Drejtori i Spitalit Rajonal Shkodër, Senad Halluni, në një konferencë për media mbrëmjen e sotme, ka dhënë më tepër detaje lidhur me humbjen e jetës së 3 vjeçarit dhe gjendjes në të cilën ndodhet motra e tij 7- vjeç.
Ai u shpreh se i mituri Omer Hasmegaj erdhi fillimisht me të vjella dhe nga ana e mjekve u kërkua që të shtrohej në spital por, babai nuk pranoi, ndërsa një ditë më pas erdhi në gjendje të rëndë.
'Shpreh ngushëllimet për humbjen e jetës së 3 vjeçarit Omer Hasmegaj. Ai është paraqitur të premten në orën 16:40, me shenja të të vjellave. Nga mjekja roje është trajtuar për këto simptoma. Rreth orës 19 i është kërkuar familjes për t’u shtruar në spital. I ati ka vendosur firmën për të marr fëmijën dhe për të mos vazhduar trajtimin.
Më datë 22 ditën e shtunë në orën 9:40, 3- vjeçari ka ardhur në gjendje shumë të rëndë pothuajse pa jetë, me puls të ulët. Mjekët janë munduar të bëjnë reanimimin dhe për 45 minuta është bërë çdo përpjekje për ta mbajtur në jetë, por fatkeqësisht 3- vjeçari ka ndërruar jetë. Pas 30 minutash është paraqitur e motra, dhe stafi i pediatrisë ka vendosur t’a nisë me urgjencë drejt Tiranës. Janë lajmëruar organet kompetente, kua janë bërë procedurat, për të kryer autopsinë e cila është metoda më e saktë për vendosjen e diagnozës', tha ai.
Teksa u pyet lidhur me shkakun e humbjes së jetës së të miturit, ai u shpreh se shkak dyshohet insuficenca kardio respiratore.
'Fakti që me të njëjtat shenja është edhe e motra, për të gjetur shkakun dhe diagnozën, nuk ka një përgjigje, por nga kontaktet që kam unë flitet insuficenca kardio respiratore', tha ai.
Mjekja Neuro-Pediatre Greta Naraçi, tregon se koha ishte e pamjaftueshme për të mbajtur në jetë fëmijën 3 vjeç.
'Kjo kohë ishte tepër intensive dhe e shkurt për të gjithë ne për të dhënë ndihmën e duhur. Ishte aq e vështirë kjo situatë dhe pas 5 minutash që kemi zbritur në reanimacion fëmija ka bërë exitus, pa asnjë mundësi. Kur them është insuficiencë kardiake, mundet të jetë fundi i disa patologjive, që mund të jenë virozë që ka dhënë një komplikacion, ka bëtë një miokarditë, një toksikacion që mund të jetë qoftë edhe elementar. E kemi të refuzuar kategorikisht nga prindërit, që në dijeninë e tyre, që fëmija ka ngrënë apo ka pirë gjë', tha ajo.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të motrës së tij 7 vjeçare, e cila është dërguar në QSUT, ajo tha se gjendja e saj aktualisht është e rëndë.
‘Ne vendosëm që ta çonim në Tiranë duke qenë se parametrat jetësor në atë moment e lejonin transforminin. Sot ajo fatkeqësisht është në gjendje të rëndë’, tha ajo.
Lajmi kryesor:
Misteri në Shkodër/ Ndërron jetë 3-vjeçari, në gjendje të rëndë motra 7 vjeç! Dyshohet helmim, por spitali nuk ka laborator toksikologjik
S.B/ReportTv.al
