Pesë persona janë vendosur nën akuzë në lidhje me vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili humbi jetën në klinikën mjekësore “Splendent” 2 vite më parë.
Në mesin e personave që kanë masë sigurie arrest shtëpi janë mjeku anestezist Roland Xhaxho, vajza e tij mjeke dhe që ka klinikën Ina Xhaxho dhe Marta Gina. Për Roland Xhaxhon, Prokuroria e Tiranës kërkoi masë arrest në shtëpi dhe e njëjta u caktua nga gjykata.
Ndërsa për Ina Xhaxhon dhe Marta Ginën, organi i akuzës kërkoi arrest në burg, por togat e zeza caktuan arrest shtëpie.
Roland Xhaxho akuzohet për vrasje nga pakujdesia, ndërsa Ina Xhaxho dhe Marta Gina akuzohen për vrasje nga pakujdesia dhe mashtrim të kryer në bashkëpunim.
Nën akuzë janë edhe dy mjekë të Mjekësisë Ligjore, Elton Serani dhe Erindo Allo, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim. Këta të fundit janë pezulluar nga detyra.
Këto të fundit u dhanë pas mbërritjes në Shqipëria nga Italia të përgjigjeve të akt-ekspertizës së 3-vjeçarit Brian Spahiu.
Çfarë thonë mjekët italianë?
Ekspertët italianë kanë konstatuar shkelje të rënda të mjekëve. Sipas tyre, 3-vjeçari humbi jetën nga shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive të shumë organeve. Gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që kanë trajtuar të miturin, janë konstatuar shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.
Konkretisht, sipas ekspertëve italianë, nuk janë kryer kontrollet e nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit. Që do të thotë se i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrën e përshtatshme, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit.
Gjithashtu, ndërhyrja kirurgjikale ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për overtreatment.
Edhe njerrja e të miturit nga spitali kur ishte ende në narkozë, evidentohet nga ekspertët italianë si një shkelje e rëndë e mjekëve.
Shkelje të rënda janë gjetur edhe ndaj mjekëve të Mjekësisë Ligjore, ndaj të cilëve janë gjetur shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore. Për këtë arsyë, Elton Serani dhe Erindo Allo janë pezulluar nga detyra.
Brian Spahiu humbi jetën më 1 tetor 2023 në klinikën 'Splendent' ku iu nënshtrua një ndërhyrje të vështirë kirurgjikale në 14 dhëmbë. 3-vjeçari iu nënshtrua ndërhyrjes më 28 shtator 2023 në klinikën e mjekes Ina Xhaxho. I mituri humbi jetën 3 ditë më vonë pasi kisht dalë nga spitali.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka dhënë masa sigurie për pesë persona për veprat penale ‘Vrasja nga pakujdesia’, ‘Mashtrimi në bashkëpunim’ e ‘Shpërdorim detyre’ në kuadër të hetimeve mbi rastin e vdekjes së një të mituri, 3-vjeçar pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet. Prokuroria në vijim të hetimeve të nisura mbi procedimin penal nr.6477, datë 05.10.2023, ka marë si persona në hetim shtetasit:
1 - R. Xh., për kryerjen e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i K.Penal si dhe për veprën penale të parashikuar nga neni 180/a i Kodit Penal. Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, gjykata vendosi masën e sigurimit “Arrestit në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale;
2 - I.Xh., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i K.Penal dhe “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal;
3- M. G., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i K.Penal dhe “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/2 i K.Penal;
4 - E.S., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i K.Penal; dhe
5 - E. A, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i K.Penal.
Nga ana e prokurorit u kërkua masa e sigurimit ‘Arrest në burg” për personat nën hetim I. Xh. dhe M. G. ndërsa gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale.
Në vijim të hetimeve që lidhen me ngjarjen e datës 28.09.2023, kur i miturit B.S, i moshës 3 vjec, i është nënshtruar një ndërhyrje dentare në 14 dhëmbë, tek Klinika “Splendent” drejtuar nga mjekët R.Xh dhe I. Xh. I mituri pas ndërhyrjes kthehet në shtëpi dhe brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qëndrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ka ndërruar jetë.
Për shkak të mangësive dhe konkluzionit të paargumentuar në aktin e ekspertimit mjekoligjor të kryer nga ekspertët e I.M.L.-së, nga ana e prokurorit të çështjes Alma Felaj, për një hetim të plotë, të gjithanshem e objektiv të çështjes penale, në datën 10.12.2023, u vendos kryerja e riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë multidisiplinar me grup ekspertësh. Për këtë qëllim u kërkua ndihmë juridike autoriteteve italiane të drejtësisë, duke kërkuar kryerjen e riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë multidisiplinar me grup ekspertësh në shtetin italian.
Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë u arrit në konkluzionin se:
Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B. S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që kanë trajtuar të miturin, janë konstatuar shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij. Këto shkelje kanë konstatuar në:
- moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;
- ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për overtreatment
- nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.
Grupi i ekspertëve italianë ka konstatuar shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore, nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A.
Gjithashtu grupi i ekspertëve italiane ka konstatuar shkelje të protokolleve mjekësore nga ana e mjekëve reanimatorë të Pediatrisë, të cilët kanë trajtuar të miturin B.S.
Nisur nga ky fakt, nga ana e organit të akuzës janë marrë si persona nën hetim , shtetasit V. H dhe D. S, me detyrë mjekë në terapinë intensive pranë Pediatrisë në QSUT, të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Neglizhenca ne trajtimin mjekësor " të parashikuar nga neni 96/1 i Kodit Penal.
/Lajmi ne perditesim...
Komente

SI U BEKAN NDERHYRJE NE 14 DHEMBE TEK NJE FEMIJE 3 VJEC....DENTISTJA NUK DUHET TE USHTROJE KURRE ME KETE PROFESION....DHE TE BEJE BURG....KURSE I ATI TE DALI NE PENSION E ..TE MOS PREKE ME TE SEMMURE ME DORE.
Përgjigju