, Nish e Valjevo.
Në Novi Sad, protestuesit hynë me forcë në ambientet e Partisë Progresive Serbe (SNS), duke thyer xhamat, dëmtuar pajisjet dhe hequr kamerat e sigurisë. Ndërkohë, në Beogradin e Ri, një grup i vogël protestuesish hodhën fishekzjarre drejt ambienteve të SNS-së, ndërsa konteinerëve iu vu zjarri. Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Përleshje të mëdha u raportuan edhe përpara Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, ku protestuesit u përplasën me forcat policore. Në rrugën Birčaninova, mbështetës të partisë SNS dhe protestues përdorën mjete piroteknike kundër forcave të rendit.
Në Nish, protestuesit u mblodhën para ndërtesës së bashkisë, duke qëlluar me vezë ndaj efektivëve që kishin krijuar një kordon policie dhe ndërsa brohorisnin "Arrestoni Vuçiçin".
Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç tha se të paktën 42 oficerë policie u plagosën, shumica në Beograd, ndërsa 37 persona janë arrestuar deri tani. "Hedhje gurësh, fyerje, goditje me shufra e shkopinj... Policia u detyrua të përdorte mjete për vetëmbrojtje. Kjo nuk është vetëm një sulm ndaj policisë, por edhe ndaj shtetit", deklaroi Daçiç.
Një nga të plagosurit është edhe deputeti i Partisë Socialdemokrate Serbe (SSP), Peđa Mitroviç, i cili sipas partisë së tij u sulmua nga një person i lidhur me SNS.
Në një deklaratë për mediat, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi "reforma të mëdha" dhe theksoi se "sundimi i ligjit do të vihet në zbatim", duke premtuar ndëshkime për të gjithë ata që morën pjesë në aktet e dhunshme.
Komente
