Kopshti privat 'Flatrat e Dijes' në Fier, është mbyllur një ditë më parë nga Ministria e Arsimit pasi nuk plotësonte standardet minimale për të vegjëlit. Report Tv, ka bërë një vëzhgim ditën e sotme pranë kopshtit. Në pamjet e siguruara nga Report Tv, porta është e mbyllur ndërsa në sfond dëgjohen zërat e disa fëmijëve aty pranë.
Është dashur vdekja e një fëmije 3-vjeçar pak ditë më parë, që Ministria e Arsimit të kuptojë se ky kopësht nuk i plotëson kushtet. Burime bëjnë me dije se kopshti nuk kishte as drejtues, dhe as personel të kualifikuar për mësimdhënien.
Pikërisht si rezultat i këtyre shkeljeve, Ministria e Arsimit, rreth 4 javë pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit ka marrë vendimin për të mbyllur kopshtin privat ’Flatrat e Dijes’ në lagjen Sheq i Vogël të qytetit të Fierit.
Fëmija 3-vjeçar ndërroi jetë në kopështin ‘Flatrat e Dijes’ më datë 7 janar. Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar edukatorja Redina Binjaku. Edukatorja akuzohet nga prokuroria për shkelje të rregullores në punë. Sipas dëshmisë së edukatores 27-vjeçare, 3-vjeçari ka tentuar të marrë çantën dhe i ka ngecur kapuçi i xhupit në varëse e për pasojë është mbytur, ndërsa kamerat e sigurisë në kopsht pritet të zbulojnë gjithçka ndodhi që solli vdekjen një 3-vjeçarit.